Hapet “Kutia e Pandorës” për Sali Berishën, Fatos Klosi paralajmëron lajme tronditëse: Ja si i spastroi nga SHISH dosjet sekrete për veten dhe për disa nga njerëzit e tij

0
145

Ish-Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi ka komentuar për herë të parë dokumentin e deklasifikuar së fundmi nga shërbimi sekret amerikan (CIA), i cili konfirmoi hapur se në vitin 1995, presidenti shqiptar asokohe, Sali Berisha ishte kundër thirrjeve për pavarësi të Kosovës. Prej vitesh në adresë të ish-kryeministrit Berisha janë hedhur akuza të forta, për shkak se kur ishte në pushtet dhe në pabesi të plotë, theu embargon e naftës që kishin vendosur aleatët të kryesuara nga SHBA-BE dhe furnizoi Serbinë që asokohe drejtohej nga tirani Sllobodan Millovsheviç, ushtri e së cilës masakroi vëllezërit dhe motrat tona Kosovare. Por teksa Berisha në mënyrën më hipokrite është përpjekur të mohojë akuzat dhe të shfaqet si patriot që i do të mirën Kosovës dhe popullit të saj, amerikanët e kanë nxjerrë atë zbuluar. Për Fatos Klosin ky nuk do të jetë dokumenti i fundit që do të publikohet për krimet e Berishës. Ai shprehet në një intervistë televizive se kur ka shkuar në drejtimin e SHISH në atë periudhë mungonin shumë gjëra. Sipas tij Berisha bëri shumë pastrime. Klosi thotë se Berisha i hoqi disa dokumente për atë vetë dhe për disa nga njerëzit e tij.

-Zoti Klosi, një dokument i shërbimit sekret amerikan CIA tregon se Sali Berisha nuk donte pavarësinë e Kosovës. Në dokument nënvizohet se në prag fushate Sali Berisha ashpërsoi qëndrimet për çështjet etnike duke e përdorur kartën nacionaliste për të mundur kundërshtarët socialistë, keni një koment?

Nuk habitem sepse ne e kemi ditur me kohë. Ne e dinim gjatë luftës kush ishte opinioni i CIA dhe qëndrimet që ata kishin për aktivitetin e tij. Që Berisha ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës është e vjetër dhe më vjen mirë që CIA mundi t’i hapë letrat e saja aq sa mund të hap. Ai ka filluar që me shkeljen e embargos dhe është përdorur Kosova si argument për ta justifikuar gjoja për ti çuar naftë Kosovës që të ngroheshin kosovarët, ndërkohë që Serbia luftonte me të gjitha ish-shtetet e Jugosllavisë dhe i duhej karburant sepse i ishte vendosur embargo. E dyta që ne na ka bërë përshtypje po ashtu edhe amerikanëve është që në Shqipëri që ishte Berisha president erdhi një grup luftarakësh kosovarë për luftë kundër Serbisë, nuk ishte krijuar akoma UÇK, erdhën dhe bënë stërvitje dhe fatkeqësisht familjeve të tyre, pjesa më e madhe e tyre, u arrestuan sapo u futën në Kosovë. Ishte koha që u bë një stërvitje e tyre që gjoja po ndihmoheshin dhe u mor vesh se kush ishin këta njerëz. Sigurisht që u shitën. Në shtypin ndërkombëtar në atë kohë u hodh ideja se UCK ishte një organizatë terroriste dhe Berisha e përkrahi këtë sepse kishte idenë se UCK vinte nga një grup i LDK që ishte ekstremist të majtë mbase dhe për arsye të tjera. Pastaj erdhi Rambujeja këtu u shfaq hapur qëndrimi i tij duke mos i lejuar njerëzit që të firmosnin që dihej se pse po bëhej ajo që të kishte një marrëveshje mes serbëve dhe kosovarëve nën kupolën ndërkombëtare.

-Në raport thuhet se kur Berisha ishte president i ka kërkuar Ibrahim Rrugovës që ti bashkoj protestës së serbeve të asaj kohe dhe i ka ndërprerë marrëdhëniet?

Kjo dihet, marrëdhëniet me Rrugovën kanë qenë problematike dhe detyra e tij nuk ishte që ti acaronte marrëdhëniet, ai ka qenë në anën negative të mbështetjes së pavarësisë së Kosovës. Berisha e ka përdoru patriotizmin se i duhej. Kosovarët e quajnë shteti amë Shqipërinë dhe shohin një shpresë. Por Berisha gjithmonë e ka luajtur  kartën e patriotizmit. Lufta e Kosovës ka qenë një luftë e rëndësishme për rajonin dhe amerikanët kanë qenë shumë të interesuar për këtë rajon dhe tani duan të na ndihmojnë të gjithëve Kosovën më së shumti me problemet që ka por edhe neve sepse duan që aleatët e tyre duan që të jenë shtete pa probleme.

-Ka pasur interes Berisha për të penguar pavarësinë e Kosovës sepse është folur se ka bashkëpunuar me ish-Jugosllavisë me shërbimet sekrete atje?

Unë nuk e them dot këtë, pavarësisht se shumë herë ma kanë vënë në gojë edhe faktin që gjoja  Berisha paska qenë agjent i dyfishtë edhe i sigurimit të shtetit edhe i Serbisë dhe unë se kam thënë kurrë këtë. Për sigurimin e shtetit dokumente skam parë për oficer më kanë thënë që po për Serbinë nuk di gjë. Njerëzit çmohen nga veprat dhe ato tregojnë se nuk ka qenë dashamirës, ka qenë në shërbim të serbëve, mbase. Atëherë Berisha ishte edhe president edhe kryeministër dhe ai e ka pasur nën hyqëm SHISH dhe kur unë shkova atje mungonin shumë gjëra, janë bërë shumë pastrime. Shumë dokumente u hoqën dhe për mua kjo është e gabuar. Unë jam i sigurt se Berisha i hoqi disa dokumente për atë vetë dhe për disa nga njerëzit e tij.

-Mendoni se pas hapjes së këtij dokumenti  do të hapen edhe të tjera, por mendoni se Berisha ka shërbyer si një faktor destabilizues?

Mendoj se po do të hapen edhe të tjera sigurisht. Kur e shpallën non grata ata thanë se ka minuar demokracinë  që ishin akuza akoma më të rënda.  Dhe që një personazh historikë në këtë vend duhet që nga drejtësia shqiptare të kërkonte prova.

A ka më fuqi Berisha për të shërbyer si faktor?

Këtë e treguan edhe zgjedhjet e fundit sepse populli nuk i beson më. Në PD ka njerëz që e besojnë sepse fal tij kanë arritur diëka por nuk mjaftojnë këto vota. Ajo pjesë e elektoratit gri janë larguar nga Berisha. Deklarata e CIA do bëjë punën  e vet, ai i ka hapur luftë Amerikës dhe pret me shpresë se do të vijnë republikanët në pushtet me idenë se ata janë miqtë e tij. Ata thonë opinion dhe nuk japin prova. Skanë asnjë detyrim që të japin prova ata e kanë dënuar është drejtësia shqiptare ajo që nëse do mund ta dënoj dhe ti tregojë  edhe vendit tonë se për këtë politikan kanë këtë opinion.

-Mendoni se drejtësia do të veprojë ndaj Berishës?

Unë them se duhet që të veprojë. A ka gjasa shpresojë që po drejtësia duhet të bëjë punë  e saj, është detyrë e tyre. SHBA është aleati ynë që na kanë ndihmuar dhe një aleat i rëndësishëm bën këtë deklaratë është detyrë e sistemit të drejtësisë që të bëjë punën e vet. Berisha nuk ka pasur asnjëherë asnjë kod moral dhe etikë. Është fatkeqësi që e mori ai në dorë ndryshimin e sistemeve që ishin vitet më të rëndësishme e bëri politikën shqiptare shumë të acaruar dhe ky është faji më i madh i tij. Do doja që sistemi i drejtësisë të merret me fakte që të dimë të  vërtetën, unë nuk e dua Berishën e kam thënë hapur, jo se kam diçka me të por sepse e di se kush është.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here