Dy ditë më parë ka ndodhur një aksident ku një efektiv policie, ka përplasur me motor 33 vjeçarin në Durrës, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Lidhur me këtë ngjarje, ditën e sotme ka ardhur reagimi nga Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës-Kavajë.
Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës-Kavajë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, referoi materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të policisë, i arrestuar në flagrancë, Inspektor P. P., 52 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”; “Drejtim i mjetit motorik në mënyrë të pa rregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit“.
Arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor P.P. u krye pasi më datë 06.06.2021, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 18, rruga “Sulejman Pitarka”, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar rëndë një shtetas 33-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se punonjësi i policisë P. P. ka qenë nën efektin e pijeve alkolike dhe pasi ka kryer aksidentin është larguar nga vendngjarja.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.









































