Mëngjesin e ditës së sotme, kryeminsitri i vendit ka bërë ndryshime në qeveri. Rama ka shkarkuar nga detyra Zef Mazin teksa ka emëruar kryenegociatore dhe ministre shteti pranë kryeministrit Majlinda Dhukën.
“Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit” njofton Rama.
Majlinda Dhuka është juriste me një eksperiencë rreth 20 vjeçare në sektorin publik dhe në angazhimin si lektore në universitete. Ekspertiza e saj fokusohet në çështjet e zhvillimit dhe rritjes, planifikimit dhe menaxhimit strategjik, projektet, financimet, investimet etj.
Por, kush është Majlinda Dhuka?
Dhuka njihet si bashkëpunëtore e kryeministrit Edi Rama që kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës. Së fundmi ajo ka mbajtur poste të rëndësishme në Kryeministri.
Dhuka është e bija e Foto Dhukës, ish-minister i Industrise e Tregtise në qeverinë e Pajtimit Kombëtar më 1997.
Majlinda Dhuka prej vitesh është pedagoge në një universitet privat me profil ekonomik.

Ajo më herët ka mbajtur dhe postin si drejtorja për Politikat e Zhvillimit dhe Financimet e Ndihmës së Huaj në Kryeministri.







































