Paraqitje premtuese e kuqezinjve, sinjale Silvinjos para Europianit

0
61

Europiani po afron dhe lojtarët e Kombëtares po bëjnë përpjekje të kapin sa më shumë minuta në këmbët e tyre dhe të kenë sa më shumë aktivizim si titullarë në ekipet ku aktivizohen, në mënyrë që ta kenë të garantuar ftesën nga trajneri Silvinjo. Europiani do të nisë zyrtarisht më 14 qershor, por grumbullimi i skuadrës do të ndodhë të paktën dy javë para. Madje një pjesë e lojtarëve do të jenë të gatshëm që në fund të majit, pasi të mbyllin angazhimet e tyre me skuadrat në kampionatet ku aktivizohen. Parë në këtë kuadër, lufta për një vend në listën e Silvinjos është shumë e madhe. Për këtë futbollistët duan që të mbyllin një edicion të suksesshëm dhe të shijojnë Europianin e Gjermanisë. Jo të gjithë do ta kenë luksin të kenë emrin në listë, pra të ftohen, por një pjesë e titullarëve që janë në Itali padiskutim që do të ftohen, sepse janë ajka e ekipit tonë kombëtar. Disa pikëpyetje ekzistojnë, por këto do të zgjidhen nga trajneri brazilian i Kombëtares, Silvinjo, në momentin e fundit para se të ndodhë grumbullimi përfundimtar.

Fundjava ka qenë e mbushur plot me zhvillime për lojtarët e Kombëtares shqiptare të impenjuar me klubet e tyre në Europë dhe jo vetëm, teksa shumica e kuqezinjve janë aktivizuar, duke qenë edhe këtë herë protagonistë.

Kumbulla e Asllani titullarë në Serie A

Në sfidën Sasuolo – Interit, Kristjan Asllani dhe Marash Kumbulla ishin dy lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes. Dy futbollistët e Kombëtares u aktivizuan titullarë me skuadrat e tyre dhe zhvilluan një paraqitje shumë të mirë. Pavarësisht humbjes së Interit, Kristjan Asllani ishte lojtari që u vlerësua me notën më të lartë 7,5 nga sajt i specializuar për statistikat sofascore, ndërsa Marash Kumbulla me notën 7.4 duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e Sasuolos. Ky nuk ishte i vetmi lajm pozitiv nga kampionati italian për trajnerin Silvinjo, pasi këtë fundjavë në fushë u rikthyen edhe Ardian Ismajli dhe Ylber Ramadani duke lënë pas dëmtimet. Të dy u aktivizuan si titullarë dhe zhvilluan paraqitje shumë të mira.

Hoxha spikat në Kroaci

Arbër Hoxha shënoi golin e parë në kampionat me Dinamo Zagreb në sfidën ndaj Rijeka. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në fushë në të 87-të kur ndeshja ishte në barazim 1-1 dhe vetëm pas dy minutash shënoi golin e fitores. Një realizim shumë i rëndësishëm për Arbër Hoxhën pasi tani skuadra e tij Dinamo Zagreb është shumë pranë titullit kampion.

Manaj mjaftohet me një asist kundër Gallatasarait

Rei Manaj la shenjë sërish këtë fundjavë me Sivaspor në takimin ndaj Gallatasarai. Sulmuesi kuqezi asistoi në golin e vetëm të shënuar nga skuadra e tij në humbjen 6-1 kundër kryesuesëve të kampionatit turk.

Laçi protagonist në fitoren e Spartës së Pragës

Qazim Laçi ishte protagonist në fitoren e thellë 4-2 të skuadrës së tij Sparta Prague ndaj Slovacko. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 61-të dhe i mjaftuan vetëm dy minuta në fushë për të dhënë asistin e golit të tretë të shënuar nga Haraslin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here