Zemra e verës teatrale fillon në 1 qershor, me komedinë “Kur ikën macja” në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve

0
210

Komedia e brilante “Kur ikën macja” më 1 qershor vjen për publikun në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Vepra me regji nga Kiço Londo ndërsa po shënon sukses në skena të tjera vjen për publikun në mbrëmjet e datave 1, 2, dhe 3 qershor në orën 20:00 në Tiranë. Për komedinë “Kur ikën macja” në role janë aktorët Vin Bejleri, Andia Xhunga, Romir Zalla, Albana Koçaj, Ina Kollçaku dhe Rexhina Ibro. Komedia e suksesshme e Teatri Shëtitës “Çajupi” mbrëmë shënoi natën e fundit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit duke marrë duartrokitjet e publikut,por në ditët e para të qershorit është në Teatrin Veror në UA, ku publiku do të gjejë një interpretim fantastik të aktorëve në role. Vin Bejleri interpreton Xhorxhin nursëz, një bashkëshort nën diktatin e gruas. Krejt padashje ai përzihet në një situatë, me dy kotele seksi, nga e cila nuk shqitet dot. Kjo sjell ilaritet. Një mbyllje befasuese vjen pas spërdredhjeve e kthesave të shumta të kësaj shfaqje të shfrenuar, komike, energjike, që pritet të krijojë mbrëmje zbavitëse. Andia Xhunga vjen në rolin e gruas, që ka vuajtur një kohë të gjatë dhe përgjërohet për pak ëmbëlsi nga i shoqi. Ajo dominon skenën dhe për ta mbajtur të shoqin në tutelë, ka një poçe, ku ai është i detyruar të hedhë para për dënim sa herë flet në mënyrë të pahijshme. Në rolin e burrit të varur nga seksi interpreton aktori elegant Romir Zalla, personazhit të të cilit i duhet të kalojë një sfidë duke rënë në kurthin  e gjallë të provokimit me motrën e gruas, por duke mos harruar as sekretaren seksi. Albana Koçaj ka marrë përsipër në rol gruan pasanike të burrit të varur nga seksi. Në rolin e sekretares kotele, super seksi, të pirë dhe histerike është zgjedhur aktorja Rexhina Ibro. Në rol vjen dhe Ina Kollçaku kotelja që do të luajë, por dhe të vrasë veten. Ina Kollçaku që është përfshirë në këtë grup me mirësjellje, optimizëm dhe një dozë pozitiviteti të habitshëm, ka marrë përsipër me guxim një nga kotelet e lojës së maçokut kur ikën macja. Vepra është përkthyer nga Artur Lena, skenografia Klea Mani, kostumografe Ersa Kana, as.regjisor Kristi Serani.

Vepra dhe premiera

“Kur ikën macja” u shfaq premierë në 1977 në The Pier Theatre në Bournemouth- Angli, dhe ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Në komedi, dy motra vendosin të shkojnë me pushime në Paris, ndërkohë që dy baxhanakët ftojnë në shtëpi dy kotele  simpatike seksi. Pikërisht atëherë gjërat fillojnë të ndërlikohen. Në një material rreth komedisë, thuhet se shanset janë që ajo të shfaqet ku dhe kur nuk e prisni. “Gjithashtu rrjedha e ngjarjeve komike në këtë super komedi britanike, mund të marrë ritëm marramendës dhe argëtimi i audiencës të dalë jashtë kontrollit. I vetmi parashikim do të jenë të qeshurat breshëri, ndërsa shpalosen ngjarjet e komedisë marramendëse”, tregohet për komedinë. Teatri Shëtitës “Çajupi” ka sjellë për publikun vepra të ndryshme teatrore, ndërsa komedia “Kur ikën macja” është suksesi i radhës. Kjo komedi ishte edhe premiera e parë e Teatrit Shëtitës “Çajupi” për këtë vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here