Berisha tradhton besnikët e tij, mbeten jashtë Kryesisë së PD Shehu, Spahia, Garo, Spaho, Pollo dhe Imami, Topalli rikthehet mes debateve

0
204

Zgjedhjet për përbërjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ditën e shtunë panë lënien jashtë saj të shumë emrave të njohur ndër vite të selisë blu. Edhe pse ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u angazhua sërish me ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit në Shkodër, edhe pse u mirëprit nga lideri historik demokrat për të marrë pjesë në Kuvendin e 30 prillit, nuk siguroi dot votat për t’u bërë pjesë e Kryesisë së PD. Janë 26 emra nga 46 kandidatura që nuk u renditën me 6 më të preferuarave femra dhe 14 meshkujve për Kryesinë e PD.
Nuk zgjidhen as Pollo, Spaho, Shehu, Balliu dhe Garo
Përveç Imamit, një bashkëpunëtor i afërt i Berishës gjatë viteve 2005-2013 të PD në pushtet, nuk ka siguruar dot votat e mjaftueshme për anëtar të Kryesisë së PD edhe ish-ministri Genc Pollo. Pavarësisht se ky i fundit iu bashkua Lëvizjes për Rithemelimin e PD që çoi në dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë, Pollo nuk u pozicionua dot mes 14 demokratëve më të votuar nga Këshilli Kombëtar. Një tjetër befasi është dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia. Çudia qëndron në faktin se edhe pse ai fitoi në 6 mars në këtë bashki si kandidat i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” (Rithemelimim i PD-LSI) duke u përkrahur në fushatë nga vetë Berisha, nuk u përfshi dot në Kryesinë e partisë më të madhe opozitare. Edhe deputetët Tritan Shehu, Edmond Spaho, Kasem Mahmutaj, Elda Hoti, Sorina Koti dhe Isuf Çela nuk zunë dot vend në Kryesinë e PD. Habia më e madhe qëndron te deputetët e Korçës (Spaho) dhe Gjirokastrës (Shehu), të cilët kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm kundër Bashës dhe mbështetësve të tij që pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar demokrat në 9 shtator. Të tjerë emra të njohur që nuk fituan dot vend në Kryesinë e partisë janë ish-deputetët Klevis Balliu, Albina Deda dhe Liljana Elmazi. Po ashtu, edhe zëdhënësja e Rithemelimit të PD, Floriana Garo nuk rezultoi ndër 6 demokratet më të preferuara për të qenë në Kryesi. As ish-zv/kryeministrja Ledina Mandia nuk u rendit mes demokrateve më të votuara për Kryesinë e selisë blu. Nuk dihet arsyeja se përse këta emra nuk formuan dot Kryesinë e PD: ndoshta ka qenë sugjerimi i Berishës që ata të mos akumulojnë shumë pozicione në parti apo vërtet Këshilli Kombëtar nuk i ka çmuar si më të vlefshmit për të marrë vendime për partinë e qendrës së djathtë në Shqipëri.
Emrat e 26 kandidatëve demokratë që nuk fituan dot vend në Kryesinë e PD
Albina Deda, Arben Imami, Bardh Spahia, Bedri Blloshmi, Bledi Kasmi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edmond Spaho, Elda Hoti, Endira Bushati, Erald Kapri, Floriana Garo, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Indrit Hoxha, Isuf Çela, Ivi Kaso, Kasem Mahmutaj, Klevis Balliu, Lediana Fratari, Ledina Mandija, Liljana Elmazi, Lorenc Luka, Mirela Tabaku, Sorina Koti dhe Tritan Shehu.
Topalli në Kryesinë e PD, ish-këshilltarja e Bashës: Është anëtare në parti tjetër
Ndër demokratet e kthyera është dhe ish-kryeparlamentarja në vitet 2005-2013, Jozefina Topalli. Ajo u votua si demokratja e tretë nga Këshilli Kombëtar për anëtare të Kryesisë së PD (118 vota). Edhe pse ajo nuk kandidoi për vend në Këshillin Kombëtar të PD në 30 prill si dhe pranoi se nuk do të kërkojë asnjë post në parti, Topalli siguroi mjaftueshëm vota për të qenë në grupin drejtues të PD. Megjithatë, ish-këshilltarja e Lulzim Bashës në PD dhe anëtare Autoritetit të Mediave Audiovizive, Desada Metaj e quan absurde zgjedhjen e Topallit në Kryesinë e PD, pasi sipas saj ish-kryetarja e Parlamentit është anëtare e një force tjetër politike “Lëvizja për Ndryshim” me të cilën kandidoi në zgjedhjet parlamentare 25 prillit 2021, por u dorëhoq nga drejtimi i partisë për shkak se nuk fitoi asnjë mandat. Në rrjetet sociale, Metaj shkruan me ironi se demokratët po festojnë rikthimin e Berishës në krye të partisë sikur të kenë fituar pushtetin në Shqipëri. ”Të paktën dy arsye ligjore janë kusht që të zgjidhesh në kryesinë e një partie politike: zyrtarisht (pra në gjykatën e faktit) mos të rezultosh kryetare e një partie tjetër dhe të jesh po zyrtarisht anëtare e partisë që të ka zgjedhur në Kryesi. Por, meqë kjo vlen për një vend normal, më mirë mos ta kisha thënë më zë të lartë se dukem unë më qesharake se disa që po festojnë sot (dje) fitoren mbi regjimin e Edi Ramës” shkroi Metaj në postimin e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here