Google search engine
Home Politike Ministrja e Bujqësisë etalon i paaftësisë, fermerët në Lushnjë nuk janë rimbursuar...

Ministrja e Bujqësisë etalon i paaftësisë, fermerët në Lushnjë nuk janë rimbursuar për naftën, Erion Brace denoncon skandalin

0
174

Deputeti socialist, Erion Braçe reagoi për rritjen e çmimit të naftës para dy ditësh me 30% duke arritur vlerën 248 lekë për litër. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, deputeti i mazhorancës në qarkun e Fierit publikoi dhe shifrat e tregtimit të naftës në bursën ndërkombëtare, e cila rezulton të jetë reduktuar nga 120 dollarë/fuçi në 112-113 dollarë/fuçi. Në formë ironie, Braçe i drejtohet Bordit të Transparencës që përcakton çmimet e lëndëve djegëse që prej nisjes së krizës botërore të çmimeve të lëndëve djegëse për shkak të luftës së Ukrainës, se po shet naftën bazuar në bursë jo në rezervat. “Nafta tani nga 120 dollarë/fuçi më 31 maj në 112-113 dollarë/fuçi tani. Meqë po shisni me 248 lekë/litër, jo për gjë tjetër. Se po shisni sipas bursës apo jo, jo sipas rezervave të rafinerive e sipas rezervave tuaja kur blini rafineritë. Apo jo?”, komentin ish-zv/kryeministri për rritjen e radhës së çmimit të naftës në Shqipëri. Shqipëria pritet të arrijë sërish çmimin rekord 260 lekë/litër për naftën në muajin mars.
Braçe thumbon Krifcën: Gruri mbillet në tetor
Një tjetër shqetësim që vazhdimisht përmend Braçe është furnizimi i fermerëve me naftë për të korrur prodhimet bujqësore. Në një tjetër status po dje në rrjetet sociale, deputeti i Lushnjes publikoi thirrjet e fermerëve në Çermë, Tërbuf dhe Bashtovë për të marrë naftë
 pasi duhet të korrin grurin, të vadisin tokat me misër etj. Braçe shton se qeveria duhej të kishte dëgjuar thirrjet e tij dhe të fermerëve për t’u ndihmuar nga shteti që në janar. Në fund, ai e mbyll statusin e tij duke thumbuar ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit, Rural Frida Krifcën se gruri është mbjellë në tetor. “Duam naftën. Dita hapet kështu, thjesht. Mbyllet po kaq thjeshtë. A do marrim naftën? Kur? Po vjen korrja e grurit. ‘Me çfarë do e korrim e me çfarë çmimi?’, pyesin në Çermë. ‘Misri do ujë, me çfarë do e vadisim e me çfarë çmimi?’, pyesin në Tërbuf.  ‘Do na e jepni apo jo naftën?’, pyesin në Bashtovë, përballë. Po të kishin dëgjuar përgjegjësit në janar, tani njerëzit nuk do lodheshin duke pritur, po do korrnin, vilnin e vadisnin në fusha! Aaa po, nuk dëgjon veç ai që ka veshë. Duhen më shumë se veshët për të dëgjuar. Në foto, gruri i mbjellë në tetor që të mos ngatërrohemi”, publikon statusin tjetër Erion Braçe. Deputeti i mazhorancës nuk u ndal sërish në mbrojtje të fermerëve duke publikuar rastin e Lufti Kasmit në Sulzotaj të Divjakës, i cili ka kultivuar i vetëm grurin, jonxhën, misrin dhe shalqiun pa marrë asnjë ndihëm financiare nga shteti. Braçe la të kuptohej se qeveria ende nuk po zbaton politika në ndihmë të fermerëve për kultivimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore. “Tek Lufti Kasmi në Sulzotaj të Divjakës. Kontroll cilësie, shiheni vetë! Lufti Kasmi është një djalë i ri që merret me bujqësi, merret fort me bujqësi. I ka të gjitha grurë, jonxhë, misër, shalqi; këtë të hershmin se do ta mbjellë përsëri të vonin. Të gjitha i ka bërë vetë në tokat e tij e tokat me qera. Të gjitha kostot i ka paguar vetë për çdo prodhim të tij”, mbyll mesazhin e tij në Facebook deputeti socialist  Erion Braçe.
Krifca: Mbillni grurë, Braçe e korrigjon: Në mars plehërohet
Në 5 mars, ministrja Krifca u takua me disa fermerë në fshatin Katund i Ri në Durrës. Ajo bëri me dije se Shqipëria e ka të pamundur të importojë grurë nga Rusia për shkak të vendosjes së embargos ndaj Moskës në shenjë penalizmi për nisjen e luftës në Ukrainë. Në këtë situatë, ajo u bëri thirrje fermerëve që të kultivojnë vetë grurin, elbin dhe misrin. “Aktualisht nga Rusia nuk mund të importojmë më. Kjo sigurisht është një mundësi për prodhuesit vendorë që të fokusohen te gruri, kështu që përpunuesit të mund të marrin grurin, elbin dhe misrin e prodhuar në vend, që tashmë vjen me një cilësi gjithnjë e më të mirë”, shprehej Krifca përpara 3 muajve. 4 ditë më pas, deputeti i Lushnjes, Erion Braçe kritikoi ministren për pasaktësi duke i përmendur se gruri mbillet në tetor, jo në mars dhe se në mars ka nevojë të plehërohet. “Nuk mbillet gruri në mars, ministre! Nuk mbillet! Tani ka nevojë për pleh ai grurë që është mbjellë. Ua jep dot? Për mbjelljet duhet dëgjuar më herët. Fjala bie në fund tetori. Unë dhe ju kemi qenë përballë e unë kam thënë çfarë dëgjon dhe njëherë. Ja ku e keni, mbase vlen për misrin se gruri iku tani e varësia u thellua”, komentonte Braçe në 9 mars.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here