Zbulohet informacioni sekret i inteligjencës, si vendosi Biden të vriste terroristin më të kërkuar të botës

0
63

Para se të jepte urdhrin për të vrarë Ayman al-Zawahirin, presidenti Joe Biden donte të kuptonte saktë se ku fshihej lideri i Al Kaedas.

Sulmi me dron i SHBA-së që vrau Zawahirin në ballkonin e tij në qendër të Kabulit ishte produkt i disa muajve të planifikimeve tejet sekrete nga Biden dhe nga rrethi i ngushtë i këshilltarëve më të lartë të tij.

Ndër përgatitjet që u kryen ishte edhe modeli për vrasjen e tij në shkallët e vogla të shtëpisë së sigurt të Zawahirit, i cili u hartua nga zyrtarë të inteligjencës dhe u prezantua brenda Shtëpisë së Bardhë para Bidenit për ta shqyrtuar derisa debatonte për opsionet, shkruan CNN.

Për Bidenin, mundësia për ta hequr qafe terroristin më të kërkuar të botës, njërin nga organizatorët e sulmeve të 11 shtatorit 2001, bartte plot rreziqe për vrasjen aksidentale të civilëve në kryeqytetin afgan – ashtu siç ndodhi me një sulm tjetër të SHBA-së me dron 11 muaj më parë gjatë tërheqjes kaotike të ushtrisë amerikane nga vendi.

Detajet e sulmit dhe planifikimit të tij u zbuluan nga një zyrtar i lartë i administratës, ndërsa Biden po përgatitej të njoftonte për të.

Gjatë gjithë përpjekjeve disamujore për të planifikuar sulmin e kësaj fundjave, Biden në mënyrë të vazhdueshme i ka porositur zyrtarët e tij të sigurojnë që civilët, përfshirë anëtarët e familjes së Zawahirit, që të mos vriteshin. Asnjë prej tyre nuk ishte, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Biden, i cili ishte i izoluar për shkak të infektimit me Covid-19 gjatë diskutimeve përfundimtare dhe autorizimit të sulmit, doli për ta shpallë këtë sukses në një ballkon të Shtëpisë së Bardhë të hënën.

Ishte një moment fitoreje për një President i cili është rrethuar nga problemet e brendshme politike që shtrihen deri në tërheqjen vdekjeprurëse të Afganistanit një vit më parë.

Biden u informua për herë të parë në prill nga një raport i inteligjencës amerikane që tregonte për Zawahirin se jetonte në një shtëpi të sigurt në Kabul. Zyrtarët amerikanë kishin qenë në dijeni të një rrjeti që mbështeste liderin terrorist në kryeqytetin afgan prej muajsh dhe kishin arritur të identifikonin gruan, vajzën dhe fëmijët e saj përmes mënyrave të shumta të inteligjencës.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj