Legjionarët/ Broja njofton largimin nga Sauthemptoni, Uzuni bie në Segunda në Spanjë

0
153

Lojtarët e Kombëtares mbyllën një sezon përgjithësisht të mirë me ekipet e tyre në kampionatet e ndryshme europiane, ku pati lojtarë që spikatën por edhe të tjerë që u përpoqën të ishin në qendër të vëmendjes dhe të suksesshëm. Dy elementë të rinj të sulmit kuqezi, sikurse janë Myrto Uzuni dhe Armando Broja, patën një sezon me objektiva të ndryshëm. Kështu, Broja rivalizoi tek Sauthemptoni për të qenë titullar e shënuar gola dhe ia doli të arrijë një farë suksesi që do ta ndihmojë për vazhdimësinë, teksa dje njoftoi se do të ikë nga Sauthemptoni e do të kthehet tek Çelsi, por ndoshta edhe mund të huazohet sërish në ndonjë klub tjetër. Ndërkohë, Myrto Uzuni do të luajë sezonin tjetër në kategorinë e dytë spanjolle, pasi Granada e tij ra nga kategoria. Pra Uzuni do të luajë në Segunda Divizion, diçka që sulmuesi as e kishte menduar më parë.

Qëndrimi i Brojës

Sulmuesi Armando Broja e ka bërë të qartë tashmë nëpërmjet një njoftimi se do të largohet nga klubi i Sauthemptonit, me idenë që një tjetër klub i madh do të rezervohet për të sezonin tjetër. Gjasat janë që trajneri Tomas Tuhel ta marrë atë tek Çelsi, për të pasur si lojtar që mund të kordinohet me Lukakun, por ndoshta edhe mund të huazohet në një klub tjetër të Premier League, ose në ndonjë klub cilësor në top-4 kampionatet elitare europiane. Nëpërmjet një njoftimi, Broja e sqaron vetë situatën rreth tij dhe marrëdhënien me Sauthemptonin, duke lajmëruar edhe zyrtarisht ndarjen. “Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time. Një sezon plot me ulje dhe ngritje, por fatmirësisht kam pasur mbështetjen e shumë njerëzve të mrekullueshëm dhe familjes time. Gjithashtu, një falënderim të madh për fansat e klubit të Sauthempton që më mbështetën dhe më dhanë mundësinë të tregoj se kush jam. E vlerësoj gjithë mbështetjen dhe dashurinë për mua dhe djemtë e klubit. Gjithashtu dua të falënderoj djemtë e skuadrës të cilët ishin jo vetëm vëllezër për mua por edhe familje. Do më mungoni shumë”, shkruan Armando Broja në profilin e tij në rrjetin social.

Uzuni në Segunda

Granada barazoi të dielën ndaj Espanjolit me rezultatin 0-0 dhe kjo i kushtoi shumë, pasi i duhej fitorja që të mbijetonte në La Liga. Një penallti e humbur në minutën e 72-të nga Molina e rëndoi më tej situatën dhe kjo solli rënien nga kategoria të Granadës, e cila sezonin tjetër do të luajë në Segunda Division. Në këtë skuadër luan shqiptari Myrto Uzuni, që nuk mundi të jetë protagonist i shpëtimit. Për pasojë ai do të luajë sezonin tjetër një kategori më poshtë, diçka që nuk e kishte menduar kurrë para se të lëvizte nga Ferencvaroshi drejt klubit spanjoll disa muaj më parë. gjithsesi, Uzuniu është djalë me cilësi teknike dhe përgatitje të admirueshme dhe një futbollist shumë punëtor. Ai do të mund të përshtatet në Segunda dhe do të bëjë përpjekje që bashkë me skuadrën e tij të ngjiten sa më parë në elitën e futbollit spanjoll.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here