De Biasit ‘nuk i ndahet shpirti’ nga Ballkani, ja skuadra që pritet të drejtojë ish-tekniku Kuqezinjëve, zbulon bisedën me Dukën

0
95

Ish-trajneri Kuqezi Gianni De Biasi në një intervistë për të përditshmen italiane tutto mercato ka folur mbi planet dhe për të ardhmen e tij. Pas përfundimit të rrugëtimit në skuadrën e Azerbajxhanit, De Biasi mesaduket do të rikthehet sërish në Ballkan

Pjesë nga intervista:

“Bëra rrugëtimin që duhej me këtë skuadër. Duke bërë vlerësimet e rastit, mendoj se kam arritur maksimumin, gjëra të jashtëzakonshme në nivelin e rezultateve”. Me këto fjalë Gianni De Biasi, mbyll aventurën e tij pas tre vitesh në krye të Azerbajxhanit. Ish trajneri i Kombëtares kuqezi, nuk ka ndërmend të ndalet, por të vlerësojë me qetësi ofertat që do të vijnë, ideja e tij është të vijojë me ekipet përfaqësuese. Së fundmi, pas shkarkimit të Primoz Gliha, emri i De Biasit lakohet si trajneri i mundshëm i Kosovës, kjo nuk është hera e parë që emri i tij lidhet me “dardanët”, ndërsa më herët ka pranuar publikisht se emri i Kosovës e josh jo pak:

“Zjarri brenda meje nuk është shuar ende. Tani presim Krishtlindjet, ndërsa në 2024 do të ketë opsione që më duhet t’i marrë në konsideratë, unë jam i disponueshëm dhe do t’i vlerësojë, u shpreh De Biasi në lidhje më të ardhmen e tij, duke u ndalur më pas te kualifikimi i Italisë, sa shanse kanë “azzurrët” në Euro2024?

“Vështirë të them, e sigurt është se nuk kemi skuadrën më të fortë në botë. Më pëlqyen deklaratat e lojtarëve të cilët theksuan se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur titullin, por duhet punuar shumë, mbi të gjitha për të gjetur rrugën e golit. Pa shënuar je në rrezik deri në sekondat e fundit, ashtu siç ndodhi në ndeshjen me Ukrainën”, u shpreh De Biasi, ku nuk mungoi as pyetja në lidhje me kualifikimin e Shqipërisë:

“I pata thënë presidentit Duka, pas hedhjes së shortit, që me siguri do të kualifikoheshin si të parët ose si të dytët në grup, mendoj se jam një profet i mirë. Është një skuadër e fortë, me lojtarë interesantë, me 6-7 lojtarë që luajnë në Serie A, të tjerët në Evropë, është një skuadër me vlera teknike interesante”, theksoi De Biasi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here