Komedia “Budallenjtë” premierë, regjisori Roland Minga: Vazhdojmë të pranojmë si normë atë që na thonë nëpërmjet altoparlantëve të mitingjeve

0
306

Komedia “Budallenjtë” shënoi premierën në skenën e teatrit “Petro Marko”, në Vlorë. Regjisori i njohur i teatrit Roland Minga këtë herë solli për publikun veprën e autorit Neil Simons. Në role një kastë aktorësh si Artan Islami, Eliona Thomaraj, Jorgaq Tushe, Miola Sitiaj, Astrit Mamaj, Margent Caushi, Matilda Avduli, Ilirian Ali, Lavdimir Abilaliaj, Igli Fusha dhe Enerest Dalipaj. “Budallenjtë” shënoi premierën mbrëmjen e së premtes në teatër për të vijuar dhe gjatë fundjavës në skenë, një komedi brilante që nuk duhet humbur nga publiku. Pas mbylljes nga pandemia, në aktivitetin e tij artistik regjisori Roland Minga e nis me këtë premierë, që mori vlerësimin e publikut. Rreth veprës teatrore në skenë dhe përzgjedhjes së saj, Minga shprehet se që me leximin e parë të veprës, të krijohet përshtypja se fshati në Ukrainë ku janë ngjarjet është thjesht një vendndodhje e rastësishme. Sipas regjisorit Minga, të krijohet ideja se edhe ti mund të ndodhesh në këtë realitet, në një realitet, ku bëhet si të thonë, shihet siç shikojnë, dhe dëgjon atë që duhet dëgjuar. “A nuk po ndodh edhe tek ne e njëjta gjë, vazhdojmë të pranojmë si normë atë që na thonë nëpërmjet altoparlantëve të mitingjeve, dhe sidomos të mediave, na manipulojnë mendjet duke na mpirë reagimin. Dhe pikërisht në këtë faktor është përqendruar edhe mesazhi i shfaqjes së komedisë “Budallenjtë”, në teatrin “Petro Marko”, pra në raportin media-ndërgjegje kolektive”, shprehet regjisori Roland Minga. Fundjavën që lamë pas “Budallenjtë” shënoi premierën, por regjisori tregon se ashtu siç ndaloi jeta e gjithë botës, u ndërpre, pikërisht kur ajo po shkonte drejt finalizimit në mars të vitit të kaluar.

Një komedi si “Budallenjtë”

Ngjarjet në komedinë “Budallenjtë”, autori Neil Simons i ka ambientuar në një fshat të humbur të Ukrainës. Karakteristikë e këtij fshati është se sipas njërit prej personazheve “ të gjithë merren vesh shumë mirë me njëri- tjetrin, por mazallah se kanë një gram tru”. Pra, një fshat “budallenjsh”. E gjitha kjo e ndodhur prej një mallkimi të tmerrshëm që i është bërë fshatit nga një martesë e pafinalizuar të një vajze të fshatit me një djalosh. Në një moment të caktuar një mësues, midis shumë mësuesve të ardhur në vite, vjen në fshat. Bie në dashuri me vajzën, dhe merr zotimin që do ta heqë mallkimin për tu martuar me të. E në këtë rrugëtim e sipër zbulon se mallkimi nuk është gjë tjetër veçse një mjegull e shkaktuar nga injoranca dhe frika nga të fuqishmit. Kështu ai forcon punën e dijes për mësuar vajzën dhe simbolikisht edhe fshatin. Duke theksuar idenë se “pushteti ushtrohet më kollaj kundër mendjeve të pandriçuara”. Aktorja Eliona Thomaraj shkruan se premiera i dha mundësinë të përballeshin me reagimin e spektatorit me komedinë “Budallenjtë” të Neil Simon me regji të Roland Minga. “Është përherë emocion dhe përgjegjësi e madhe skena. U prit me shumë dashuri edhe nga spektatori”, thotë ajo. Nën regjinë e Roland Mingës, skenografia nga Drini Shehu dhe formulimi muzikor nga Artur Dhamo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here