Bashkim Zahaj: RTSH është kthyer në një instrument të paaftësisë, Thoma Gëllçi siç erdhi iku

0
332

Radio Televizioni Shqiptar nuk e ka kryer misionin e vet për publikun. Kështu shprehet skenografi i njohur Bashkim Zahaj, që thotë se problemet në RTSH janë të shumta. Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi Bashkim Zahaj ndër të tjera flet dhe për gjendjen në RTSH, ku sipas tij përgjegjësia shkon dhe tek drejtori i përgjithshëm. Skenografi Bashkim Zahaj thotë se në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ka vend për të aftë, që japin dhe kanë vizion, por ka abuzime sepse nuk funksion siç ka pas funksionuar. Bashkim Zahaj ka nisur punë që në vitet ’80 në RTSH, duke vijuar për vite me radhë. Një arkiv i pasur me punët ndër vite, ku Zahaj thotë se atëkohë ishte një ekip profesionist.

-Ju për disa vite me radhë keni punuar në RTSH. Në çfarë viti keni nisur?

Me mbarimin e Akademisë së Arteve në vitin 1979, direkt pas mbarimit të saj një vit më vonë me një detyrim ligjor që ne duhet ta bënim stazhin e skenografisë nëpër institucione, një kërkesë dhe ofertë që erdhi nga RTSH nga regjisori Albert Minga që ishte në përgatitjen e filmit   “Agimet e stinës së madhe”, unë u kërkova që të isha piktor i kostumeve. Në 1980 unë kam filluar me këtë ekip filmi si i jashtëm në RTSH, por gjatë kësaj kohe me pasionin që unë kisha fillova të merresha dhe me skenografi, sepse unë për skenografi kisha mbaruar. Pas mbarimit të filmit në RTSH pasi u panë punimet e mia, menduan të më mbanin në provë dy vjet. Kështu që dy vjet unë kam punuar pa pagesë në RTSH, në rolin e një krijuesi në provë dhe pas disa veprimtarive që unë bëra, disa skenografive, gjeta menjëherë përkrahjen e drejtorit të përgjithshëm që atëherë ishte Marash Hajati. Unë t’ju them të drejtën u ndjeva shumë i vlerësuar që në vitet ’80-’82, sepse bashkëpunimet e mia ishin të menjëhershme me Vera Grabockën dhe kështu ne filluam festivalet, që zgjatën “një jetë”. Ky ishte fillimi i punës sime në RTSH.

-Ju keni nisur punën që në vitet ’80 në RTSH, duke vijuar për vite me radhë. Si ka qenë puna ato vite kur ju nisët në RTSH?

Ne artistët e shtabit që ishim disa si regjisor, skenograf, drejtor fotografie, kameramanë, etj, përbënim një staf, i cili punonte në mënyrë kolegjiale. Shkëmbenim mendime derisa arrinim në mendimin tonë përfundimtar. Sigurisht shijet e mia anonin nga perëndimi, dhe isha shumë i vëmendshëm ndaj RAI-t në Itali, ku në Shqipëri shihej, por megjithatë unë kisha marrë një leje të posaçme që lejohesha të futesha në vizionimin e emisioneve ose filmave të huaja, që aty tek ne vizionoheshin në dhomën e kontrollit. Dhoma e kontrollit tek ne ishte që çdo gjë e huaj që vinte xhirime, festivale, filma, shikoheshin aty për herë të parë, që bëhej përzgjedhja. Kjo ishte një burim i madh për të marrë atë çka Europa bënte. Dhe e bukura ishte që në skenografi nuk arrihej të kuptohej futja e të huajës ose futja e modernes. Vetë skenografia televizive është një zhanër ose art, i cili qysh në fillesat e veta është modern. Duke qenë i tillë, si duket nomenklatura  që e kontrollonte RTSH bëri lëshimet e veta, në aspektin se nuk e njihte si art. Mua m’u dha rasti që duke parë RAI-in dhe emisionet italiane të merrja shembuj dhe ato ti përdorja dhe në skenografi të miat.

-Ju për vite me radhë keni qenë në Radio Televizioni Shqiptar, por kur shikoni arkivin me punimet tuaja, çfarë mund të na thoni si skenograf?

Është një arkiv i mbushur plot me punë. Sot dua të theksoj një gjë, që pavarësisht se jemi në vitin 2021 arti i skenografisë ngelet ai që ka qenë siç është piktura, skulptura dhe muzika, pavarësisht rrymave që shfaqen brenda saj. Por të thuash që bëj skenografi do të thotë gjithmonë që bën art, që ke bërë një gjetje. Prandaj unë jam dhe luftoj për një element që është skenografik por nuk është skenografia vetë, siç janë Led hollet, që përdoren sot. Pra gabimisht nga njerëz të paaftë ose joprofesionistë skenografia në televizion ka filluar të zëvendësohet me Led holle, me ekranet. Kjo nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk ekziston as në botë. Ka një zgjidhje skenografia që e ka bërë skenografi, ka një art skenografik ku aty është pjesëmarrëse edhe ekrani ose elektronika, por e kundërta në Shqipëri ashtu si dhe ku në muzikë ka marrë përmasa tallavaja, ose në aspekte të tjera të artit. Ajo lloj skenografia që atëherë bëhej me beze, dërrasë, etj, ashtu bëhet dhe sot, me peçikllas, me dërrasë, me hekur, beze. Çfarë ka lëvizur? Ka lëvizur kurimi, estetika, materiali, ka lëvizur gjetja, shija, por elementët janë po ato. Një skenograf nëse di të krijojë ai krijon si 20 vjeç ashtu dhe 90. Nëse nuk krijon, ne themi që ai nuk arrin të krijojë dot.

-Ju treguat që e keni nisur punën në RTSH, që në vitet ’80. Sot si e shikoni?

RTSH duhet të kuptohet edhe një institucion arti, siç është opera, teatrot, kështu dhe RTSH. Obligimi i RTSH në sferën artistike është po i njëjti, që ka pas qenë dikur ose duhet të jetë. Por në fakt nuk është kështu. RTSH ka hequr dorë nga konkurset, ka hequr dorë nga zgjedhja e profesionistëve, nga organika e të zgjedhurit, e elementit më të mirë dhe më frytdhënës. Kështu që RTSH tani është kthyer në një instrument të paaftësisë. Pavarësisht se ju shikoni që janë hapur disa kanale në RTSH, por në fund të fundit çfarë na sjellin këto kanale, sepse këto i drejtojnë njerëz që nuk njohin ekranin, imazhin, gazetarinë. RTSH është imazh mbi të gjitha. Nëse nuk je në krye që të udhëheqësh një imazh dhe ta menaxhosh atë, atëherë RTSH sigurisht që nuk do të shihet.

-Sa përgjegjësi ka sipas jush drejtori i RTSH për gjendjen me probleme, që ju thoni?

Unë mendoj që vetëm reforma nuk pati RTSH. Ajo ishte thjesht një rishpërndarje miqsh, interesa të miqve, interesa ekonomike, interesa abuzive. Por reformimi është në koncept. Pra çfarë mekanizmash ke ndërtuar apo ke afruar, që ky institucion të shfaqet në të gjitha vlerat dhe mundësitë që ka. Në stafet drejtuese në RTSH ka vend për të aftë, që japin dhe kanë vizion. Patjetër që ka abuzime në RTSH, sepse nuk funksion siç ka pas funksionuar.  Kush është drejtori i TVSH ai vendoste çdo lloj gjëje, por nuk është kështu, sepse nuk mund ti bësh të gjitha. Sado që të jesh i zoti ke firmën ekzekutive në fund, ndërsa përgjegjësitë për skenarin, skenografinë, regjinë, kameran, ndriçimin, nuk je personi që duhet ti marrësh në dorë. Aty kjo ka qenë një skandal, sa kalojnë vitet aq më keq dhe është bërë. Po të bëhesh drejtor i televizionit shqiptar ti kishe kamerën, ndriçimin, skenografinë, regjinë, etj, por është e pamundur. Në botë kjo nuk ndodh. Janë ekipe realizuesish, të cilët janë ata që vendosin firmën që ky emision do të dali dhe do të dali në këtë mënyrë. Edhe në drejtimin e drejtorit Thoma Gëllçi unë e pashë në sferën time RTSH, në lidhje me arkitekturën mendoja që tashmë do ti kthehej së kaluarës, jo se do të më merrte mua skenograf, këtë se mendoj, por unë gjykoja që do ti kthehej konkursit. Pra nëse ne kemi festivale duhej të kthehej konkursi, cila skenografi më interesante, cili regjisor ka një platformë më interesante se ky tjetri, cili skenar më interesant, etj. Pra dhe në stafe në RTSH cili është interesant, sepse mund ta bësh festivalin dhe me një staf privat, por dhe ai duhet të konkurrojë. Në rast se stafi jot i brendshëm të del i paaftë nga ai privat atëherë zëvendësoje.

-Ju e shikoni RTSH?

Zakonisht unë shikoj vonë në televizion. I vizionoj shumë stacione jo vetëm RTSH, sepse i mbaj nën kontroll për të parë ku janë, ku kanë arritur, çfarë sjellin, çfarë fryme ose imazhesh. E shikoj RTSH, por me vjen shumë keq që është jashtëzakonisht larg e asaj që të paktën ne kemi qenë. Unë mund të marr kampionatin e futbollit, që shikoja skenografinë vetëm dy ekrane në studio, në një kohë që ne atëherë kemi bërë skenografinë dekor, siç bëhej dekori në studio. Patjetër që ishin dhe ekranet, por bëhej skenografi. Madje më habit, se Thoma Gëllçi siç erdhi dhe iku pa ngulur një gozhdë në RTSH. Ai mund të ketë ngulur gozhda për interesa të veta, por gozhdë për RTSH nuk ma merr mendja se nguli.

-Me këto probleme që ju pohuat, sipas jush sa e ka kryer RTSH misionin e vet te publiku?

 Për mendimin tim RTSH nuk e ka kryer misionin e vet për publikun. Një nga defektet kryesore është sepse e mbyt dhe politika.  

-Kur jeni larguar nga RTSH?

Në vitin 2005 ne na mbyllën si sektor i skenografisë, që ka qenë profesional dhe i zhvilluar. Kemi qenë një repart shumë i mirë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here