Skandali me masat kufizuese, shqiptarët në shtetrrethim vetëm me urdhra ministrash, ja si po shkelen Kushtetuta dhe ligjet

0
231

Niveli i të infektuarve me Covid-19 në fillim të korrikut kapi shifrat më të ulëta, por qeveria vijon të mbajë në fuqi masat kufizuese. Edhe pse javët e fundit shifrat po rriten, infeksionet janë në nivele minimale. Por pyetja që shtrohet është: A është e ligjshme ora policore dhe kufizimet e tjera nga qeveria? Nga një vëzhgim i thjeshtë, kuptohet se që pas fillimit të pandemisë qeveria po ndjek një tjetër taktikë vendimmarrëse, duke miratuar akte normative me fuqinë e ligjit. Pra akti hyn në fuqi menjëherë dhe më pas votohet në Kuvend. Shumë masa kufizuese janë marrë po me akt normativ. Akti i fundit i këtij lloji është miratuar nga Parlamenti më 27 maj ku qeveria i lë në dorë ministrit të Brendshëm të vendosë se kur duhet të mbyllen lokalet gjatë natës. Ndërkohë elementi tjetër është se kufizimi orar dhe masat e tjera merren me urdhër ministri. Pra vendosja e orës policore 00:00-06.00 është me urdhër të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Por a janë të ligjshme këto vendimmarrje? Qeveria aktet normative i bazon në nenin 101 të Kushtetutës, i cili i njeh të drejtën të nxjerrë akte normative. Por ka një specifikim konkret që ato dalin vetëm në raste emergjencash. “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”, thuhet në nen. Duke qenë se jemi në pandemi mund të quhet emergjencë, por ka disa aspekte. Së pari nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme. I vetmi rast ishte vitin që lamë pas kur qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për 30 ditë dhe që Kuvendi e zgjati më pas. Momentalisht nuk jemi në këto kushte. Pra kjo do të thotë se po shkelen të drejtat e njeriut. Ligji për fatkeqësinë i njeh qeverisë të drejtën e izolimit dhe masave të tjera, por në momentin që mbaron gjendja e emergjencës, çdo vendim bie ndesh me nenet 15 dhe 17 të Kushtetutës, pasi shkelen të drejtat e njeriut.

Çdo gjë me vendim ministri

Skandali është se aktet normative përdoren në raste madhore, ndërsa ndryshimi i orës policore ndodh me urdhër ministri. Në hierarkinë e ligjeve, urdhri është i fundit fare. Nëse marrim kufizimet e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhrin Nr. 327, datë 12.7.2021, zgjatet periudha e ndalimit të grumbullimeve, etj. Pra çdo vendimi i Komitetit Teknik pasohet me një urdhër ministri. Ndërkohë akti normativ i fundit i miratuar nga qeveria i jep të drejtë ministrit të Brendshëm të përcaktojë ai se deri në çfarë ore do të lejohet ora e muzikës në lokale. Absurdi është se pak ditë më parë ndryshoi ora për muzikën në lokale vetëm me një deklaratë të kryeministrit. Ndërkohë nëse shohim me kujdes, Ministria e Shëndetësisë përdor në të gjithë urdhrat e saj nenin 102 të Kushtetutës dhe nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”. Absurdi është se neni 102 përcakton kompetencat e Kryeministri, ndërsa neni 7 përcakton vërtet masat, por duhet të jenë në unison me përcaktimet Kushtetuese. Për më tepër kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here