Rama: Plagosja në Kavajë e patolerueshme/ Basha të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë, Meta të ndalë fushatën idioteske të tensionimit

0
193

Kryeministri Edi Ram është distancuar dje nga ngjarja në Kavajë ku mbeti i plagosur një militant i Partisë Demokratike. Opozita fajësoi socialistët, por kryeministri përmes një reagimi në rrjetet sociale shprehet se kjo plagosje nuk ka lidhje me politikën. Ai ka ftuar Bashën që të jenë bashkë në mbështetje të drejtësisë, ndërsa i ka dërguar një mesazh edhe presidentit Ilir Meta. “Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit”, tha Rama dje.

Bashkëqeverisja PS-PD

Ndërkohë në mbrëmje kryeministri ishte i ftuar në studion e gazetarit Ilir Babaramo në “Report Tv”, ku foli për fushatën dhe ftesën ndaj liderit demokrat Lulzim Basha. Ai ka sqaruar se përse i ka vënë kush distancimin nga presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo ftesë nuk është kurth. “Unë nuk merrem me kurthe. Unë di që PS-ja do të fitojë zgjedhjet dhe unë di që dua dhe do të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo thjesht në sensin e të qenit shefi i qeverisë që punon për të gjithë se për të gjithë punojnë të gjitha qeveritë, por në sensin e të qenit kryeministri tek i cili të gjithë shqiptarët, pavarësisht se më kanë votuar apo jo, të shohin njeriun e bashkimit, jo të ndarjes, të shohin njeriun e solidaritetit me të gjithë dhe jo të përçarjes, të shohin njeriun që është pikë referimi për të gjithë. Këtë dua dhe do të bëj unë”, u përgjigj Rama.

Raportet me Metën

Kryeministri Rama i pyetur se pse nuk i ka kërkuar falje Metës në darkën e famshme të ‘ngjalave’ tha se ai nuk i përket një kategorie qenies të zakonshme, por të veçanta. “Unë nuk jam çdo qenie, Babaramo. Unë jam një qenie e veçantë. Dhe prandaj në shumë gjëra unë të mirëkuptoj ty dhe qeniet e tjera, që nuk arrini dot të mendoni që si mund të jetë një qenie ndryshe, por unë jam një qenie e veçantë, Babaramo. Unë i përkas një kategorie qeniesh të veçanta, të cilat kur janë marrë me politikë, janë marrë me politikë për disa motive që nuk janë motivet e politikanëve të zakonshëm. Dhe pikërisht janë këto qenie të veçanta që e kanë çuar përpara shoqërinë. Janë këto qenie të veçanta që kanë vënë gurë kilometrikë edhe në historinë tonë, qofshin si njerëz publikë, politikanë, artistë, shkrimtarë, intelektualë. Kështu që nuk jam i vetëm”, tha ai.

Qëndrimi për patronazhistët

Kryeministri u ndal dhe te debati për patronazhistët. Presidenti e ka sulmuar fort qeverinë për këtë çështje, ndërsa sipas Ramës nuk ka asgjë shqetësuese në këtë aspekt. “Patronazhistët janë në punën e tyre. Bëjnë detyrën e tyre, janë garancia e fitores sonë. Patronazhistët janë totalisht vullnetarë. Janë një figurë që është figurë kyçe e partive të organizuara dhe është një figurë e cila, besoj unë, nuk gaboj, ka marrë një rol të posaçëm edhe një, si të thuash, rol tërheqës edhe për shumë parti të tjera duke nisur nga partitë e mëdha amerikane, Partia Republikane dhe Partia Demokrate. Jo, patronazhistët nuk kanë asnjë lidhje me “duhet të na japësh votën që të të bëjmë legalizimin”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se të gjitha partitë, edhe në botë, punojnë me këtë sistem. “Në SHBA këta quhen kanverser dhe në Francë p.sh., dihet botërisht që fushata e Fransua Holondit (François Hollande) pati një vlerë të shtuar pikërisht sepse u mbështet te një rrjet i jashtëzakonshëm patronazhistësh dhe patronazhistësh nuk vënë kushte. Patronazhistët në komunikimin me qytetarët derë më derë, marrin perceptime. Pra, nëse konstatojnë që një qytetar ka një shqetësim, ka një hall, thotë p.sh., për rastin konkret: “Jam i dyzuar sepse kam kaq kohë që pres legalizimin” etj., etj., ata patjetër që shënojnë dhe të gjitha këto shqetësime dhe halle u përcillen deputetëve të zonave”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here