Desar Sulejmani:“Western Balkans Youth Orchestra” nis turin koncertor në Durrës, 65 muzikantë nga 15 shtete koncert në amfiteatër me vepra të gjinisë së valles simfonike

0
62

 “Western Balkans Youth Orchestra” me muzikantë nga 15 shtete nis turin koncertor në Durrës me një koncert në amfiteatër, që vjen me një program të pasur muzikor. Pianisti i njohur Desar Sulejmani është drejtues artistik i orkestrës (Western Balkans Youth Orchestra -WBYO), i cili do të jetë edhe dirigjenti i koncertit me datë 29 korrik. Në intervistën për gazetën “SOT” pianisti dhe dirigjenti Desar Sulejmani tregon për turin koncertor të orkestrës, që bën bashkë muzikantë nga shtete të ndryshme. Ai shprehet se Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra – WBYO) është krijuar si organizatë kulturore në vitin 2019.  Dirigjenti Sulejmani tregon se edhe pse kishin përgatitur programet e para kulturore në fillim të vitit 2020,  u detyruan t’i shtynin ato për shkak të pandemisë botërore të virusit SarS-CoV 2, por fillimet artistike kanë qenë në fundin e vitit 2020, duke vazhduar më pas me projekte. Dirigjenti Desar Sulejmani shprehet se për koncertin që do të zhvillohet mbrëmjen e 29 korrikut në amfiteatrin e Durrësit është menduar një program i pasur muzikor për publikun. Sipas tij do jenë valle simfonike mjaft popullore nga kompozitorë të njohur botërorë. Dirigjenti Desar Sulejmani, një nga artistët me një aktivitet të vlerësuar artistik tregon se qëllimi i përbashkët në “WBYO” është që të krijojnë një institucion kulturor të qëndrueshëm e mbi të gjitha me një nivel të lartë artistik, i konkurueshëm me projekte të ngjashme evropiane.

-Jeni drejtor artistik i Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor. Kur është krijuar orkestra dhe çfarë synon me aktivitetin e saj artistik?

Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra -WBYO) është krijuar si organizatë kulturore me qendër në Prishtinë në vitin 2019. Edhe pse kishim përgatitur programet e para kulturore në fillim të vitit 2020, ne u detyruam t’i shtynim ato për shkak të pandemisë botërore të virusit SarS-CoV 2. Ndërkohë fillimet tona artistike kanë qenë në fundin e vitit 2020, duke vazhduar më pas me projekte të zgjeruar koncertale në vjeshtën e vitit 2021, majin dhe verën e vitit 2023, sikurse tani në korrik-gushtin e 2023. Qëllimi kryesor i “WBYO” është të bashkojë instrumentistët e rinj më të mirë posaçërisht nga Ballkani Perëndimor, por edhe nga shtete të tjera evropiane, siç edhe po ndodh tani në Durrës.

-Ju do zhvilloni një tur artistik, që nis nga Durrësi dhe vijon edhe në disa qytete të shteteve të tjera. Çfarë keni menduar për t’i përcjellë publikut në programin tuaj muzikor dhe sa zgjat turi koncertal i “Western Balkans Youth Orchestra -WBYO” këtë verë?

 Turi koncertal i verës 2023 të “WBYO” do të zhvillohet nën moton ( Western Balkans go Dance -Ballkani Perëndimor që kërcen) dhe bazohet në idenë e fuqizimit e njohjes së publikut me valle të njohura simfonike nga literatura botërore, por edhe duke inkurajuar promovimin e vlerave të reja kompozicionale nga Ballkani Perëndimor. Pjesë e programit tonë koncertal janë vepra nga kompozitorë të njohur botërorë si Johannes Brahms, Zoltan Kodály, Arturo Marquez, Dmitri Shostakovich, ndërkohë që do të prezantojmë në koncertet tona edhe dy premiera botërore të kompozitorëve Lazar Djordjevic (Serbi) dhe Drinor Zymberi (Kosovë). Gjithashtu ne kemi shpallur edhe dy pjesë të tjera fituese nga konkursi i kompozitorëve të rinj nga Ballkani Perëndimor, përkatësisht Jetmir Zaganjori (Shqipëri) dhe Angel Spirovski (Maqedonia e Veriut). Pjesët e tyre do të prezantohen në projekte të “Western Balkans Youth Orchestra- WBYO”. Turi ynë koncertal fillon me datën 29 korrik 2029, ora 21:00 te amfiteatri romak në Durrës e vazhdon drejt Tetovës, Prishtinës, Sarajevës, Kotorit Novi Sadit, Berlin-it e Essen-it e zgjat deri më datë 14 gusht 2023.

-Nëse flasim për koncertin në Durrës tek amfiteatri, çfarë mund të na thoni diçka më shumë mbi përzgjedhjen e veprave, autorët, etj?

Në koncertin e Durrësit 65 muzikantët e “WBYO” nga 15 shtete të ndryshme evropiane do të prezantojnë vepra mjaft popullore të gjinisë së valles simfonike. Ky program është mjaft tërheqës, me melodi të shumta e të njohura për publikun, por që përmban edhe plot surpriza të tjera, të cilat mund të zbulohen, duke u bërë pjesë e koncertit tonë në Durrës. Ne premtojmë një koncert me atmosferë magjike në amfiteatrin romak në Durrës, tinguj muzikor shumë tërheqës e mbi të gjitha një energji rinore të padëgjuar ndonjëherë në Shqipëri.

-Ju zhvilloni aktivitetin tuaj artistik jashtë Shqipërisë, këtë kohë ku jeni i fokusuar apo vetëm me turin me orkestrën?

Projekti i “Western Balkans Youth Orchestra” (WBYO) është një projekt i rëndësishëm në jetën time artistike, i cili padyshim merr një kohë të konsiderueshme përgjatë zhvillimit të tij. Përpos jetës artistike si dirigjent e pianist, asaj pedagogjike si drejtues i departamentit të instrumenteve me tastierë në Essen dhe ligjëratave që mbaj në Universitetin Folkwang në Essen, tani në verë merrem kryesisht me mbarëvajtjen e organizimit të tureve koncertale të “Western Balkans Youth Orchestra -WBYO”, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por mbi të gjitha jashtë tij. Qëllimi i përbashkët është që të krijojmë një institucion kulturor të qëndrueshëm e mbi të gjitha me një nivel të lartë artistik, i konkurueshëm me projekte të ngjashme evropiane. Matja e forcave tona artistike bëhet me simotrat e “WBYO” në Evropë e më gjerë.

Intervistoi: Julia Vrapi

Zhvillimi i koncertit

65 muzikantë të rinj nga 15 shtete të ndryshme evropiane si Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rusia, Serbia, Shqipëria, Spanja & Turqia. Drejtimi artistik i orkestrës (Western Balkans Youth Orchestra -WBYO) është në duart e pianistit e dirigjentit me origjinë nga Shkodra, Desar Sulejmani, i cili do të jetë edhe dirigjenti i koncertit të orkestrës me datën 29 korrik në amfiteatrin romak, ora 21:00, Durrës. Pjesë e programit koncertal do jenë valle simfonike mjaft popullore nga kompozitorë të njohur si Johannes Brahms (Valle Hungareze), Aram Khatchaturian (pjesë të zgjedhura nga baletet Gayaneh, Spartaku dhe muzika për dramë Masquerade), Zoltan Kodaly (Vallet nga Galanta) si dhe Arturo Marquez (Danzon Nr. 2). Koncerti i “Western Balkans Youth Orchestra” zhvillohet nën patronazhin e Ambasadores së zyrës së BE në Shqipëri, znj. Christiane Hohmann si dhe mbështetet nga Ambasada Gjermane në Tiranë, Goethe Zentrum Tirana si dhe nga Bashkia e Durrësit, Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”, si dhe Shkolla e Mesme Artistike “Jan Kukuzeli”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here