Tirana rrezikon ta hedhë në “erë” sezonin, i duhen dy fitore për të hyrë në “Final Four”

0
59

Kampionati po shkon drejt fundit. Mbeten edhe dy xhiro për tu luajtur dhe skuadrat po bëjnë llogaritë e tyre. Një ekip është në garë për të dy trofetë, e këtu bëhet fjalë për Egnatian, kurse të tjerë duan të jenë në tri vendet e para në kampionat për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Natyrisht, vendi i parë, pra fituesi i titullit, do të ketë mundësinë të prezantohet në Champions League. Ndërkohë që Egnatia, Vllaznia dhe Partizani do të diskutojnë titullin, duket se një ekip e ka humbur disi busullën, pasi nuk është në garë në Kupë dhe nuk është as në garë për titullin, por ka vetëm një shans për Europën nëse lufton për vend të tretë, objektiv që sa vjen e zvogëlohet si mundësi. Kjo skuadër është Tirana, e cila po kalon një krizë të brendshme, një krizë besimi, dhe duket e bardheblutë po vuajnë jo pak në këtë periudhë. Mbeten edhe pak ndeshje në dispozicion dhe aktualisht Tiranës i duhen të paktën dy fitore për të qenë në “Final Four”. Nëse nuk ia del ka dështuar në çdo aspekt këtë sezon dhe duhet të bëjë revolucion të thellë në shumë struktura të saj.

Shanset për të dalë nga kriza

Pyetja shtrohet: cilat janë alternativat që Tirana, t’ia dalë më e pakta të futet në top-4 e të luftojë për një vend në Europë? Bardheblutë janë të gjashtit me 46 pikë, një më pak se Skënderbeu dhe Dinamo. Skuadra nënkampione duhet të fitojë të dyja ndeshjet dhe të shpresojë që dy skuadrat para saj të ngecin të paktën në një ndeshje, qoftë edhe barazim. Në çdo rast, bardheblutë duhet të barazojnë me pikë si blutë dhe korçarët. Tirana luan me Vllazninë dhe Egnatian. Si njëra dhe tjetra rrezikojnë vendet 1-2 dhe do të kërkojnë fitoren. Egnatias i duhet një trepikësh që të jetë e para e Superiores, por këtë javë luan me Dinamon dhe më pas me bardheblutë. Vllaznia luan me Tiranën dhe e mbyll me Skënderbeun, me një situatë më të lehtë. Partizani është jashtë gare, pasi luan me Kukësin dhe Erzenin e ka dy fitore të sigurta, duke shkuar në 63 pikë. Dinamo ashtu si Tirana ka Egnatian dhe Teutën në transfertë. Skënderbeu pret Laçin dhe shkon në Shkodër. Korçarëve u duhet një fitore ose dy pikë të shpëtojnë nga “play out”, pasi e ka të vështirë “Final 4”. E përsëritim, Tirana shpreson te gabimi i dy skuadrave para saj, por duke marrë gjashtë pikë të plota do të jetë e sigurt në “Final 4”. Kjo, sepse Teuta pas saj me 44 pikë mund ta kalojë dhe të shkojë në Europë. Teorikisht, Dinamoja, Skënderbeu, Tirana, Teuta e deri te kurbinasit janë në vorbullën e fundtabelës dhe “play out”-it. Laçi ka kalendarin më të lehtë, pasi luan me Skënderbeun dhe pret Kukësin. Bardheblutë me pikë të plota janë para Dinamos, Skënderbeut, Teutës, por i zhyt Laçi, të cilin nuk e kanë mundur asnjëherë. Tirana ka gabuar shumë këtë edicion, por këtë herë duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Vllaznisë. Këto 180 minuta të fundit janë vendimtare dhe bardhebluve u del për detyrë të bëjnë maksimumin dhe të sigurojnë zonën “final four”. Ndoshta është mundësia e vetme, prandaj duhen dy fitore në seri për të rihyrë në vallen e objektivave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here