Një zyrtare e lartë pastroi para përmes lidhjeve politike, ja skema që ndoqi dhe si pushtetarët bashkëpunojnë me krimin, zbardhet raporti

0
212

Shqipëria renditet mes shteteve ku lulëzon pastrimi i parave, por duket se e përfshirë është edhe politika. Drejtoria e Pastrimit të Parave, ka zbuluar gjatë vitit që lamë pas një rast flagrant të përfshirjes së një zyrtareje të lartë shtetërore, e cila falë mbështetjes politike ka tentuar të pastrojë para përmes bashkëshortit. Në raport nuk jepet emri i zonjës në fjalë, por ajo emërtohet me shkronjën B. Ndërsa bashkëshorti i saj me shkronjën A. Sipas raportit, shtetasi A, bashkëshort i shtetases B, ish-PEP (Person i Ekspozuar Politikisht) në pozicion të lartë drejtues në një institucion publik X, rezultonte të kishte nënshkruar disa kontrata noteriale huaje, në cilësinë e palës huamarrëse me qëllim jo të qartë për sa i përket marrjes dhe përdorimit. Si huadhënës, shfaqeshin shtetas të njohur për Drejtorinë e Pastrimit të Parave, si të përfshirë në dyshime për pastrim parash. Më tej theksohet se duke lindur dyshime, u kryen verifikime të mëtejshme nga ku rezultoi se shtetasi A, kishte regjistruar një person juridik, që ushtronte veprimtari në fushën e ndërmjetësimit, e emërtuar “DX”. Shoqëria “DX” më tej lidh një kontratë huaje nëpërmjet së cilës do t’i huazonte vlerën prej 40,000 EUR një shoqërie tjetër “EX”, e cila do të kryente një pagesë në favor të një institucioni publik për një leje të miratuar në favor të shoqërisë. Verifikime të mëtejshme treguan se leja e miratuar, lidhej drejtpërdrejt me interesat pasurore të

shtetasit A. Më tej, shtetasi A, bleu shumicën e kuotave të shoqërisë “EX” (të cilës i kishte dhënë hua, nëpërmjet shoqërisë “DX”), në vlerë 1 milion EUR, duke përforcuar dyshimet për krijimin e një skeme me qëllim humbjen e gjurmëve lidhur me përfituesit fundorë të lejes, mënyrës së grumbullimit të fondeve dhe arsyet e huadhënieve në favor të një subjekti, të cilit i mungonte eksperienca e duhur në sipërmarrjen e iniciuar rishtazi. Kjo bazuar në: Krijimin e një veprimtarie ekonomike në një fushë që nuk përputhej me profilin e mëparshëm të individit; Investimi në një shoqëri të dytë, e cila më herët kishte përfituar nga një leje e dhënë nga një Ent Publik; Origjina e huazuar e fondeve nga subjekte me profil të dyshimtë dhe përdorimi për investimet e kryera në biznes; Lidhja familjare me një ish-person të lidhur politikisht. Drejtoria e Pastrimit të Parave informon se në fund u krijua dyshimi se bëhet fjalë për një skemë të pastrimit të parave dhe informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Lidhjet me krimin

DPPPP në raport ka zbuluar dhe për lidhje të politikës me krimin. Një shtetas, i identifikuar me shkronjën A, i njohur për organet ligj zbatuese për përfshirjen në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike si dhe për lidhjet e tij me persona me precedentë kriminalë rezulton të jetë larguar nga Republika e Shqipërisë duke jetuar prej vitesh jashtë vendit. Nga të dhënat e DPPPP rezultoi se shtetasi A, kishte kryer investime të konsiderueshme në pasuri të

paluajtshme. Ai kishte caktuar shtetasin B, të vepronte si përfaqësues me prokurë në Shqipëri, për shitjen e pasurive të tij të paluajtshme dhe më pas kalimin e fondeve. Ndër vite si blerës për pasuritë e zotëruara nga shtetasi A, shfaqeshin shtetas të ndryshëm, ndërkohë nga një analizë e thelluar për rastin u vu re se në vitin 2019, si blerës rezultonin dy shtetas të huaj E dhe F, te cilët fillimisht u dukën si blerës rastësorë, pa një lidhje midis tyre, të cilët nuk mund të kishin dijeni efektive rreth profilit të palës shitëse. Nga verifikimet e mëtejshme të kryera rezultoi se shtetasit E dhe F, menjëherë pas blerjes së pasurisë nga shtetasi A, i rishitën këto pasuri. Me të ardhurat e fituara, shlyenin detyrimet ndaj shitësit A. Vlera e katër prej pronave të shitura kalonte vlerën 3 milionë EUR. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasit E dhe F rezultonin me lëvizje të përbashkëta. Nga media publike, shtetasit e huaj shfaqeshin si biznesmen të njohur dhe me dyshime për lidhjet e tyre politike. Edhe kjo dosje i ka kaluar prokurorisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here