Juristi Romeo Kara ka nisur të publikojë provat që ka dorëzuar në prokurori për aferën CEZ-DIA. Gazeta informoi pak ditë më parë se SPAK ka nisur të hapë dosjen e aferës CEZ-DIA dhe një provë vendimtare aty është një deklaratë e Vojsava Ismailajt, gruaja e administratorit të DIA, Kastriot Ismailaj, tashmë i dënuar nga gjykata. Ai është i vetmi që u dënua për aferën CEZ-DIA, pasi asnjë zyrtar tjetër nuk u ndëshkua. Ajo që pati kurajo ishte gruaja e tij, e cila në një intervistë vite më parë ka rrëfyer gjithçka. Kara ka hedhur dje në rrjetet sociale intervistën duke deklaruar: “Në minutat 4-5 dhe 9-10 të intervistës së saj, gruaja e Ismailajt pohon qartë se, Ilir Meta ndikoi pranë ERE për të ulur çmimin e shitjes së energjisë nga KESH-i tek CEZ-i dhe se CEZ-i i ofroi një pagesë Ismailajt me kusht qe ai t’ua kalonte ato para njerëzve të pushtetit pas tij. Ky është edhe thelbi i kallëzimit tim, lidhur me aferën DIA-CEZ, të dorëzuar në prokurori, disa javë përpara se të njihesha me këtë video”. Zonja në fjalë në intervistë ka treguar me detaje se si presidenti ka ndërhyrë në këtë aferë. Ajo ka dhënë detaje për SMS, telefonat dhe lëvizje të tjera të Metës, në atë kohë ministër i qeverisë “Berisha”. “Kastrioti e kishte mik Ilir Metën dhe deri në fund të vitit 2012 marrëdhëniet e tij me Ilir Metën kanë qenë tepër të ngushta. Qysh në kohën para se të bëhej kryeministër apo dhe person i rëndësishëm në politikë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESSH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro”, shprehet ajo në video.
Dëshmia e fortë
E pyetur nëse të tilla detaje ia ka thënë vetë bashkëshorti, ajo u shpreh se ekzistojnë mesazhe që i vinin Ismailajt në celular nga vetë Meta. “Jo vetëm nga ai. Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale… Atë që mund të them unë është se në kohën që u prish kontrata e DIA me CEZ, Kastrioti ka qenë shumë i shqetësuar se Ilir Meta i kërkoi një shumë të madhe eurosh”, tha Vojsava Ismailaj. Ajo u ndal dhe të gjyqi në Arbitrazh. Sipas zonjës, ka ndërhyrë sërish Meta në këtë mes. Ajo ka deklaruar se Kastriot Ismailajt i janë ofruar para për ta mbyllur me marrëveshje çështjen, por një pjesë të tyre i kërkonte Meta. “Së pari sqaroj se që në korrik 2015, avokatët e DIA-s u tërhoqën nga mbrojtja në arbitrazh pasi që nga shtatori 2014 kur llogaritë e Kastriotit u bllokuan, DIA nuk kishte më mundësi të paguante. Gjithashtu arbitrazhi i Vjenës vendosi të njohë marrëveshjen e bërë nga shteti shqiptar me znj. Rebeka Gain në dhjetor të 2014 për tërheqjen e DIA-s nga arbitrazhi. Unë nuk e di se çfarë ka marrë apo çfarë i është premtuar në këmbim zonjës Gain, por di se përpara se të bëhej kjo marrëveshje me të në dhjetor 2014 edhe Kastriotit i janë ofruar disa herë për ta mbyllur arbitrazhin me marrëveshje, në këmbim të një shume më të vogël se ajo e kërkuar prej tij në arbitrazhin e Vjenës. Kastrioti nuk pranoi, sepse nga ana tjetër iu kërkua që këtë shumë ta ndante tek persona të veshur me pushtet, që do të bënin të mundur marrëveshjen siç ishte zoti Meta p.sh”, tha ajo më tej.