Plasin debatet në PS për renditjen në lista, deputetët ankesa te Rama për “puçe” nga njëri-tjetri, ndryshimet në Kod trazojnë ujërat

0
310

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë trazuar ujërat dhe kanë rritur konfuzionin brenda mazhorancës socialistët. Tashmë është bërë zyrtare që partitë politike do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit me Kodin e ri Zgjedhor, i cili i ka hapur rrugë hapjes së listave për deputetë dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore. Por gazeta ka mësuar se deputetët socialistë në ankth për të ardhmen e tyre, ndërsa janë tejet të paqartë se çfarë do t’iu ofrojë Kodi i ri. Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit zhvilloi një takim me drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa tema kryesore e takimit ishte fushata elektorale dhe ndarja e detyrave për secilin drejtues qarku në arritjen e objektivit final që Partia Socialiste të marrë mandatin e tretë në këto zgjedhje. Por gazeta ka mësuar se mbledhja ka pasur debate, për shkak se koordinatorët kanë zbuluar para kryesocialistit se ka debate mes deputetëve aktualë të grupit parlamentar, për shkak se deputetët nuk e dinë se si të bëhet llogaritje dhe se si do të bëhet renditja në lista. Mësohet se deputetë të caktuar kanë shprehur rezervat e tyre para drejtuesve politikë, pasi mendojnë se ata nuk po vlerësohen si duhet dhe sipas peshës dhe popullaritet që ata kanë në zonën e tyre elektorale. Madje, sipas të njëjtave burimeve mësohet se një arsye se përse ata po ndihen si të mënjanuar dhe të pavlerësuar është fakti se shumë eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kaluar tek PS dhe se kjo lëvizje iu rrezikon atyre vendin në lista, pasi mund të spostohen dhe të mos jenë në lista fituese. Po ashtu, këta nuk janë të vetmit që “kërcënojnë” t’iu zënë vendin deputetëve aktualë, pasi listës së Partisë Socialiste pritet t’iu shtohen edhe emra që janë “të përkëdhelur” nga Rama, si dhe ish-deputetë të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet që kanë braktisur këtë parti dhe pritet të kandidojnë nën siglën e PS në 25 prill, si Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici.

Deputetët ankesa te Rama për “puçe”

Por nga ana tjetër burime nga selia rozë theksuan se gjatë mbledhjes së djeshme, drejtuesit në qarqe i kanë paraqitur kryeministrit Rama edhe një sërë ankesash që kanë deputetë e PS sa i takon mënyrës se si po zhvillohet fushata elektorale. Sipas informacioneve, mësohet se prej disa ditësh kanë nisur sherret e përplasjet brenda Partisë Socialiste për të siguruar rikandidimin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, nëse do të jenë pjesë e garës. Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate, ku Kodi i ri në një farë mënyrë të imponon dhe detyron që të bësh propagandë edhe kundër kolegëve, mësohet se drejtuesit e qarqeve kanë vënë në dijeni zotin Rama për këtë fenomen që deri më dje ka qenë i pazakontë. Shumica e përplasjeve ka si kryefjalë pikërisht faktin se deputetët në të gjitha zonat po ankohen se po përballen me “puçe” nga njëri-tjetri. Po për çfarë “puçe” bëhet fjalë? Sipas informacioneve mësohet se gjatë fushatës elektorale, deputetët të caktuar të një qarku në takime me qytetarët, kanë lëshuar valë kritikash në adresë të kolegëve të tyre, duke kërkuar që të mos i votojnë, pasi nuk e meritojnë. Pra, e gjitha kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku tashmë secili do të punojnë për hesap të vet, pasi zgjedhja deputet varet nga puna dhe mënyra se si do të propagandohet. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here