Muaji i kinematografisë, “Përrallë nga e kaluara” një nga filmat komedi më të bukur

0
51

Filmi “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti është prodhim i vitit 1987. Në muajin e kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka publikuar një material kushtuar këtij prodhimi kinematografik dekada më parë. AQSHF shprehet për vlerësimet që kanë marrë edhe aktorët e këtij filmi. “”Përrallë nga e kaluara” 1987. A e dini se: Ky film është mbështetur mbi disa motive të veprës së Çajupit “14 vjeç dhëndër” kur stiset martesa e Gjinos me Marigonë, dhe më pas, skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Anagnostit. Filmi ishte fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin. U nderua me çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar, 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dytë dhe të tretë. Fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990”, thuhet nga AQSHF. Një ditë më parë për filmin u shpreh edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. “”Përrallë nga e kaluara”, 1987, me regji të Dhimitër Anagnostit, mbështetur mbi veprën e Andon Z. Çajupit, një nga filmat-komedi më të bukur në kinematografinë shqiptare!”, shkruante Margariti. Regjia dhe skenari Dhimitër Anagnosti, muzika Limos Dizdari, operator Pëllumb Kallfa. Producent Kinostudio Shqipëria e Re. Aktorë në role Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Teli Stefani, Mimika Luca, Medi Malkaj, Zef Mosi, Baftjar Cena. Filmi tregon historinë e martesës së Gjinos 14 vjeçar me Marigonë 20 vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton dashurinë dhe jetën e saj. Dhimitër Anagnosti në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë, filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj