Meta në alarm se mund shpallet “non grata” pas largimit nga Presidenca, sulmon ambasadën e SHBA dhe premton rezistencë

0
155

Presidenti Ilir Meta vijon të konfirmojë se është bërë palë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit po tenton që të marrë me forcë PD dhe presidenti ka dhënë dje sinjale se është bërë pjesë e procesit duke dekretuar zgjedhjet vendore. Vendimi i beftë i presidentit u pa me dyshim dhe dyshohej se ishte një lëvizje për të vënë në sfidë Bashën. Sipas zërave në korridoret politike, Berisha dhe Meta do të tentojnë që të bllokojnë demokratët të votojnë kandidatët e Bashës dhe duke humbur ky i fundit zgjedhjet, kjo do përdoret si argument nga Berisha për ta larguar. Dje Meta ishte në studion e gazetarit Çlirim Peka në “Syri Tv”, ku nuk e mohoi se me këtë lëvizje po ndikon në zhvillimet brenda PD, por madje deri diku dhe e konfirmoi se ka qenë një lëvizje puçiste. “Dakord, po nëse do e merrja një vendim të tillë në shtator apo tetor, a do ndikoja? Po njësoj ishin rrethanat, PD në krizë ishte apo jo? Kjo a i shërben atyre qytetarëve të cilët duan të kenë një kryetar bashkie të përcaktuar prej tyre dhe jo të emëruar? Kryetari i bashkisë ka peshën kryesore. Çfarë të bëjmë ne tani? T’i lëmë kështu pafundësisht”, tha Meta.

Meta frikë nga “non grata”

Por mbrëmë presidenti e pranoi se i trembet një shpallje “non grata” pas Sali Berishës. Ai u pyet nga gazetarët mbi zërat që qarkullojnë sedo ketë një vendim kundër tij nga SHBA sapo të lërë Presidencën, pro dhe mbi deklaratat e Bashës. Meta shpërtheu në sulme e kërcënime ndaj SHBA dhe ambasadores Yuri Kim, teksa paralajmëroi se do i përgjigjet kujtdo ashtu siç e meriton. “Nëse ka ndonjë palo ambasadë apo ndonjë palo shtet që ka zgjedhur ndonjë palo politikan t’i çojë mesazh Metës, Ilir Metën këtu e kanë. Më vjen keq për që ata amerikanët e korruptuar kompromentojnë vlerat e demokracisë. Kur Ilir Meta ka dalë me lëvizjen e dhjetorit nuk ka pasur ambasadë amerikane në Shqipëri. Unë kam respekt për ambasadën dhe këto tjetër, por kush ka një mesazh për Metën le t’ia thotë direkt dhe Ilir Meta nuk do hezitoja t’ia thotë kujtdo siç e meriton. Të marr unë kryememexhiun e Shqipërisë si zëdhënës serioz? Më vjen keq që një ambasadë të katandisej në atë nivel. Ilir Meta beson te demokracia dhe liria. Beson te Shqipëria. Nëse dikush do tentojë të përbuzë popullin tonë ai do jetë armiku im, Ilir Meta i del përballë. Nuk mund të dalë të thotë një shqiptar apo ambasadë më gënjeu Ilir Meta. Mos prisni që Berisha u shpall non grata dhe u bë ndonjë gjë e madhe. Ta harrojnë s’mund të trembin Ilir Metën siç trembin memexhinjtë, me mua nuk ndodh. Meta është besnik i vendit të vet dhe Kushtetutës dhe Meta nuk pranon dot që ligji është mbi Kushtetutë.

Meta sulmon Bashën

Më tej ai ka shtuar sulmet ndaj liderit demokrat Lulzim Basha, duke mbështetur tentativat e Berishës për të marrë me dhunë PD. “Nuk dua të bëj më asnjë koment për z.Basha. Ju a kam thënë dhe po ju them që nuk kam menduar kurrë që Shqipëria do katandisej në këtë derexhe. Kur shoh lidershipin aktual të PD, mua me rritet respekti për Ramiz Alinë, që kur fitoi pala tjetër iku nga posti dhe i hapi rrugën palës fituese. Nuk kam nostalgji fare për Ramiz Alinë sepse unë jam student i Dhjetorit ’90, por si nuk mund të kesh respekt për të kur sheh këta politikanët e qofteve që çdo gjë e kanë marrë dhuratë nga të tjerët dhe qe nuk ikin edhe kur humbin”, tha Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here