Bajer Leverkusen theu rekordin e pathyeshmërisë

0
68

Bundesliga këtë sezon dominohet nga skuadra e Bajer Leverkusenit, e cila me fitoren ndaj Eintraht Frankfurtit regjistroi edhe një rekord të ri jo vetëm në kampionatin gjerman por edhe në rang të kampionateve të UEFA-s, pra tyre europiane. Kështu, Bajer Leverkusen regjistroi ndeshjen e 48-të radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, duke barazuar rekordin e Benfikës së viteve 1963-1965. Skuadra portugeze mbante rekordin si skuadra me më shumë ndeshje radhazi pa humbje në të gjithë historinë që nga viti 1955 kur skuadrat u futën në UEFA. Aspirinat, të cilat kanë fituar titullin kampion në Gjermani, nuk u ndalën as nga Eintraht Frankfurt, në përballjen e javës së 32-të, ku triumfuan me rezultatin e thellë 1-5, teksa la shenjën e tij edhe Granit Xhaka me një gol spektakolar. Mesfushori shqiptar i Zvicrës shënoi një gol spektakolar, thuajse identik me atë që realizoi ndaj Serbisë në Botërorin e 2018-ës, kur ngriti në peshë zemrat e të gjithë shqiptarisë. E majta e Xhakës nga 22.09 metra ishte perfekte dhe mjaft e fortë, me një shpejtësi prej 118 km/orë, duke u ndalur në cepin e portës, me mesfushorin shqiptar që gjeti kështu golin e dytë sezonal, pas një tjetri gjithashtu spektakolar disa ditë më parë. Të besuarit e Ksavi Alonsos, po përjetojnë një sezon unikal dhe historik, teksa janë në garë dhe për dy trofe, pasi është në gjysmëfinalen e Europa League, ku ka fituar 0-2 në ndeshjen e parë në “Olympico”, ndërkohë që do luajnë dhe finalen e Kupës së Gjermanisë me Kaizerslauternin. Krahas trofeve, për “aspirinat” objektiv është dhe arritja e kësaj statistike tepër të veçantë. Në rast se dhe të enjten, Leverkusen nuk të mundet nga Roma në “Bay Arena”, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Europa League, atëherë Bajer Leverkusen do të bëhej skuadra me më shumë ndeshje radhazi pa humbje në Europë në të gjithë historinë e futbollit. Deri në fundin e sezonit, Leverkusen ka dhe 2 ndeshje në kampionat, finalen e Kupës, gjysmëfinalen e Europa League, dhe me shumë gjasa dhe finalen e Europa League. Leverkusen ka mundësinë për të mbyllur një sezon në mënyrë perfekte, që në plot kuptimin e fjalës mund të konsiderohet magjik. Nëse e mbyll pa humbje dhe nëse arrin të fitojë edhe Ligën e Europës, atëherë mund të thuhet se është një prej skuadrave më të mira të viteve të fundit, me rekorde historike në futbollin gjerman.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here