Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” në Tiranë, me 56 filma në program

0
235

Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” vjen në edicionin e tetë, me 56 prodhime filmash të huaj dhe shqiptarë. Tirana mirëpret festivalin e filmit në datat 15 deri më 19 tetor. Ky është edicioni i tretë i “Dea open air” që zhvillohet në Tiranë, pas pesë edicionesh në Sarandë dhe Gjirokastër, pas të cilave organizatorët vendosën në favor të zgjerimit gjeografik të pranisë së festivalit, për shkak të prurjeve të tij. Drejtor i festivalit është Edmond Topi dhe drejtore artistike Mirela Oktrova, ku “Dea open air” do të vijojë edhe këtë vit t’i qëndrojë konceptit open air. Por programet për shkak të pasigurisë së diktuar prej pandemisë dhe motit do të ofrohen edhe on line në faqen zyrtare të festivalit. Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes kanë menduar të përfshijnë në programin e këtij viti gjithsej 56 filma, nga të cilët 7 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 3 në programin Cine Ko, 15 në seksionin e filmit të shkurtër, 15 në seksionin e filmit studentor dhe 16 në seksionin e filmit dokumentar. Kategorizimi reflekton si natyrën e krijimtarisë ashtu edhe profilin e autorëve të tyre. Zyra e shtypit e “Dea open air” bën me dije se në ekranin e festivalit kanë zënë vend jo vetëm filmat më të mirë të industrisë europiane të kinemasë së viteve të fundit, por gjithnjë e më shumë syresh. “Prirja reflektohet edhe në prurjet e këtij viti, me gjithë kushtet e pandemisë, të cilat megjithëse me shumë ndryshim, krahasuar me vitin e shkuar diktojnë ende një numër më të reduktuar të kineastëve fizikisht të pranishëm nga Evropa dhe bota, ndonëse kurrsesi jo në numrin e veprave pjesëmarrëse”, thuhet për festivalin.

 Shfaqja e filmave

Ceremonia zyrtare e hapjes, programi i mbrëmjes i filmit me metrazh të gjatë dhe mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit VIII të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea open air” do të ofrohen në kinema Dea open air 1-në amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Programi i pasdites së filmit me metrazh të gjatë do të ofrohet në kinema Dea 2 – salla “Black Box” e UA. Programi i filmit dokumentar dhe programi i filmit të shkurtër do të ofrohen në kinema Dea open air 3- salla “Black Box” po Universitetit të Arteve ( UA). Programi i filmit studentor do të ofrohet në mjediset e akademisë “Dea”- galeria FAB e UA. Programi CineKo, me fokus kinemanë kosovare do të ofrohet çdo mbrëmje në kuadrin e shfaqjeve publike të filmit në qendër të Tiranës. Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit. Zyra e shtypit e festivalit shprehet se edicioni i tetë i festivalit zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës së Kosovës. Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here