Milani në “qiell” nga triumfi në Serie A , Berluskoni: Mund të përsërisë historinë

0
142

Milanistët do të rriten akoma më shumë dhe do të lakmojnë tani e tutje Champions, ndërkohë pritet të vijnë amerikanët për ta blerë

Milani fitoi titullin e 19-të pas 11 vitesh pritje. Duke folur pas fitores së ndeshjes së fundit të sezonit 2021-2022, atë ndaj Sasuolos, të cilën Milani e fitoi në transfertë me rezultatin 0-3, dhe që ishte ajo që vulosi kampionin e këtij edicioni. Ndërkohë, ish-presidenti i klubit kuqezi, Silvio Berluskoni, u shpreh se kjo skuadër mund të nisë një cikël fitoresh. “Është vërtet një gëzim i jashtëzakonshëm. Ishte një emocion i madh edhe sepse mund të ndjeje entuziazmin fantastik të tifozëve kudo. Më në fund pas 11 vitesh ndodhi përsëri, e prisnim kaq shumë dhe ia dolëm. Triumf i merituar dhe i pabesueshëm. Ky ekip i përbërë nga kaq shumë të rinj ka gjithçka që duhet që sukseset të përsëriten dhe të hapin një cikël fitues siç ka qenë i yni”, tha për mediet italiane Berluskoni. Në fakt, skuadra e Milanit nuk pritej ta fitonte titullin e kampionit për sezonin 2021/22. Në të vërtetë, Stefano Pioli pothuajse u shkarkua dhe u zëvendësua nga Ralf Rangniku dy vjet më parë, me Milanin në negociata të avancuara me trajnerin gjerman përpara se të ndryshonte mendje. Kjo doli të ishte një lëvizje e zgjuar, pasi Pioli e çoi Milanin në vendin e dytë në Serie A vitin e kaluar dhe më pas këtë sezon ia ktheu titullin e kampionit pas 11 vjetësh. “I detyrohem gjithashtu klubit për mbështetjen dhe që na ka lejuar gjithmonë të punojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, me drejtorët që flasin gjithmonë me mua dhe kanë besimin e tyre tek unë”, tha Pioli. Rivali i Milanit, Interi, e kishte skuadrën më të mirë në letër, por Pioli arriti të rrënjoste një nivel pjekurie te lojtarët e tij, si dhe të nxiste një shpirt të fortë ekipor. Në fund, titulli u sigurua falë përpjekjeve kolektive të skuadrës së tij, në vend që të mbështetej në një yll të shquar. 56-vjeçari Pioli arriti të nxirrte më të mirën nga lojtarët e tij, duke i çuar ata në lartësi të papritura dhe u shpall trajneri i vitit në Serie A. “Unë e pranoj me dëshirë çmimin e trajnerit të vitit, por meritat i shkojnë të gjithë skuadrës”, tha ai. Sipas asaj që raporton “Class CNBC”, sot Gerri Kardinale, themeluesi i fondit “RedBird Capital”, do të zbarkojë sot në Milano për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen për blerjen e Milanit nga fondi “Elliott”. Marrëveshja thuhet të jetë arritur për një shifër rreth 1,3 miliardë dollarë. Fondi i Pol Singer do të mbetet në klubin kuqezi me një pakicë të aksioneve. Pra, Milani ka gjasa të rikthehet në majë të Europës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here