Makthi i Putinit, çfarë po ndodh në prapavijën e ushtrisë ruse në Ukrainë

0
33

Një front i ri i luftës për Ukrainën:Zyrtarët ukrainas kishin njoftuar në fillim të muajit prill, se prisnin që një lëvizje guerile ukrainase të shfaqej në shkallë të plotë në fund të pranverës. Dhe ata kishin të drejtë. Siç e tregon lista e mëposhtme e aktiviteteve guerile javët e fundit, ukrainasit në territoret e pushtuara nga Rusia janë mobilizuar dhe përfshirë në format tradicionale të rezistencës:sabotim, vrasje dhe propagandë.

Unë kam mbledhur të dhënat nga faqet ukrainase në internet, që i kanë identifikuar si guerilas autorët e këtyre veprimeve. Sigurisht, ka të ngjarë që në disa nga këto aksione të jenë përfshirë forcat speciale ukrainase. Po ashtu ka gjasa që të dhënat të jenë të paplota, pasi disa veprime ndoshta nuk raportohen.

Megjithatë, numri i aksioneve guerile është mbresëlënës, dhe flet për një prirje drejt një aktiviteti të tillë gjithnjë e më të madh. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e veprimtarisë guerile, është e fokusuar brenda dhe rreth qytetit Melitopol.

Kjo konfirmohet edhe nga harta e Institutit për Studimin e Luftës dhe Kontrollit të Terrenit në Ukrainë. Por ky dallim mund të mos zgjasë shumë. Ushtria Partizane e Berdyansk, madhësia e së cilës nuk dihet, ka nisur një fushatë të gjerë propagandistike në rrjetin Telegram.

Ajo ka shpërndarë slogane, ka ofruar këshilla për civilët në lidhje me format e rezistencës, dhe ka identifikuar emrat dhe adresat e bashkëpunëtorëve të rusëve. Deri më sot, ajo nuk është përfshirë në asnjë lloj rezistence aktive. Por ka të ngjarë që aktiviteti gueriles ukrainas në zonat e pushtuara të ketë ndikuar në moralin e ushtarëve rusë.

Rreth 200 prej tyre kanë qenë viktima të vrasjeve me thikë apo armë zjarri. Disa rusë duket se mendojnë se mësimi i disa fjalëve në gjuhën ukrainase, mund t’u japë mundësi t’i mbijetojnë sulmeve të natës. Ndërkaq, është e mundur që disa vrasje të civilëve ukrainas pro-rusë t’i kenë frikësuar bashkëpunëtorëve aktualë dhe të mundshëm me pushtuesin.

Ndikimi i vërtetë i lëvizjes guerile do të ndihet, nëse ajo do të përhapet në pjesën më të madhe të Ukrainës Jugore, i përshkallëzon veprimet e saj, dhe më e rëndësishmja i koordinon aktivitetet me kundërsulmin e forcave të armatosura ukrainase, të përforcuara nga dërgesat e armëve perëndimore të kalibrit të rëndë, që pritet të nisë në fund të korrikut ose fillimin e gushtit.

Ukrainasit presin që kundërsulmi i tyre të jetë i suksesshëm. Ata besojnë se ushtarët e tyre janë më të aftë sesa armiqtë e tyre rusë, dhe se armët e tyre të prodhimit perëndimor do të jenë më të mira se sa shumica e pajisjeve ruse gjithnjë e më të vjetruara.

Nëse guerilët ukrainas do të jenë në gjendje të godasin nga pas shpine linjat logjistike ruse, ndërsa ushtria sulmon nga përpara, efekti mund të jetë i barabartë me një rrethim të forcave të armatosura ruse. Natyrisht, autoritetet ruse do të përpiqen që t’i godasin dhe neutralizojnë guerilët.

Dhe në fakt kanë nisur ta bëjnë këtë. Por meqë popullsia lokale e mbështet pothuajse në mënyrë uniforme lëvizjen e rezistencës ukrainase, rusët nuk kanë gjasa të kenë sukses. Në çdo rast, qoftë e suksesshme apo jo, një goditje e forcave guerile do të devijojë burimet e nevojshme nga pjesa e përparme në pjesën e pasme të frontit, duke e ndihmuar kështu luftën e ukrainasve për ta dëbuar pushtuesin.

Lista e aktiviteteve partizane në Ukrainë

Më 25 maj, në Berdyansk, Tokmak, Melitopol, Velykiy Burluk, u shfaqën fletëpalosje kundër pushtuesit. Në to shkruhej:“Ushtar rus, nëse nuk dëshiron të jesh nazisti i  shekullit XX-të, atëherë largohu nga vendi ynë ! Përndryshe të pret fati i ushtarëve të Hitlerit dhe një gjykatë si ajo e Nurembergut!”.

Më 23 maj, u dëmtuan shinat e linjës hekurudhore  në Melitopol, gjë që çoi në ndërprerjen e një dërgesë me armë dhe municione për ushtrinë ruse.

Më 22 maj, afër Melitopolit, u  shkatërruan stacionet e radarëve.

Më 22 maj, Energodar, provinca Zaporizhzhya, ndodhi një atentat i pasuksesshëm kundër kryebashkiakut kolaboracionist, Andrii Shevchyk.

Më 18 maj, afër Melitopolit, u shkatërruan shinat e linjës hekurudhore. Për pasojë një tren i ushtrisë ruse doli nga shinat.

Më 18 maj, ndodhi një me granatë në shtabin e komandës ushtarake ruse në Melitopol, i pasuar nga një përleshje me armë.

Më 17 maj, vriten 2 ushtarakë rusë në Melitopol.

Më 28 Prill, Akimovka, provinca Zaporizhzhya, shkatërrohet një urë hekurudhore.

Më 25 Prill, Kremenna, provinca Luhansk, sulmohet me bomba këshilli i qytetit dhe stacioni i policisë. Sulmi shkakton shumë viktima.

Më 22 prill, Melitopol, 30 ushtarë të tjerë rusë raportohen të vrarë që nga 12 prilli.

Më 20 prill, Kherson, vritet blogeri pro-rus, Valerii Kuleshov.

Më 16 prill, Berdyansk, Ushtria Partizane e Berdyansk-ut u shfaq për herë të parë në Telegram. Ajo  e prezantoi veten si një “lëvizje e banorëve të angazhuar, të cilët e mbrojnë qytetin e tyre në luftën kundër pushtuesit fashist rus”.

Mars deri 26 prill, në rajonin Kherson, raportohet vrasja e 80 ushtarëve rusë.

20 mars-12 prill, 70 ushtarë raportohen të vrarë në Melitopol gjatë patrullimeve në orët e  natës.

Në fillim të marsit në Kremenna, rajoni Luhansk, u vra zyrtari kolaboracionist, Vladimir Struk.

Ndërkohë ka raportime për aktivitete guerile edhe në Krime. Sipas një zyrtari ukrainas, “aktualisht në Krime po shohim shfaqjen e partizanëve vendas, që çajnë gomat e makinave me simbole ruse, shkruajnë parulla në stolat e parkut, dhe shpërndajnë fletëpalosje pro-Ukraninës”.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj