Në prag të startit të ndeshjeve eliminatore për Botërorin e Katarit 2022, trajneri Edi Reja duket entuziast për kuqezinjtë, pasi pjesa dërrmuese e lojtarëve të skuadrës përfaqësuese po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre dhe fundjava që lamë pas ishte veçanërisht pozitive dhe produktive për shumicën e lojtarëve të sulmit. Në fakt, para pak ditësh Reja, në një prononcim për mediat kishte shprehur rezervat e tij për sulmin, duke qenë se futbollistit nuk kishin shprehur një nivel të lartë efikasiteti në këtë repart gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, por fundjava që lamë pas ishte sinjal pozitiv në këtë drejtim, sepse shumica e lojtarëve shënuan dhe ky është një paralajmërim për ndeshjet që po afrojnë, sepse në mars Shqipëria do të luajë zyrtarisht ndaj Anglisë dhe trajneri kërkon lojtarë sa më në formë. Dhe sulmuesit duket se po i përgjigjen, pasi Broja, Cikalleshi, Uzuni e ndonjë tjetër kanë shpërthyer me gola dhe asiste. Veçmas Uzuni po bën një paraqitje spektakolare, me gola e lojë brilante dhe me siguri që do të jetë titullar në mars në duelin ndaj Anglisë.
Performanca e kuqezinjve
Starti i eliminatoreve të Katar 2022 është vetëm një muaj larg dhe Edoardo Reja me të drejtë mund të buzëqeshë. Fundjava që sapo lamë pas ishte një nga ato fundjava që do të mbahen mend gjatë nga sulmuesit e kombëtares kuqezi. Sokol Cikalleshi një nga pikat më të forta në sulmin e Rejas te Shqipëria shkëlqeu në sfidën mes Yeni Malatajaspor dhe Koniaspor me një dygolësh duke i dhënë fitoren me përmbysje skuadrës së tij. Ky ishte dygolëshi i parë për Cikalleshin në këtë sezon të Superligës, me sulmuesin kuqezi që pak nga pak po rigjen formën optimale dhe ka fituar vendin e titullarit te Konyaspor. 2 gola realizoi edhe titullari tjetër i sulmit te Shqipëria Rey Manaj, i cili në këto javët e fundit po shënon rregullisht me Barcelonën B. Manaj ishte thjeshtë i mrekullueshëm në suksesin 6-0 që ekipi i tij arriti ndaj L Hospitalet duke shënuar fillimisht me kokë më pas me penallti ndërsa dha edhe një asist. Me këto dy finalizime, Manaj arriti kuotën e 7 golave në këtë sezon duke i dhënë një tjetër sinjal Edy Rejas se është në formë të shkëlqyer, rreth një muaj para grumbullimit me kombëtaren. Momenti i artë vazhdon edhe për Myrto Uzuni që rezultoi sërish deçiziv për Ferencvarosh duke i dhënë fitoren ndaj Budapest Honved me golin e tij. Ky ishte goli i gjashtë i sulmuesit të Shqipërisë në 7 ndeshjet e fundit dhe i 8-ti në këtë sezon. Nëse vazhdon me këtë ritëm, me siguri që sezonin e ardhshëm ish-sulmuesi i Laçit do të transferohet në një kampionat akoma më cilësor se ai hungarez.
Broja, 19-vjeçari më i mirë i momentit në Europë
Kjo fundjavë ishte pozitive edhe për Armando Brojën që arriti të shënonte ndaj një skuadre të madhe si PSV, edhe pse goli i bomberit shqiptar nuk i mjaftoi Viteshes për të marrë pikë në transfertën e “Philips Stadion”. Për lojtarin kuqezi ishte finalizimi i 8-të në Eredivisie në këtë sezon, ku është aktivizuar në 19 ndeshje. Për sa kohë sa sulmuesit e kombëtares gjejnë golin rregullisht me klubet e tyre edhe Edi Reja është “ok”, pasi sulmi i kombëtares kuqezi është në duar të sigurta për eliminatoret e muajit mars. Pra, Armando Broja vazhdon të prodhojë gola për Viteshen në elitën e futbollit holandez, teksa në ditën e djeshme ia doli të realizonte ndaj PSV. Në fakt, ky realizim shërbeu thjesht si statistikë për sulmuesin shqiptar duke qenë se ekipi i tij në fund u mposht 3-1. Falë këtij goli, 19-vjeçari është bërë futbollisti me më shumë gola (8) në më pak se 1000 minuta të luajtura gjatë këtij sezoni, duke lënë pas të gjithë bashkëmoshatarët e tij në ligat kryesore të Europës. Kështu, Broja duket se është në rrugën e duhur për të arritur objektivat e tij, teksa sulmuesi gjithnjë e ka shprehur se në Holandë pret të shënojë me vazhdimësi dhe më pas të rikthehet te Çelsi, aty ku ëndërron një karrierë si protagonist në nivelet më të larta të futbollit botëror.