Drama “Galaksia” shpallet më e mira në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”

0
67

Shfaqja teatrore “Galaksia” e Teatrit Kombëtar u vlerësua si më e mira në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”. Që nga mbrëmja e datës 23 shkurt, deri më 15 mars shfaqje të ndryshme teatrore u prezantuan online për publikun. Morën pjesë shfaqje nga institucionet e teatrore në Shqipëri, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, por dhe projekte të skenës së pavarur. Drama dhe komedi ishin pjesë e këtij festivali, që këtë herë erdhi në një konkurrim online. Mbrëmjen e datës 16 mars u shpallën dhe çmimet e festivalit. Shfaqja më e mirë “Galaksia” – Teatri Kombëtar; regjia më e mirë- Dino Mustafiç; aktori protagonist më i mirë- Gëzim Rudi; aktorja protagoniste më e mirë- Olta Daku; aktori joprotagonist më i mirë- Gert Ferra; aktorja joprotagoniste më e mirë- Arta Muça; aktori më i mirë- Igli Zarka dhe Silvio Goskova (barazim). Në festival çmimi i karrierës ishte për aktorin e njohur Bujar Lako (postmortem). Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu On” erdhi si një maratonë teatrore dhe u mbyll me shpalljen e fituesve, për të cilët votuan vetë pjesëmarrësit. Nga 23 shkurti, shfaqjet më të mira të 20 trupave nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe nga skena e pavarur ishin livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe në Facebook-un e teatrove pjesëmarrëse. Festivali u organizua nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Për shfaqjen “Galaksia” TK shkruan se ishte një shfaqje mrekullueshme me regji nga Rovena Lule. “Teatri Kombëtar falenderon të gjithë stafin artistik, stafin teknik dhe administratën, të cilët, me modesti e përkushtim, kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në realizimin e “Galaksia” (skena nga një ekzekutim)”, e cila u shpall si shfaqja më e mirë në edicionin e parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”. Një shfaqje e mrekullueshme nën regjinë e Rovena Lule Kukës, interpretimin brilant të aktores shumë të dashur nga publiku, Olta Dakut, e cila u shpall gjithashtu “Aktorja më e mirë protagoniste” dhe Igli Zarkës i cili, për rolin e Carpetës te “Galaksia” u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë”. Falenderojmë pa masë të gjithë pjesëmarrësit, që me shfaqjet e tyre të mrekullueshme, ishin pjesë e këtij festivali të parë në llojin e tij”, shprehet TK.

Shfaqja “Galaksia”

Drama “Galaksia” shënoi premierën në shkurt të 2020, në skenë te “ArTurbina”. Me regji nga Rovena Lule, drama e autorit britanik Howard Barker luhet nga një kast aktorësh të njohur. Howard Barker është autor i shumë veprave, ku zhvillohen tematika si dhuna, seksualiteti, dëshira për pushtet dhe motivimi njerëzor, por drama “Galaksia” (skena nga një ekzekutim) është e cilësuar si më e mira e tij. Teatri Kombëtar për këtë shfaqje teatrore më herët shkruante se është një vepër tejet aktuale edhe pse ngjarjet e së cilës janë vendosur në Venecian e shekullit XVI, ajo flet edhe sot po njësoj. Vepra në qendër të saj ka piktoren e famshme Galaksia, të cilës i është dhënë si detyrë të pikturojë një pikturë për betejën e famshme të Lepantos. Konflikti kryesor është lufta e pushtetit, me krijimtarinë, me artistin! Vepra është me aktorët më të mirë të skenës sonë si Olta Daku, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Bujar Asqeriu, Raimonda Bulku, Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Vikena Kamenica, Paola Kodra, Niada Saliasi, Genti Deçka, Naun Shundi, Ardian Cerga, Bujar Hoxhaj, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Xhuliano Brisku, Juxhin Plovishti, Griseld Kapllanaj. Me regji nga Rovena Lule Kuka, as.regji Paola Kodra, skenograf Genc Shkodrani, kostumografë Laedja Hajdari, kompozitor Endri Sina dhe piktor Rael Hoxha.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj