TKOB: Opera “Don Giovanni” premiera e 1999, një bashkëpunim shqiptaro-austriak

0
16

Opera “Don Giovanni”  është një produksion i vitit 1999, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në një material që ka publikuar teatri për këtë shfaqje operistike, thotë ndër të tjera se ishte në skenë me një bashkëpunim të suksesshëm. “Premiera e kësaj opere ishte një bashkëpunim i suksesshëm shqiptaro – austriak, një triumf i plotë i “Don Giovanit” në skenën e TKOB. Regjisori i kësaj vepre Paul Flieder do të theksonte ndër të tjera: “Kjo është premiera e vërtetë e “Don Giovanni” në skenën shqiptare””, shkruan TKOB që ka publikuar dhe foto nga shfaqja e asaj kohe. Kompozitor në vepër W.A. Mozart; libreti Lorenzo da Ponte; dirigjent Bujar Llapaj; regjisor: Paul Flieder; skenograf Otto Sujan; mjeshtre kori Suzana Turku. Rolet dhe interpretët- Don Giovanni: Marcus Bruck,  Sokolin Asllani, Dritan Luca; Donna Anna:  Etleva Golemi, Mirela Tafaj; Don Ottavio: Josif Gjipali, Adrian Xhema; Commendadore: Fatmir Cara, Ylber Gjini; Donna Elvira: Sonila Baboçi, Shpresa Beka; Leporello: Adrian Ibrahimi, Avni Shehu; Masetto: Avni Shehu, Renis Hyka; Zerlina: Brunilda Hital, Ines Mitro, Orjana Kurteshi, Isolta Yzeiri. “Don Giovanni”, opera me 2 akte nga Wolfgang Amadeus Mozart, shkruar në vitin 1787 dhe shfaqur për herë të parë në vitin 1787. Don Zhuani, një fisnik i ri, arrogant dhe seksualisht i shthurur, abuzon dhe nëpërkëmb çdo njeri derisa takon diçka që nuk mund ta vrasë ta mundë apo ta manipulojë…Morali i operës vjen në fund të shfaqjes: “Ky është fundi i një të ligur: vdekja e një mëkatari gjithnjë i përngjan jetës së tij (“Questo e il fin di chi fa mal, e de’ perfidi la morte alla vita e sempre ugual”). Mozart, ishte një kompozitor i shquar dhe me ndikim gjatë epokës moderne. Ndër 19 operat më të njohura të shkruara prej tij dallohen “Rrëmbimi nga Saraji”, “Dasma e Figaros”, “Don Zhuani”, “Kështu bëjnë të gjitha”.

 “Fiamuri Arbërit”, pasqyroi probleme dhe të kaluarën historike

Më 20 korrik të vitit 1883 nisi botimin “Fiamuri Arbërit”. Qendra e Studime dhe Publikimeve për Arbëreshët shprehet se kjo revistë u botua në Koriliano-Kalabro nga 1883 deri më 20 gusht 1885, dhe në Kozencë nga 20 shtator 1885 deri më 15 nëntor 1887. “Në këtë të përkohshme, u pasqyruan probleme mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar, mbi luftën për autonomi kombëtare, mbi përpjekjet e atdhetarëve në lidhje me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. “Fiamuri Arbërit” ka rëndësi jo vetëm se ka hyrë në historinë e shtypit shqiptar si e përmuajshmja e parë letraro-politike, por sepse shprehu pikëpamjet politike të rilindasve”, shprehet QSPA. E përmuajshme e De Radës, me gjithë censurën, arriti të shtrihej tej Italisë, në Shqipëri, në Ballkan deri edhe në Amerikë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj