Një ditë para takimit të Berishës, Lulzim Basha thërret në zyrë krerët e degëve të Fierit, nisin lëvizjet për të sfumuar “Foltoren” e ish-kreut demokrat

0
217

Kryetari i PD, Lulzim Basha duket i vendosur për të mbajtur ish-kryeministrin Sali Berisha sa më larg Partisë Demokratike dhe forumeve të saj. Pak ditë më parë në mënyrë surprizë, kryedemokrati Basha e përjashtoi ish-kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar dhe shkak për këtë u bë vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që ka shpallur ish-liderin demokrat person “non grata”. Ky vendimi i Bashës nuk u kapërdi dot nga Berisha, i cili së fundmi i ka shpallur luftë atij. Berisha ka nisur një tur takimesh me bazën demokrate, të cilin e ka quajtur “Foltorja”, që ka për synim një PD më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Ndalesa e parë e Berishës ishte Tirana, ndërkohë që pasditen e sotme në orën 18:00 në kuadër të aksionin për reformimin e së djathtës ai do të zhvillojë takimin e tij në Fier, pranë ish-Universitetit “Ufo”.

Basha thërret në zyrë krerët e degëve të Fierit

Por një ditë para takimit të Berishës, gazeta mësoi se ditën e djeshme kryedemokrati Basha ka thirrur në zyrë krerët e degëve të Fierit. Sipas informacioneve nga ky takim, mësohet se arsyeja e kësaj mbledhje ka qenë organizimi për të sfumuar “Foltoren” e ish-kreut demokrat. Mësohet se zoti Basha ua ka bërë të qartë krerëve të PD të Fierit që të vënë në dijeni anëtarësia dhe bazën se vendimi i përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ishte përgjegjësia e tij dhe një vendim i duhur. Ndërkohë që nga ana tjetër, mësohet se Basha ka kërkuar nga vartësit e tij që jovetëm të mos mbështesin Berishën, por nuk duhet të lejojnë asnjë demokratë që t’i bashkohet tubimit të sotëm të ish-liderit demokrat. Madje, mësohet se Basha ua ka bërë të qartë krerëve të degëve se tani ata duhet të shikojnë nga e ardhmja dhe jo e shkuara, referuar Berishës dhe se armiku i tyre është kryeministri Edi Rama. Më pas zoti Basha, u zhvendos në një tjetër takim, ku zhvilloi një mbledhje me Kryesinë e grupit parlamentar të PD dhe nga ky ripërsëriti edhe njëherë faktin se raportet mes SHBA dhe Partisë Demokratike janë të shenjta, ndërsa shtoi se vendimi për të përjashtuara Berishën ishte i drejtë.

Basha emëron Gjekmarkajn drejtues politik në Lezhë

Por përveç porosive dhe debateve, kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike njoftoi edhe vendimin se Agron Gjekmarkaj do të jetë drejtuesi i ri politik i demokratëve të Lezhës, duke zëvendësuar në këtë post Mark Markun. Ky i fundit vendosi të largohej pak javë më parë duke hequr dorë edhe nga mandati i deputetit, ndërsa nuk pranoi që të merrte mandatin që demokratët i dhanë në qarkun e Lezhës pas divergjencave të forta me lidershipin e PD-së. Me largimin e Mark Markut, në Kuvend u rikthye Elda Hoti, e cila në mandatin e shkuar fitoi mandatin pasi ishte renditur në listat e LSI.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here