“U futëm në zyrën e kryeministrit më të fuqishëm italian, na shoqëronte ambasadori”, ish-deputeti rrëfen kujtimet e tij me Azem Hajdarin, tregon çfarë i ka ndodhur pas vizitës në shtëpinë e demokratit të ndjerë: Nuk është pa shije ky skuthi

0
235

Ish-deputeti demokrat Mitro Çela ka publikuar një pjesë të kujtimeve të tij me Azem Hajdatin. Çela kujton vizitën në shtëpinë e Hajdarit, së bashku me Besnik Mustafain dhe tregon si frymëzoi vajza e tij Rudina.

NGA MITRO ÇELA

11.9.2001

AUTOÇENSURË

1.Vajza e Azemit Hajdarit. (Rudina)

Më 10 shtator 1999, shkova në shtëpinë e Azem Hajdarit, së bashku me Besnik Mustafain. Shtëpia është më shumë se një muzeum. Foto. Libra. Kompjuteri. Djali i vogël, që nuk ka mbushur vitin, të kujton më shumë se kushdo babain, sepse edhe emrin e ka Azem. Fatmira kur mendon për shkollën e Kirit në Francë, ëndërron të jetë një Azem i dytë. Po vajza?

Besniku:- Vazhdon të shkruash?

Ajo:- Po.

Besniku:- Kur të mbarosh ndonjë cikël me vjersha, dua t’i lexoj…

Ajo:- Nuk bëj më vjersha. Po shkruaj kujtime për babin…

Ishte një bisedë e thjeshtë, që për një çast më ngacmoi. Por vetëm një çast, sepse duke vështruar disa foto të vjetra, biseda e Besnikut me vajzën e Azemit, më doli nga mendja. Vetëm kur u ktheva në shtëpi truri im u vu në lëvizje.

Si e tha?

Si shkruan?

Çfarë mund të shkruajë një adoleshente!?

Raporti midis vajzës dhe babait…

Eskili… Kompleksi i Edipit… Krimi.

Si e parafytyron  një fëmijë ndëshkimin?

Hapa kompjuterin. Nisa të shkruaj me mendjen tek vogëlushja: Ishte një ëngjëll që më nxiti për të ndjellur kujtimet për Azem Hajdarin…

2.Dilema e autorit

Një pjesë të shënimeve i kam botuar, të shpërndara në kronika të ndryshme. Nuk më pëlqyen të shpërndara, ndaj i bashkova. Shto ujë e shto miell, siç thotë populli dhe  janë bërë nja 100 faqe.

Po  më tej?

Nuk është kaqë e lehtë që ato që shkruan ti botosh në një libër!

Unë do të dëshëroja të “imitoja” librin e Fan Nolit “ Betoveni dhe revolucioni”.

Noli shkruan se Betoveni, më i madhi i muzikantëve që ka nxjerrë bota, ishte i shëmtuar, shurdh, pijanec, qeflli grash, kurnac…

Siç tregon vetë Noli, një kritik i paska thënë:

-Pse duhet  të “pikturosh” antiportretin e  Betovenit? Ai është gjeni…

Noli i është përgjigjur:

-Po të mos kishte Betoveni “antiportertin si muzikant”, ndoshta botës do ti mungonte Sinfonia numër nëntë!…

Pas Dhjetorit ’90 së bashku me Azemin dhe Filip Çakullin kemi ndënjur ditë e netë  të tëra. Kemi shkuar disa herë në Romë dhe Athinë. Jo rrëllë, të tre kemi pirë sa jemi bërë “thumb”!

Pse mund të pijë një Hero si Azemi, mund të më qërtoi një militant?…

Unë, siç dihet, kam dobësi për bjondet edhe pse jam i martuar më një ezmerkë! Kur na kalonte karshi ndonjë bjonde e kolme, mua koka më vinte vërdall si “lule dielli”. Azemi i thoshte Filipit:

-Nuk është pa shije ky skuthi!…

Pse mund të bisedoi për femrat një Hero si Azemi, do të vërë kujen ndonjë demokrat i orëve të para!…

Një burrë i mirë, dy vjet më parë donte të bëntë një libër për Azemin. I thashë se duhet të takonte edhe Arben Imamin, Neritan Cekën, Genc Pollon, Maks Haxhinë a Arben Likën…Ata kanë shumë kujtime të bukura nga jeta e Azemit. “

-Je në vete,- më tha! Ka mundësi një Hero si Azemi të ketë pasur miqësi me “tradhëtarë” të tillë të PD-së! Më vjen shumë keq për këshillën tënde,  zoti Mitro!…

Po unë pse nuk e botoj librin? Fatkeqësia qëndron brenda meje: Pena ime nuk mund të “matet” me kollosin e letrave shqiptare, me Nolin e madh, që të “guxoj” ta përshkruaj Azemin si student i ardhur nga një provincë e largët, si politikan, si tribun, si qytetar, si njeri i zakoshëm, si hero’ si sevdalli…! Ndaj edhe një pjesë e mirë e shënimeve  për Azem Hajdarin “flenë” në kompjuter!…

Presin kur të më “dali lepuri nga barku”, kur të “pushkatoj autoçensurën”, dmth. kur lexuesit të kuptojnë se Herojtë e Demokracisë si Azem Hajdari nuk kanë asgjë të përbashkët me herojtë e realizmit socialit: Të bukur, të gjatë, gjithë muskuj, trima, të mënçur, filozofë, të “virgjër” nga çdo ves… si personazhet e librit sovjetik: “Si u kalit Çeliku!”…

3.Në zyrën e Andreotit

10 Qershor 1992.

Ne ishim në Romë  Azemi, Filipi dhe unë. Në orën 12 u futëm në zyrën e Andreotit. Na shoqëronte ambasadori, Dash Dervishi.

Andreoti ishte ende Kryeministri më  i fuqishëm i Italisë. I kërrusur. Me veshë të mëdhenj. (Mu kujtua një batutë nga një libër i Kadaresë: Djali i kishte veshët aqë të mëdhenj, sa po ta hidhje nga ballkoni, veshët ktheheshin në parashutë!) Të tillë veshë kishte edhe Andreoti – ndoshta i ishin zgjeruar për  të dëgjuar më mirë. Ndryshe  nuk mund të spjegohet fakti që qëndroi për 45 vjet në pushtet!

Andreoti: – Më kanë folur për ju! Do ta mbani gjatë pushtetin?

Azemi:- Po të kemi miq si ju, ne do të qëndrojmë në pushtet sa politikani më i madh i Italisë: Andreoti!

Andreoti: – Qesh! Ishin kohë të tjera për Andreotin. Tani kanë ndryshuar  gjërat. Sistemi kapitalist për gjysmë shekulli, ka mbijetuar me sistemin socialist. Me rënien e Murit të Berlinit, u shemb edhe sistemi socialist. Këtu del problemi i mbijetesës: Në qoftëse sistemi i sotëm kapitalist nuk ndryshon, atëherë ka rrezik që të na marri socializmi me vete.

Azemi: – Lexova në një  gazetë një titull të çuditshëm. “Qeveria italiane është qeveri staliniste”! Eshtë kjo propagandë, paradoks apo…?

Andreoti:- Është një fakt real. Në Itali ka shumë ndërmarrje shtetërore. Sipas ligjit, në ekonominë e tregut, si ndërmarrjet private dhe ato shtetërore, duhet të luajnë si të barabartë. Mirëpo jo rrallë, krraba e qeverisë tërheq nga ndërmarjet shtetërore…Këtu nis mentaliteti stalinist. Mos  kujto se vdiq Stalini dhe u përmbys ideologjia e tij…

Azemi:- Fjalë me vend. Në Shqipëri ka 10 vjet që ka vdekur Enveri. Por shumë njerëz  e kanë Enverin në bark…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here