Presidenti rus Vladimir Putin festoi ditëlindjen e tij të 70-të të premten në mes të pushtimit të tij të dështuar të Ukrainës. Miqtë e rrallë të Putinit në skenën ndërkombëtare i dërguan presidentit rus dhuratat dhe urimet e tyre. Në ditëlindjen e tij, ai ka pranuar një dhuratë të pazakontë nga lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Ndërsa liderët e disa shteteve ish-sovjetike u takuan në St. Petersburg, Lukashkenko i dhuroi Putinit një certifikatë të dhuratës, që ishte një traktor. Që nga koha sovjetike, traktorët kanë qenë krenaria e industrisë së Bjellorusisë. Lukashenko, një lider autokrat i cili drejton kombin me një grusht të hekurt për gati tre dekada, tha se ai në kopshtin e tij përdor një model të ngjashëm traktori, me atë që i dhuroi Putinit. Dhurata të pazakonta Sipas “Yahoo News”, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon i dhuroi Putinit piramidat e bëra me pjepër dhe shalqi. Edhe aktori Steven Seagal, i cili mori nënshtetësinë ruse në vitin 2017, dhe vitin e ardhshëm u bë i dërguar special për përmirësimin e lidhjeve mes Moskës dhe Uashingtonit, nuk e harroi ditëlindjen e Putinit. Sigal i dërgoi Putinit një mesazh për ditëlindjen, raportoi “Independent”. “Unë mendoj se ne jetojmë në kohë shumë, shumë të vështira tani. Ai është një nga liderët më të mëdhenj botërorë dhe një nga presidentët më të mëdhenj në botë. Unë me të vërtetë shpresoj dhe lutem që ai të marrë mbështetjen, dashurinë dhe respektin që i nevojitet. Dhe se të gjitha problemet që po ndodhin tani do të marrin fund së shpejti dhe ne do të jetojmë në një botë paqeje”, tha Sigal, duke e quajtur ditëlindjen e Putinit “një ditë shumë të rëndësishme” në një video në “Instagram”. Sigal festoi ditëlindjen e tij të 70-të gjysmë viti më parë në një darkë në Moskë. “Ju dua të gjithëve dhe qëndrojmë bashkë, në të gjitha vështirësitë”, tha ai më tej. Ukrainasit gjithashtu “uruan” Putinin për ditëlindjen e tij me një video të shpërthimit në urën e Krimesë dhe këngën “Happy Birthday” të interpretuar nga Marilyn Monroe në një postim të publikuar nga zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov, duke thënë: “Mirëmëngjes, Ukrainë.” Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, deklaroi në “Tëitter” se “maniaku gjakatar po feston 70-vjetorin e lindjes në pallat duke marrë dhurata dhe urime”. “Ai ka vrarë mijëra, ka shkatërruar miliona jetë dhe dëshiron të vrasë më shumë. Çfarë do të donit për të?”, pyeti ai. Gazetari i “Wall Street Journal” në Ukrainë, Matthew Luxmur, shkroi në “Tëitter” se një nga fjalimet më mbresëlënëse që ka dëgjuar që nga shkurti ishte fjalimi i ministrit ukrainas të mbrojtjes drejtuar ushtarëve rusë në ditëlindjen e Putinit. “Presidenti ynë po viziton vijën e frontit. Ai është me ushtrinë e tij. Dhe ku është e juaja?”, tha Luxmur fjalët e tij. Basti i gabuar i Putinit Edhe pse mbushi 70 vjeç, pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, e tronditi deri në themel regjimin e Putinit dhe vendimi i fundit për të nisur një mobilizim “të pjesshëm” për të furnizuar me trupa të reja ushtrisë së përgjakur ruse, ka shkaktuar protesta në të gjithë vendin dhe qindra mijëra qytetarë të ikur, duke përfshirë disa nga profesionistët më të mirë të arsimuar dhe të trajnuar në vend. Putini e ka ndërtuar imazhin e tij si president i suksesshëm mbi sukseset ushtarake dhe rikthimin e Rusisë në madhështinë e së kaluarës. Tani që humbjet ushtarake dhe izolimi ndërkombëtar hedhin dyshime mbi këto rezultate, çarjet në kështjellën e Putinit po shumohen. Duma, parlamenti rus, ka filluar të diskutojë mundësinë e shkarkimit të shefit të shtabit të ushtrisë Valery Gerasimov. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tani sulmohet hapur nga ekspertë ushtarakë, të ftuar në emisione bisedash dhe madje edhe nga zyrtarë të regjimit. Tani për tani, në një dinamikë klasike regjimesh autoritare, kërkimi i fajtorëve të kësaj fatkeqësie, përqendrohet te “këshilltarët e këqij të Carit”. Por në një regjim autokratik, ku çdo vendim kalon nga lideri suprem, është një ushtrim retorik. Të gjithë e dinë mirë se kush mban përgjegjësinë më të madhe për fatkeqësinë që ka goditur vendin.








































