Baritoni lirik Agim Duro dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh”

0
196

President Ilir Meta i ka akorduar çmimin “Mjeshtër i madh” baritonit lirik Agim Duro.

Duro mori titullin me motivin “Në vlerësim të interpretimeve të spikatura e me nivel të lartë si dhe të kontributeve të tij të çmuara në fushën e artit skenik shqiptar, veçanërisht për zhvillimin e artit operistik dhe atij vokal në vendin tonë”.

“Me një ngjyrim zëri cilësor, Agim Duro u evidentua në jetën artistike shqiptare, që në vitet e shkollimit pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ai ishte një nga solistët e grupit muzikor, aq të njohur në atë kohë, ‘Na bashkoi kënga popullore’, grup që solli një frymë të re në muzikën e përpunuar shqiptare dhe që dha mbi 1500 koncerte të muzikës popullore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha Meta.

Pas diplomimit, Agim Duro u përfshi edhe në role të ndryshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku vazhdoi rrugëtimin e tij artistik, me një eksperiencë të gjatë pune si solist i parë në të. Agim Duro ka qenë i përkushtuar, në përgatitjen muzikore e skenike, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e më të dashur të Teatrit të Operas e Baletit. Gjatë karrierës së tij të shquar artistike, Agim Duro ka realizuar një galeri të pasur rolesh dhe është përfaqësuar denjësisht si solist, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me orkestra prestigjioze vendase dhe ndërkombëtare.

Prof. Agim Duro ka një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën pedagogjike, së pari në Liceu Artistik ‘Jordan Misja’ e më pas, pranë katedrës së kantos në Universitetin e Arteve, deri në përfundimin e këtij misioni pedagogjik, në Tetor të vitit 2020, me daljen e tij në pension.

Gjatë gjithë karrierës edhe si pedagog, zoti Duro ka kontribuar në formimin e brezave të rinj të këngëtarëve lirikë, por edhe në hartimin e politikave kulturore, duke qenë dhe një ndër hartuesit e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Kulturor Muzikor në vendin tonë.

Edhe pse tashmë në pension, zoti Duro vazhdon të mbetet i interesuar dhe i angazhuar për të gjitha zhvillimet në fushën e artit në Shqipëri dhe vazhdon të kontribuojë në mbështetjen dhe afrimin e artistëve të rinj të përgatitur, në skenat tona.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here