Zbardhet dosja me 41 faqe e PS kundër Ilir Metës, nga nxitja e vrasjes në Elbasan, te thirrjet për dhunë dhe përplasjet me Yuri Kim

0
194

Zbardhet dosja me 41 faqe që Partia Socialiste do të përdorë si “armë” kundër presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej kohësh është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit, ndërsa përveçse është marrë me fushatë elektorale, ka bërë herë pas here edhe thirrje për kaos dhe përmbysjen e qeverisë me dhunë. Por kjo qasje dhe sjellje e presidentit Meta duket se nuk është kapërdirë dot nga mazhoranca socialiste, pasi pas paralajmërimit të lëshuar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama se shumica socialiste do të nisë proceduarat për ta shkarkuar si president, është hedhur hapi i radhës. PS ka konkretizuar dje nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, ku janë plot 49 deputetë të Partisë Socialiste të Parlamentit aktual që kanë firmosur dhe mbështesin me forcë kërkesën për të ngritur një komision hetimor kundër kreut të shtetit. Socialistët pretendojnë se presidenti Meta ka kryer shkelje të Kushtetutës, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, ndërkohë që gazeta ka siguruar dosjen e plotë, ku renditet me argumente në plot 41 faqe, gjithë veprimtari anti-ligjore e Metës dhe arsyet se përse ai duhet shkarkuar.

Thirrjet e Metës nxitën vrasjen në Elbasan

Kështu, në dosje thuhet se nisma për shkarkimin e presidentit Ilir Meta vjen me qëllimin e sigurimit të besueshmërisë së popullit te roli i kreut të shtetit dhe si një nevojë e shteti të së drejtës. Po ashtu, socialistët që kanë firmosur shprehen se janë të bindur se presidenti Meta gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, siç janë thirrjet e tij për dhunë apo edhe gjuha e ashpër e përdorur që solli edhe vrasjen në Elbasan. “Kjo situatë pa diskutim që mund të përdoret nga subjektet politike për manovra që pengojnë zgjedhjet sipas interesave të ngushta partiake, të dëmtojnë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe rrezikon krijimin e precedentëve të rrezikshëm për demokracinë, ku zgjedhjet e lira dhe periodike janë një nga themelet e mirëfunksionimit të saj. Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në kërkesë.

Meta kërkoi dhunë dhe cenoi raportet me ndërkombëtarët

Po ashtu, socialistë akuzojnë presidentin Ilir Meta se ka bërë thirrje për dhunë dhe deklarata këto që sipas tyre, kanë ndikuar në raportet mes Shqipërisë dhe ndërkombëtarët, duke i cenuar ato. “Mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, policisë, përfaqësuesve të misioneve diplomatike, çuan në cenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me botën dhe cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon. Këto mesazhe, sjellje dhe akte të përsëritura të Presidentit në abuzim, tejkalim dhe shkelje të kompetencave të njohura nga Kushtetuta konsistojnë në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Ligjeve të vendit”, thuhet në kërkesë. Ndërkohë në dosje, si argument socialistët kanë renditur edhe thirrjet politike të Metës, që sipas PS, ka bërë hapur fushatë elektorale në dobi të opozitës. “Presidenti ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që ka Kushtetuta dhe që ia ka veshur Presidentit të Republikës. Ky i fundit në vend që të ishte neutral, i paanshëm dhe i pavarur, ka nxitur konfliktin. Ai zhvilloi aktivitet partiak dhe tregoi anësinë e tij për opozitën e vendit”, thuhet në dosje. Ndërkohë në dokumentin e firmosur nga 49 deputetë të Kuvendit për të nisur procedurat për shkarkimin e Ilir Metës janë bashkëngjitur një sërë provash që sipas firmëtarëve vërtetojnë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij politike, sikundër është thirrja që qytetarët duhet të mprehin sfurqet dhe lopatat për të mbrojtur votën.

Përplasjet me Yuri Kim

Por në kërkesën që 49 deputetë të Partisë Socialiste i kanë dërguar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, si prova që do përdoren, janë edhe deklaratat e kreut të shtetit ndaj ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo e fundit i kërkoi presidentit të mos përmendë më “sfurqet”, ndërsa Meta iu përgjigj live në një studio televizive, duke i kërkuar që të mos merrte në mbrojtje kryeministrin Edi Rama. “Tani live sapo më shkruajti ambasadorja Yuri Kim për të mos përmendur më sfurqet. I them ambasadores amerikane live që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën. Meqë më dërgoi live sms i them ambasadores amerikane mos e mbështet Edi Ramën. E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme. Deklarata e Yuri Kim është një turp dhe e ftoj ambasadoren të vijë tani live në studio bashkë me Edi Ramën të ballafaqohemi para shqiptarëve”, argumentohet në kërkesë.

49 deputetët që kërkojnë shkarkimin e Metës

1.      Taulant Balla

2.      Alket Hyseni

3.      Elisa Spiropali

4.      Ulsi Manja

5.      Lindita Nikolla

6.      Artemis Malo

7.      Eduard Shalsi

8.      Bujar Çela

9.      Arben Kamami

10.  Sadi Vorpsi

11.  Olta Xhaçka

12.  Ervin Bushati

13.  Adelina Rista

14.  Klodiana Spahiu

15.  Spartak Braho

16.  Edlira Bode

17.  Tatiana Piro

18.  Ismet Beqiraj

19.  Roland Xhelilaj

20.  Xhevit Bushaj

21.  Aurora Mara

22.  Edmond Leka

23.  Jurgis Çyrbja

24.  Almira Xhembulla

25.  Erion Braçe

26.  Ermonela Felaj Valikaj

27.  Reme Lala

28.  Mirela Kumbaro

29.  Besnik Bare

30.  Eglantina Gjermeni

31.  Luan Duzha

32.  Florenc Spaho

33.  Ilir Ndraxhi

34.  Anduel Xhindi

35.  Ervis Kushi

36.  Antoneta Dhima

37.  Vilma Bello

38.  Feta Velaj

39.  Pandeli Majko

40.  Fadil Nasufi

41.  Luan Harusha

42.  Bledar Çuçi

43.  Klodeta Bushka

44.  Vasilika Hysi

45.  Vullnet Sinaj

46.  Eljo Hysko

47.  Ediola Brahaj

48.  Ardiana Jaku

49.  Milva Ekonomi

Ja dosja e PS kundër presidentit

1.      Z. Ilir Meta në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik, përkundrazi me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër mazhorancës në pushtet dhe popullit që atë e mbështet.

2.      Ky abuzim i hapur i kompetencave kushtetuese është tashmë kthyer në një traditë të konsoliduar të kreut të Shtetit, prerogativë që Kushtetuta ia njeh Kreut të Shtetit vetëm në disa raste të izoluara – si psh kthim ligjesh, mosakordim shtetësie etj- mekanizëm që ka si qëllim konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por në asnjë mënyrë si mjet i tij i presionit. Kjo sjellje abuzive ka krijuar një klimë të vështirë të funksionimit të institucioneve dhe dëme të konsiderueshme si në ekonominë e vendit ashtu edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë te institucioni i PR në veçanti dhe në demokracinë shqiptare në përgjithësi.

3.      Gjithashtu, z. Ilir Meta nëpërmjet akordimit pa asnjë procedurë të titujve dhe dekoratave apo dhënien e shtetësisë shqiptare për persona të cilët nuk përmbushin kriteret ligjore apo nuk kanë kaluar nëpër procedurat e kontrollit ligjor tregon qartë abuzimin e Z. Ilir Meta me kompetencat kushtetuese të PR. Në një rast flagrant të tejkalimit të kompetencave kushtetuese nga PR, Kuvendi i Shqipërisë, për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, nëpërmjet Rezolutës së datës 13 qershor 2019 i bëri thirrje Z. Ilir Meta të rikthente ligjshmërinë në institucionin e PR.

4.      Me të njëjtën frymë të abuzimit dhe tejkalimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Z. Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë.

5.      Siç rezulton nga rrethanat e parashtruara më sipër dhe konkretisht në statusin e PR në rrjetet sociale, në intervistën e dhënë në kanalin me transmetim kombëtar dhe kohë transmetimi “prime time” me shikueshmëri të konsiderueshme, PR qartësisht në vend të mbështesë apo koordinojë punën e tre pushteteve i etiketon si “banda në pushtet”, “banda e rilindjes”, fton popullin të kryejë referendum në 25 prill që t’i japi fund pushtetit të bandave, fton popullin t’i bëjë vetëgjyqësi duke u kujtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve se edhe ata do hetohen pas datës 25 prill.

6.      Presidenti ka cenuar rëndë barazinë e konkurrimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës Presidenti në vend se të ishte neutral, i paanshëm dhe i pavarur nxiti konfliktin, zhvilloi aktivitet partiak dhe tregoi qartë anësinë e tij për opozitën. Pavarësia e tij garantohet në mishërimin e parimit të përfaqësimit të unitetit të popullit, që nënkupton se Presidenti është i të gjithë popullit, pa iu referuar ndonjë orientimi politik të caktuar dhe se në vendimmarrjen përkatëse nuk duhet të mbajë kahje politike.

7.      Me aktet e tij, Presidenti mbajti qartësisht anën e opozitës parlamentare pasi rezulton nga çdo dalje apo mesazh i tij publik. Përveçse, Presidenti mbajti anën e opozitës dhe ai (presidenti) nuk përfaqëson më gjithë popullin, duke shkelur parimin e unitetit kombëtar, Presidenti mori përsipër të japë leksione demokracie që nuk ekzistojnë në asnjë vend demokratik. Zgjedhjet janë për popullin e jo për partitë. Një shtetar i përgjegjshëm duhet të shqetësohet nëse çdo shtetasi i krijohet mundësia reale të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e tij kushtetuese të zgjedhjes.

8.      Mesazhet publike të PR një ditë para ditës së votimit, e rregulluar ligjërisht si dita e heshtjes zgjedhore në respekt të të drejtës kushtetuese të individëve për të zgjedhur, intervistat e tij të shpeshta, në mediat print, audiovizive apo mediat elektronike, mesazhet ditore në rrjete sociale, të mbushura me etiketime ndaj figurave të larta shtetërore si Kryeministri, deputetë apo drejtues politikë të mazhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri si persona të shituar e të blerë nga mazhoranca apo Kryeministri, jo vetëm ulën besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik, i cili ka si funksion promovimin e imazhit dhe reputacionit të kombit të vet si brenda dhe jashtë vendit, por të publikuara edhe nga mediat e huaja cenuan rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjike të Shqipërisë si BE dhe SHBA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here