Ndryshuan emrin e klubit, shpërthejnë dinamovitët: Nuk mund të deformohet historia, së shpejti protesta

0
88

Dinamo luajti ndeshjen e parë të saj për këtë sezon të dielën, pikërisht në derbi me Tiranën, ku edhe humbi me rezultatin 3-2. Megjithatë, pavarësisht humbjes, më shumë vëmendjen e mori fanella e re e klubit dhe prezantimi i skuadrës me emrin e ri Dinamo City. Në fillim ishte menduar se projekti i ri dinamovitë parashikon binjakëzim me Mançester Sitin, dhënie toke në Durrës për të pasur një Dinamo me shtëpi të re e së fundmi dizenjimi i ri i fanellës me emrin Dinamo Siti, ku siç shihet emrit të vërtetë të klubit i shtohet një fjalë në gjuhën angleze që e përkthyer do të thotë qytet. Pra Dinamo e qytetit. Por ndryshe nga drejtuesit dhe disa figura që kanë qenë dakord me këtë lëvizje, me idenë se kështu do të rritet cilësia e futbollit, për më tepër që Dinamon e drejton një teknik italian dhe klubi ka bërë edhe blerje në merkato, ka të tjerë që besojnë se Dinamo është cenuar rëndë, është vënë në shënjestër historia e klubit dhe emri i madh i klubit, duke e degdisur nga vendi i vet dhe duke i ndryshuar pa të drejtë emrin, një lëvizje që shihet nga veteranët dinamovitë si një lëvizje e papranueshme.

Qëndrimi i dinamovitëve

Gazeta , kontaktoi dje me dinamovitë të vjetër, anëtarë të shoqatës së Dinamos dhe tifozë që e kanë në zemër këtë klub, duke marrë mendimet e tyre. Dhe përgjigja ishte se së shpejti nisin protestat, duke siguruar se asnjë dinamovit nuk do të pranojë që klubit t’i deformohet historia. Dinamovitët sipas tyre nuk do të pranojnë kurrë që të ndryshohet emri i klubit, e rrjedhimisht të devijohet historia e tij. Sipas shumë specialistëve, vendosja e një shtese në emër dhe ndryshimi në dizenjimin e fanellës janë dëshmi e qartë e ndryshimeve të emrit të Dinamos dhe reputacionit të saj në historinë e futbollit shqiptar. Sipas specialistëve, duhej që një klub me emrin e Dinamo City, të niste karrierën e vet në futbollin shqiptar nga kategoritë më të ulëta, e më pas të bëhej si të dëshironin, por jo me Dinamon e themeluar në vitin 1950. “Dinamo nuk është plaçkë tregu, ku secili bën atë që dëshiron për interesat e tij. Dinamo është klub me histori, Dinamo i përket qytetit të Tiranës, ka vendin e vet këtu dhe në historinë e futbollit shqiptar, ndaj ne nuk do të pranojmë kurrë të na përdhoset Dinamo. As FIFA e as UEFA nuk do ta regjistrojnë një skuadër me emrin e ri, kur dihet që ne kemi Dinamon tonë”, tha një dinamovit.

Historia me Olimpikun

Në mesin e viteve 90-të, Dinamos ia ndryshuan emrin dhe ia bënë Olimpik. Edhe në atë periudhë pati protesta të dinamovitëve dhe që nuk u pajtuan me vendimin e marrë. Çështja shkoi gjyq pas gjyqi e deri në UEFA, atje ku specialistët e qeverisë europiane të futbollit konkluduan se ndryshimi i emrit nuk mund të ndodhte, pasi Dinamo kishte konform rregullave logon, emrin dhe të gjitha atributet e një klubi profesionist dhe për më tepër kishte një histori në Shqipëri dhe në Europë, me shumë trofe të fituar, me akademi dhe me lojtarë të mëdhenj që kishte nxjerrë klubi. Ndaj UEFA nuk ua miratoi ndryshimin e emrit. Sipas dinamovitëve veteranë dhe tifozëve të thekur dinamovitë, as këtë herë UEFA nuk do të pranojë ndryshimin e emrit që është bërë në kundërshtim me të gjitha rregullat e funksionimit të një klubi. Gjithnjë referuar dinamovitëve, shoqatës së tyre dhe tifozëve të ndryshëm, nëse nuk kthehet emri i Dinamos sikurse ishte, do të nisin menjëherë protestat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here