Mediat serbe të Vuçiçit jehonë Ramës për “kurvërinë e karmës”, lavdërojnë kryeministrin shqiptar si hero serb kundër BE

0
99

“Karma është një kur**”, deklarata e fortë e Kryeministrit Edi Rama drejtuar Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola, ka tërhequr vëmendjen edhe në Serbi. “Blic”, një media e orientuar fort nga presidenti Aleksandër Vuçiç i ka bërë jehonë sulmit të kreut të qeverisë shqiptare ndaj Bashkimit Evropian. Që në titull media serbe shkruan me një kënaqësi të madhe për deklaratën e tij duke shkruar se “Edi Rama vuri në dukje hipokrizinë e BE-së në Davos, ‘adresa’ kryesore e tij ishte kryetari i Parlamentit Europian”.  Në sytë e tyre kryeministri shfaqet si hero serb kundër BE, pasi Rama qëndroi në të njëjtën linjë me presidentin Vuçiç. Lideri serb tha se Serbia nuk është më entuziaste për anëtarësimin në BE. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Vuçiç tha: “Ne nuk jemi aq entuziastë sa kemi qenë, në një mënyrë që Bashkimi Evropian nuk është aq entuziast për ne sa mendonim se ishte”. Por të gjithë e dimë që ky qëndrim ka të bëjë me 2 kushtet e forta që i kanë vendosur ndërkombëtarët Beogradit. Sanksione ndaj Rusisë dhe njohja e Kosovës. Vuçiç ka dalë totalisht kundër dhe sulmet e Ramës ndaj BE i shtojnë edhe më shumë “oreksin” për të reaguar sa më fort ndaj Perëndimit.

Shkrimi i “Blic” për deklaratën e Ramës

“Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha Presidentes së Parlamentit Europian (PE) Roberta Metsola se “Karma është kurvë”, duke iu referuar skandalit të madh korrupsioni që tronditi institucionin javët e fundit. Duke lënë të kuptohet hipokrizinë e korrupsionit nga vendet tashmë në klub dhe vetë Parlamenti Evropian, Rama sugjeroi se BE-ja tani po kërkon standarde më të larta nga anëtarët e mundshëm (si Shqipëria) sesa anëtarët e saj. “Më shumë se gjysma e vendeve të BE-së nuk do të mund të hyjnë më në BE. Nuk po flas për ish-komunistët. E kam fjalën edhe për themeluesit, më besoni”, tha Rama. Parlamenti Evropian ka qenë në qendër të një hetimi të gjerë nëse qeveritë e huaja, përfshirë Katarin dhe Marokun, kanë ndikuar ilegalisht në punën e tij. Ish-nënkryetari i parlamentit të PE, një ish-deputet i PE, një asistent parlamentar dhe kreu i një OJQ-je u përfshinë në hetim, i cili hodhi një dritë të ashpër mbi procedurat e institucionit për trajtimin e konflikteve të mundshme të interesit. Rama tha se procesi i pranimit për vendet kandidate ishte i ndryshëm nga kur vende si Malta, vendi i Metsolës, u bënë anëtarë të bllokut, duke thënë se ishte bërë “tepër neurotike dhe e padrejtë”. Shqipëria renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Më pas Metsola tha se parlamenti “ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht pozitiv kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së, sepse shumë prej nesh e mbajnë mend kur u anëtarësuam”. Por ndërsa Rama tha se vendi i tij po mësonte nga BE-ja se si të ndërtonte institucione demokratike, ai ende ndjeu se BE do të merrte dënimin që meritonte. “Kur doli ky rast korrupsioni. Unë thashë: karma është kurvë”, tha ai.

Lidhjet e Ramës me Vuçiç

“Blic” e ka shoqëruar shkrimin edhe me një foto të Ramës dhe Vuçiçit. Të gjithë i dimë lidhjet e forta të dy liderëve. Teksa Perëndimi po përpiqet të izolojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç pas mbështetjes së fuqishme që po i jep Vladimir Putinit, kryeministri Edi Rama nga ana tjetër vazhdon të forcojë lidhjet me Serbinë. Brukseli ka humbur durimin me Beogradin, ku ka hedhur idenë që të ndalet procesi i pranimit të Serbisë në BE. Në këtë mes e pëson i gjithë Ballkani Perëndimor, veçanërisht Edi Rama, si politikani që vazhdon të mbrojë Vuçiçin duke i bërë thirrje shpesh së fundmi Perëndimit që të mos e detyrojnë të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, mediat serbe po pasqyrojnë çdo ditë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të dy liderëve. “Unë jam vëllai i Vuçiçit”, tha në fund të korrikut të vitit 2022 kryeministri Edi Rama, duke theksuar se nuk dëshiron të ndërhyjë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here