Pas deklaratës së të enjtes në Parlamentin e Bjellorusisë se shefi i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin duhet që të vizitonin Bjellorusinë në mënyrë që të takohen me të dhe të zhvillojnë një diskutim të ndershëm, presidenti bjellorus Aleksandar Lukashenko ka vizituar ditën e djeshme Kremlinin. Lideri bjellorus ka vizituar ditën e djeshme Rusinë në kuadër të një takimi të pa paralajmëruar me shefin e Kremlinit Putin. Vizita e Lukashenkas në Rusi vjen ndërkohë që perëndimi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e kanë dënuar ashpër uljen e një avioni civil me arsyetimin se në bord kishte bombë, gjë që rezultoi e poavërtetë dhe konkludoi në arrestimin e gazetarit opozitar bjellorus Raman Pratasevich. Operacioni i ndërmarrë nga Bjellorusia është konsideruar pirateri ajrore e drejtuar nga shteti dhe arrestimi i gazetarit është konsideruar pengmarrje nga shtetet perëndimore. Sipas VOA, po ditën e djeshme, pra pas mbërritjes në Rusi të Lukashenkos, autoritetet ruse refuzuan të lejojnë dy avionë të vendeve të Bashkimit Evropian që të kalonin në Moskë dhe të shmangnin përdorimin e hapësirës ajrore të Bjellorusisë. Autoritetet ruse refuzuan të lejojnë një avion të Austrian Airlines nga Vjena dhe Air France nga Parisi që të uleshin në Moskë dhe fluturimet u desh të anuloheshin, thanë kompanitë. Megjithëse Rusia tha se bëhej fjalë për probleme teknike, veprimi duket të jetë shenjë mbështetjeje për qeverinë e Minskut. Shefi i punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është shprehur se nuk e di nëse këto janë incidente të izoluara. “Ishte një konfuzion i madh në trafikun ajror, por ende nuk e di nëse po bëhet për raste specifike, apo është një normë e përgjithshme nga autoritetet ruse për t’i bërë aeroplanët evropianë që të përshkojnë hapësirën e Bjellorusisë”, tha ai para se të hynte në një takim të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së. Borrell shtoi se duhet pritej për të parë nëse ishte e nevojshme të merreshin masa. Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko tha se “situata është pothuajse absurde” duke iu referuar mungesës së fluturimeve me me Rusinë, për shkak të pandemisë. “Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me presidentin Putin për këtë çështje, sepse një situatë e vështirë na shtyu të marrim masa”, tha ai duke folur për vendimin e BE-së për të mos përdorur hapësirën bjelloruse dhe mundësinë për rivendosjen e lidhjes ajrore midis Rusisë dhe Bjellorusisë. Rusia, një aleate e ngushtë i ka ofruar mbështetje verbale Minskut, ndërsa hedh poshtë spekulimet se ajo ishte vetë bashkëpunëtore në incidentin e Minskut.
BE ndryshon strategji ndaj Bjellorusisë
Kryetarja e opozitës bjelloruse, e detyruar që pas mbajtjes së zgjedhjeve në Bjellorusi që të largohej nga vendi si pasojë e frikës së pasojave që i kanoseshin, në fjalën e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian është shprehur të enjten se strategjia e deritanishme e përdorur nga BE kundrejt Lukashenkos ka rezultuar e pasuksesshme. Sviatlana Tsikhanouskaya i ka bërë thirrje deputetëve të PE që të shtojnë presionin mbi Lukashenkon në mënyrë që gjërat të ndryshojnë. Ndërkohë të premten, Bashkimi Evropian tha se është i gatshëm të ofrojë të paktën tre miliardë dollarë për Bjellorusinë, kur shteti t’i kthehet rrugës së demokracisë dhe të fokusohet në sundimin e ligjit, reformat në gjyqësor, të ristrukturojë ndërmarrjet shoqërore dhe shpenzimet në infrastrukturë. Blloku evropian po ashtu është duke punuar që të sanksionojë më shumë njerëz dhe kompani që janë të lidhur me regjimin në Bjellorusi. Plani i BE për Bjellorusinë ndahet në tri shtylla. E para fokusohet në rimëkëmbjen ekonomike të Bjellorusisë, ku ndihma makro-financiare e BE-së do të ndihmojë në stabilitetin makro-ekonomik dhe do të forcojë situatën fiskale. Në shtyllën e dytë fokusi është në ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore, të tilla si bankat, ku kërkohet përmirësimi i të drejtave pronësore, reforma në administratën publike, në sundimin e ligjit dhe reforma në gjyqësor. Ndërkaq, shtylla e tretë përfshin investime konkrete në sektorë specifikë, siç është mbështetja e 20.000 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i lidhjeve të transportit etj.