Frrok Çupi dhe Petro Koçi: Hetimi penal ndaj Berishës i pashmangshëm, ish-kreu i PD është kartë e djegur për amerikanët

0
226

Analisti Frrok Çupi dhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi kanë paralajmëruar fundin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit është shpallur “non grata” nga amerikanët dhe ndërkohë ka nisur një lëvizje kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Por për analistin Çupi kjo strategji e ndjekur nga ish-kryeministri Berisha është e gabuar, pasi sido që të jetë rezultati, hetimi ndaj ish-liderit demokrat është i pashmangshëm. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Çupi akuzoi ish-kryeministrin se është një politikan i korruptuar, njollë kjo që ia kanë vendosur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa theksoi se nisur nga këto, sipas tij, Berisha mund të jetë subjekt i SPAK. “Sali Berisha është më i akuzuari i botës për korrupsion. Sot që flasim Berisha është zyrtari më i lartë që Amerika i ka thënë gjithë botës se është shpallur “non-grata”. Nga kjo pikëpamje akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit në adresë të Berishës si minues i demokracisë dhe i përfshirë në korrupsion, për mendimin tim e bëjnë të pandehur. Kështu që nuk ka asnjë rrugë tjetër veç prokurorisë për Berishën”, deklaroi analisti Frrok Çupi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”.

Koçi: Berisha, është kartë e djegur për amerikanët

Por në të njëjtën linjë me analistin Frrok Çupi, është rreshtuar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi. Gjatë një reagimi për mediat, deputeti Koçi zbuloi se amerikanët dhe më konkretisht CIA ia ka hequr vizën ish-kryeministrit Sali Berisha qysh para 20 vitesh dhe se sipas tij, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur ish-liderin demokrat “non grata” është në vazhdën e politikave të ndjekura nga Shërbimi i Inteligjencës Amerikane. “Sali Berisha ka qenë kartë e djegur për amerikanët që në vitet 2000. Me CIA Berisha i kishte kartat e djegura me kohë, por Departamenti kishte tjetër linjë andaj edhe shpallja e tij “non grata” u bë tani. Madje, edhe SHISH i drejtuar nga Fatos Klosi kishte dijeni që Sali Berisha për CIA-n ishte kartë e djegur. Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ajo që konceptonim ishte fakti që me CIA-n, Sali Berisha i kishte kartat e djegura. Por Departamenti i Shtetit ndikohet nga politikat dhe ka një filozofi tjetër. Ndërsa CIA vendos nëpërmjet fakteve konkrete në terren që mesa duket ndaj Berishës i kanë pasur që në atë kohë. DASH e mori vendimin për Berishën, 20 vjet pasi CIA ia kishte djegur kartat. Unë kam qenë në Uashington nga vitet 2005-2006 dhe në atë kohë Berisha ishte në pushtet, por CIA e konsideronte si kartë e djegur. Pra, DASH e mori vendimin pas 20 vitesh, edhe për faktin se Berisha ishte kërcënim për vendin dhe rajonin”, deklaroi ai. Ndërkohë pak ditë më parë deputeti Koçi e konsideroi jo dinjitoze për Berishën faktin që arriti deri aty sa u përjashtua nga Lulzim Basha. “Basha, po të ishte lider nuk do e merrte këtë vendim pas presionit të gjatë dhe intensiv të SHBA, por ta ndërmerrte sapo Berisha u shpall “non grata”. Edhe Berisha do duhej të largohej vetë nga politika. Të përjashtohesh nga Basha është jo dinjitoze për të”, nënvizoi Koçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here