Vlorë, Marina e re e qytetit me dizajn britanik

0
65

Porti i ri i jahteve në Vlorë tashmë njihet si zhvillimi më i bujshëm i turizmit elitar në Shqipëri dhe kushdo pret me interes zbatimin e projektit. Marina Vlorë në qytetin bregdetar është marrë përsipër nga kompania Brunes, për t’i dhënë një impuls të ri ekonomisë lokale dhe më gjerë. Projekti ambicioz kurorëzon përpjekjet për ta bërë vendin pjesë të destinacioneve më të famshme turistike dhe misioni nisi me konceptimin nga ana e kompanive të specializuara ndërkombëtare.

Marina Projects Ltd është kompania angleze që realizoi dizajnin e portit të ri turistik. Ekspertët e saj kanë hartuar masterplanin që shërbeu si bazë e mëvonshme e të gjithë projektit. Anglezët e Marina Projects njohin shumë mirë këtë industri dhe kanë bashkëpunuar prej 20 vitesh në projekte të suksesshme në të gjithë botën. Së fundmi ata janë familjarizuar me detin Adriatik, me anë të projektimit të dy marinave në Malin e Zi.

Marina Vlorë ka nisur udhëtimin për t’u shndërruar në nyjen qendrore të zhvillimit të turizmit elitar në Shqipëri, me një investim prej 26 milionë euro. Infrastruktura e portit ekzistues do të përshtatet dhe zgjerohet për të krijuar kushtet e ankorimit të mjeteve turistike.

Gjithashtu do të ngrihen diga mbrojtëse dhe pontile pluskuese. Gjatë fazës së punimeve pritet të punësohen deri në 500 persona, në disa profile inxhinierike dhe shërbime mbështetëse nga më të ndryshmet. Shëtitorja “Lungomare” që do të vazhdojë nga porti aktual, në drejtim të pyllit të Sodës, përfshin hapësira të konsiderueshme publike dhe zona të gjelbra, të cilat plotësohen me shërbimet që Marina Vlorë do të ketë në dispozicion të të gjithë qytetarëve.

Ekonomia e Vlorës do të përfitojë rreth 4,3 milionë euro në vit nga të ardhurat prej portit të ri turistik kur të jetë plotësisht funksional. Aktivitetet kulturore dhe sportive që do të zhvillohen në ambientet e Marinës Vlorë do të mirëpresin banorët e qytetit dhe turistët. Të gjithë elementët premtojnë cilësi superiore në çdo moment që njerëzit do të kalojnë pranë kësaj marine.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj