Fatos Klosi: SHBA e do Berishën para drejtësisë, dosja me prova pritet të përfundojë në SPAK, koha që prokurorët të tregojnë kurajo

0
240

Ish-kryeministrit Sali Berisha duket se nuk do t’i ndahen telashet. Pasi kryedemokrati Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD dhe pas shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj, amerikanët kanë rritur presionet ndaj autoriteteve shqiptare dhe kërkojnë me ngulm që ish-kryeministri Berisha të hetohet. Por një paralajmërim të kësaj natyre e ka dhënë dje edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” theksoi se Berisha pritet të përfundojë në SPAK, ndërsa bëri me dije se më të interesuarit që e duan ish-kryeministrin pas hekurave janë SHBA-të. Sipas tij, Berisha është i korruptuar dhe ka minuar demokracinë andaj dhe amerikanë kërkojnë që drejtësia të veprojë mbi të. “Unë e kam thënë edhe më herët për gazetën “SOT” që Sali Berisha është i korruptuara dhe akuzat e amerikanëve ndaj tij si minues i demokracisë dhe i përfshirë në korrupsionin janë të bazuara në prova dhe dëshmi. Nga kjo pikëpamje dhe për të hyrë në brendi të pyetjes suaj, unë mendoj se koha ka qenë me kohë që Sali Berisha të dilte para drejtësisë. Kjo e fundit s’ka kohë dhe gjithmonë edhe në përgjithësi mund të veprojë pa e shtyrë kërkush. Por tani natyrisht po përpiqen shumë institucione dhe ambasada e SHBA në Tiranë që e duan Berishën para drejtësisë. Kjo nuk është më problem kohe, por vullneti nga ana e SPAK”, deklaroi ai.

Dosja me prova pritet të përfundojë në SPAK

Por për ta pasur të lehtë hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha organet e drejtësisë duhet të kenë provë. Për këtë gjatë prononcimit të tij, ish-kreu i SHISH theksoi se dosja me prova që amerikanët kanë për Berishën pritet të përfundojë në SPAK. Madje për të treguar se ish-kryeministri Berisha është i paprekshëm, zoti Klosi inkurajoi prokurorët e SPAK që të kenë më frikë ish-liderin demokrat, por ta hetojnë atë. “Çështja Berisha është shumë serioze dhe duhet seriozitet nga ana e organeve të drejtësisë, ku natyrisht që partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojë në këtë proces, pasi ta kanë provat e tyre kundër Saliut. Përderisa DASH ka vendosur që ta shpallë “non grata” Berishën, ai ka plot materiale dhe fakte për të. Tani është problem bashkëpunimi dhe reciprocitete mendoj më shumë. Zgjidhja tanimë është denoncimi i Sali Berishës për të gjitha aferat korruptive që ka bërë lidhur me pengimin e demokracisë dhe akuzat që është akuzuar nga SHBA. Mesazhi është që institucionet shqiptare duhet të bëjnë punën e vetë dhe të mos kenë frikë nga Berisha. Deri më dje Berisha konsiderohej i paprekshëm, por DASH dha mesazhin që Saliu nuk është i paprekshëm dhe duhet të hetohet”, u shpreh ai.

Berisha e ka humbur betejën me SHBA dhe Bashën

Më tej gjatë prononcimit për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi shprehu bindjen se ish-kryeministri Sali Berisha është në grahmat e fundit. Dhe për këtë, ai shtoi se Berisha e ka të humbur betejën me SHBA-të dhe Bashën. “Nuk e besoj që Berisha do të ketë mbështetje në PD. Shumë figura brenda PD-së e kanë kuptuara lojën dhe nuk kanë interes që të ndihmojnë Berishën që të rrëzojë Bashën. Demokratët le ta rrëzojnë Bashën nëse nuk iu pëlqen, por jo për shkak të Berishës. Saliu e ka të humbur betejën me Bashën dhe amerikanët”, nënvizoi Klosi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here