Redon Xhixha fiton “Topin e Artë” për vitin 2022, tek femrat e merr Megi Doçi

0
133

“Më të mirët e 2022”, nxori mbrëmë nëpërmjet një ceremonie gala, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në TKOB, lojtarët më të mirë të futbollit për vitin që lamë pas. Në fakt, ndryshe nga herët e tjera, ceremonia e mbrëmshme pati ndjesi të veçantë sepse e nderuan ministrja e sportit Evis Kushi etj, por mungoi kryeministri Edi Rama. U dhanë çmimet për më të mirët, si lojtarë, trajnerë e arbitra. ?mimin e trajnerit më të mirë e mori Orges Shehi, që fitoi ndaj rivalëve Josa e Duro. Për arbitrin më të mirë u zgjodh 32-vjeçari Juxhin Xhaja. Një çmim i veçantë iu dha skuadrës së Vllaznisë për femra që shkroi histori duke u futur në fazën e grupeve (16-she) të Champions League.

Xhixha, më i miri i Superiores

Redon Xhixha shpallet futbollisti më i mirë i vitit 2022. Në një ceremoni gala të organizuar në Tiranë, sulmuesi i Tiranës, i larguar pak ditë më parë drejt Karabagut në Azerbajxhan, u votua nga kapitenët dhe trajnerët e skuadrave si lojtari më i mirë dhe kështu iu dha “Topi i Artë” i Superiores për vitin që lamë pas. 24-vjeçari ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm që formacionit të Tiranës, duke kontribuar maksimalisht me golat e tij në fitimin e titullit kampion. Në vitin 2022, Xhixha shënoi 23 gola në kampionat, kupë dhe ndeshjet ndërkombëtare, po aq sa dhe Xhuljano Skuka, i cili u rendit i dyti nga votat e marra, ndërkohë në vendin e tretë u rendit Mentor Mazrekaj i Laçit. Nga Azerbajxhani, në pamundësi për të qenë në Tiranë, 24-vjeçari është shprehur shumë i lumtur për këtë çmim prestigjoz. “Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, deklaroi Xhixha.

Megi Doçi, “Topi i Artë” në futbollin e femrave

Futbollistja Megi Doçi mori “Topin e Artë” për femra , një vlerësim i merituar për atë që bëri me Vllazinë në kampionat dhe UEFA Champions League. “Ndihem e emocionuar, pasi është e veçantë që shpërblehet puna e vazhdueshme ndër vite. Një falënderim i veçantë për trajnerët dhe kapitenët që më votuan për këtë çmim. Sigurisht dhe një falënderim për shoqet e ekipit që shkëlqyen në Champions. Falënderimet janë të shumta dhe nuk dua të lë pa përmendur dhe presidentin Armando Duka që i ka qëndruar afër këtij sporti”, tha Doçi.

11-shja më e mirë, dominon Tirana e Partizani

Në 11-shin më të mirë të vitit dominojnë lojtarët e Tiranës dhe të Partizanit, nga 4 secila. Më pas Vllaznia me 2 e Laçi me 1, të gjithë të merituar për atë që dhanë në fushën e lojës jatë vitit të kaluar. Visar Bekaj u zgjodh portieri më i mirë. Në mbrojtje u zgjodhën Hakaj, Gurishta, Bitri dhe Najdovski. Në mesfushë Masanga, Matodo e Rrapaj, Mazrekaj. Ndërkohë, në sulm u zgjodhën Skuka, Xhixha e Seferi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here