Zbulohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit: “Banda e Xhevdet Mustafës, pasi të shkonte në ‘Bllok’-un e udhëheqjes, do…”

0
50

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra së fundmi nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) që për vite me rradhë kanë qenë në fondin rezervat me siglën “Tepër sekret të një rëndësie të veçantë”, të cilat i përkasin periudhës kohore 1976 – 1984, ku Ministria e Punëve të Brendëshme në Tiranë, me anë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe asaj të Zbulimit Politik, kanë survejuar dhe mbajtur nën kontroll të arratisurit politik dhe krerët kryesorë të emigracionit antikomunist shqiptar, kryesisht atij të Legalitetit që vepronin në Suedi dhe disa vënde të tjera të Evropës Perëndimore, si Belgjikë, Itali apo dhe në SHBA-ve, Rodezi etj., ku zhvillonin aktivitetin e tyre eksponentë të njohur antikomunistë, si: Abedin Mulosmani, Jahuz Kuçi, Xhedvet Mustafa, Sami Korri, Adil Biçaku, Aziz Biçaku Kadri Biçaku, Xhafer Jakupi, Hasan Berisha, Ramazan Selami, Kujtim Berisha, Sherif Pleshti, Irfan Bushati, Niman Aliaj, gruaja e Xhafer Elezit, E. Haxhiymeri, Skepët, Vishajt, M. Shpata, F. Gjuraj, I. Leka, Sh. Reçi, I. Sallaku, etj.

Raport – informacionet e Zbulimit Politik shqiptar që vepronte në shtete të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe Sigurimit të Shtetit, lidhur me stërvitjet dhe përgatitjet për të zbarkuar në Shqipëri të grupit të kryesuar nga Xhevdet Mustafa (me origjinë nga Durrrësi), ku bënin pjesë edhe Selim Kuçi, Sabaudin Haznedari, Halit Bajrami, Anton Frroku dhe Fadik Kaceli, të cilët me ndihmën e dy ushtarakëve të huaj, William Vincent e Fogarty Rutherford, ekspertë të armatimeve, si dhe të Jani Lekës në Itali dhe Eqrem Kllobçishtit, tregtar me origjinë nga Dibra që hynte dhe dilte nga Shqipëria si tregtar, do të realizonin misionin e tyre sekret.

Cilët ishin oficerët e Zbulimit Politik që vepronin nën petkun e diplomatit në ambasadat shqiptare që survejonin dhe mbikqyrnin lëvizjet e përgatitjet që bënte grupi i kryesuar nga Xhevdet Mustafa në shtete të ndryshme të Evropës dhe ata të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, të cilët me anë të bashkëpunëtorëve si “Liqeni i Shkodrës, “Aktori”, “Boga” etj., do të mbanin nën mbikqyrje familjen e Selim Kuçit, (i njohur ndryshme, si Jahuzi), në qytetin e Shkodrës, prej nga ai ishte arratisur në vitin 1963, një prej antikomunistëve më të egër, që shërbente në Oborrin e Princit Leka Zogu në Rodezi dhe që Zbulimi Politik dhe Sigurimi i Shtetit, e etiketonte si ‘Trimi i Mretit’?!

“Grupi i Xhevdet Mustafës, përbëhet nga 6 shqiptarë, dhe dy të huaj. Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari, Halit Bajrami, Fadil Kaceli, Selim Kuçi, dhe Anton Frroku. Xhevdeti ka thënë, se ka dhe dy shqiptarë të tjerë, shokë të tij që sipas tij, janë trima. Dy të huajt janë William Rutherford, i cili është diplomuar si kapiten barke, dhe ka ardhur vetëm për këtë punë, d.m.th. vetëm për të drejtuar barkën. Ndërsa tjetri, është Vincent Fogarty i cili, ka ardhur për t’u bërë filtrimin, tytave të pistoletave dhe automatikëve. Këta të dy të huajt, nuk janë të qartë për qëllimet që ka grupi, ata dinë shumë pak, Xhevdeti, ju ka thënë se grupi do të shkojë për të marrë një sasi floriri që kanë lënë gjermanët, gjatë luftës. Grupi po përgatitet, dhe mendohet që nga fillimi i shtatorit, të hyjë në Shqipëri. Diskutohen dy intenerar, njëri është Italia, për brigjet e Durrësit dhe Kavajës, ndërsa intenerari i dytë është, Jugosllavia me anë të detit, duke e bërë nisjen nga Ulqini ose nga ndonjë vënd tjetër i Jugosllavisë. Nisja do të bëhet shumë sekrete. Në rast se grupi niset nga Jugosllavia, kjo do të bëhet me dijeninë dhe lejen e shtetit jugosllav, nëse grupi do niset nga Italia, atëhere kjo do të bëhet në mënyrë ilegale. Objektivi kryesor i grupit është që të hyjë në Tiranë, dhe atje të kryejnë aksionin. Qëllimi kryesor i grupit, është që të eliminojnë udhëheqësit kryesorë të Partisë, dhe njerëzit e tjerë me rëndësi të Byrosë Politike…”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument arkivor të nxjerrë së fundmi nga një dosje voluminoze prej Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH), që për shumë vite kanë mbajtur siglën “Tepër sekret të një rëndësie të veçantë” dhe tashmë të deklasifikuara, të cilat i përkasin periudhës kohore 1976-1984, ku oficerët dhe agjentët e Zbulimit Politik Shqiptar që vepronin nën petkun e diplomatëve në ambasadat shqiptare të akredituara në disa vënde perëndimore, si dhe ata të Kundërzbulimit (Sigurimit i Shtetit), janë marrë me survejimin, ndjekjen dhe kontrollin e krerëve kryesorë të mërgatës politike shqiptare antikomuniste, (kryesisht asaj që ishte grupuar me Legalitetin), që vepronte në Suedi, apo dhe në vënde të tjera sin ë SHBA-ve, Belgjikë, Itali, e deri në Rodezi të Afrikës së Jugut. Sipas dokumenteve në fjalë që publikohen për herë të parë nga Memorie.al., aty është pasqyruar deri me detaje e gjithë veprimtaria e eksponentëve kryesorë të mërgatës politike shqiptare, si: Abedin Mulosmani, Jahuz Kuçi, Xhedvet Mustafa, Sami Korri, Adil Biçaku, Aziz Biçaku Kadri Biçaku, Xhafer Jakupi, Hasan Berisha, Ramazan Selami, Kujtim Berisha, Sherif Pleshti, Irfan Bushati, Niman Aliaj, gruaja e Xhafer Elezit, E. Haxhiymeri, Skepët, Vishajt, M. Shpata, F. Gjuraj, I. Leka, Sh. Reçi, I. Sallaku, etj. Por e gjithë puna e Zbulimit Politik Shqiptar dhe Sigurimit të Shtetit, duket që është përqëndruar kryesisht tek grupi kryesuar nga Xhevdet Mustafa, ku bënin pjesë edhe Selim Kuçi, Sabaudin Haznedari, Halit Bajrami, Anton Frroku dhe Fadik Kaceli, të cilët me ndihmën e dy ushtarakëve të huaj, William Vincent e Fogarty Rutherford, ekspertë të armatimeve, si dhe të Jani Lekës në Itali )ish-Federal fashist) dhe Eqrem Kllobçishtit, (tregtar me origjinë nga Dibra që hynte dhe dilte nga Shqipëria si tregtar), do të realizonin misionin e tyre sekret, ku midis të tjerash në dokumentet në fjalë thuhet: “Objektivi kryesor i grupit është që të hyjë në Tiranë, dhe atje të kryejnë aksionin. Qëllimi kryesor i grupit, është që të eliminojnë udhëheqësit kryesorë të Partisë, dhe njerëzit e tjerë me rëndësi të Byrosë Politike. Në rast se do të ketë mundësi, do të kapen dhe do të vriten, antarët e familjeve të udhëheqsave…”.

Ndërsa historia e të ashtu qujaturës “Banda e Xhevdet Mustafës”, e cila zbarkoi natën e 25 shtatorit të vitit 1982 në bregdetin shqiptar në zonën e Lagunës së Divjakës, dhe pasi ekzekutoi një oficer policie e disa civilë, përparoi në drejtim të Rrogozhinës e fshatrave të Lushnjes, ku më pas mbeti i vrarë dhe Xhevdet Mustafa e Sabaudin Haznedari, ndërsa i treti, Halit Bajrami që ishte njeriu i Sigurimit të Shtetit u “dorzua”, tashmë është shumë e njohur, Memorie.al, po publikon këto dokumente të panjohura, ku sipas raporteve dhe informacioneve të Sigurimit të Shtetit, e ashtuquajtura “Banda Xhevdet Mustafa”, kishte filluar përgatitjet për zbarkimin në Shqipëri, shumë vite më parë. Dhe në përbërje të saj, përveç Xhevdet Mustafës, Sabuadin Haznedarit dhe Halit Bajramit të cilët erdhën në Shqipëri, aty përmenden edhe emrat e tre personave të tjerë, Fadil Kacelit, Anton Frrokut dhe Selim Kuçit, (i njohur ndryshe si Jahuzi), me origjinë nga qyteti i Shkodrës, nga ku ai ishte arratisur që nga viti 1963, nëpërmjet Liqenit të Shkodrës së bashku me pesë persona të tjerë. Ndryshe nga të gjithë personat e tjerë, pjestar të së ashtuquajturës “Banda e Xhevdet Mustafës”, emrat e të cilëve tashmë janë të njohur, emri dhe roli i Selim Kuçit (që shërbente si truprojë e Mbretit Leka Zogu në Oborrin Mbretëror në Rodezi të Afrikës së Jugut dhe njihej me nofkën “Trimi i Mbretit”) në përbërje të saj, bëhet publik për herë të parë. Së bashku me faksimilet përkatëse të dokumenteve arkivore të nxjerra nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), Memorie.al publikon edhe disa foto të rralla të së ashtuquajturës “Banda Xhevdet Mustafa”, si dhe fotot e Selim Kuçit, të cilat bashkë me dokumentet në fjalë, na i ka vënë në dispozicion, nipi i tij, (djali i vëllait), zoti Gëzim Kuçi nga qyteti i Shkodrës.

Informacion i Zbulimit Shqiptar mbi emigracionin antikomunist të grupuar në degën e Legalitetit në Suedi

“S E K R E T”

I n f o r m a t ë

Deri para disa vitesh, njerëzit e këqinj në Suedi ishin të pakët, madje dhe ata që ishin, nuk guxonin të dilnin në veprime të hapta. Pasi jo vetëm që nuk i dëgjonte njeri, por hasnin dhe në kundërshtimin e atyre që nuk donin të ngatërroheshin me ta. Por kohët e fundit këta, kanë filluar të tërheqin njëri tjetrin. Më aktivët tani për tani konsiderohen Selim Kuçi, Sami Korri, Adil e Kadri Biçaku, Xhaferr Jakupi, Hasan Berisha, ndërsa të tjerët janë njerëz që kryesisht janë tërhequr pas tyre ose shoqërisë së fisit. Një gjë duhet theksuar që dhe ata që nuk janë aktivë, kur krijohen situata të përshtatshme, bëhen edhe më të rrezikshëm se të parët. Këtë e lidh edhe me ngjarjen e fundit në Skansen (incidenti ndaj ansamblit). Lidhur me këtë të fundit, tha se nuk e dinte mirë se kush e hodhi shishen. Por mendon, sipas fjalëve që qarkullojnë, se duhet të ketë qënë, djali i Him Avdisë, ose një nga Biçakçinjtë. Tha se përsa i përket organizatave, më aktivët janë zogistët të cilët, bëjnë edhe më shumë lëvizje në vendet e Evropës Perëndimore (këto janë mendimet e D. Hasës)

Nxjerrë nga letra operative nr. 4 datë 1.10.1976. për degën e Legalitetit në Suedi, dhe për personat që përmënden nga P. op. Hidai Xhafa në datën 6.11.1976.

Informacion i Zbulimit Shqiptar, mbi veprimtarinë krerëve kryesorë të emigracionit antikomunist shqiptar në Suedi dhe vende të tjera të Perëndimit

Shoku Kujtim Jaho me telin Nr. 128 datë 28.9.1977. njofton: 

Në demostratë kanë marrë pjesë 31 vetë me gra e fëmijë. Organizatorët kanë qënë, Sami Korri, Selim Kuçi, Irfan Bushati. Nuk kanë marrë pjesë për arsye se janë për veprime aktive terrori, A. Biçaku, I. Karaj, Xh. Elezi, etj. Fillimisht del se nuk ka marrë pjesë Haxhi Skepi, dhe se ka pakënaqësi nga Shpatajt dhe Pashuk Vishaj. Nuk është dakort me veprime të tilla. Nuk është parë dhe Qemal Panariti, për arsye që nuk dihen. Veç të sipërmve, kanë marrë pjesë, E. Haxhiymeri, Skepët, Vishajt, M. Shpata, F. Gjuraj, I. Leka, Sh. Reçi, I. Sallaku, gruaja e Xhafer Elezit, etj. Në vendin e mbledhjes së personave të mësipërm, është parë se kishte ardhur dhe Rexh Balaj, i cili është përpjekur të justifikojë ardhjen. Nuk ka marshuar me të tjerët. Nga kosovarët, megjithë përpjekjet e bëra, nuk kanë mundur të tërheqin asnjë. Kanë thirrur disa duke i mashtruar gjoja për koncert, por shpejt të tjerët i kanë shpjeguar të vërtetën dhe i kanë ndaluar të bashkohen me ta.

U nxuar për fushën e veprimeve të mprehta, degën e Legalitetit në Suedi, dhe secilin nga personat e përmëndur, nga P. op. Hidai Xhafa, më 1.10.1977.

Plani i masave i Sigurimit të Shtetit në 1977-ën, kur pritej të vinte në Shkodër, i arratisuri, Jahuz Kuçi dhe si do provokohej i vëllai, Meleku

  “S E K R E T”

                                                                                                                   Ekzemplar Nr.

                                                                                                          Shkodër më 19.12.1977.

M I R A T O H E T

NGA SHEFI I SEKSIONIT K. ZBULIMIT

            Sel Brahimi

PLANI I MASAVE AGJENTURALE DHE OPERATIVE, NË DREJTIM TE ARRATISURIT JAHUZ KUÇI

Jahuz Hamza Kuçi, është arratisur në vitin 1963 për në Jugosllavi, e sot ndodhet në Suedi. Sipas të dhënave i lart përmenduri, ka vepruar ndaj ansamblit tonë, që shkoi në Suedi për të dhënë shfaqje. Me qëllim që të zbulojmë aktivitetin e tij me lidhjet që ka këtu, dhe në rast se do të vijë këtu në Shkodër, ose në rrethe të tjera të vëndit tonë, do të merren këto masa agjenturiale operative.

  1. Në drejtim të vëllait të tij Felek Hamza Kuçi, do të drejtojmë B.p “Liqeni i Shkodrës”, për të zbuluar sesi do të reagojë për vëllanë e arratisur. Dhe për çdo gjë që do të dalë, do të nxjerrë detyra konkrete. E kryen P. op. V. Xhaxha, deri në datën 15.1.1978. Kontrollon Shefi i Seksionit, Sel Brahimi.
  2. Në drejtim të lidhjeve të tij, do të drejtohet B.p “Aktori” dhe “Taraboshi” dhe për çdo gjë që do të dalë, do të merren masat e nevojshme. E kryen P. op. V. Xhaxha, deri në datë 30.12.1977. Kontrollon Shefi i Seksionit, Sel Brahimi.
  3. Do të vihet në K.P. për të parë se çfarë shkruan, në drejtim të lidhjeve të tij, duke njoftuar degën e pestë. E kryen P. op. V. Xhaxha, dhe P. op. N. Sulka, deri në datën 30.1.1978. Kontrollon Shefi i Seksionit Sel Brahimi.
  4. Për çdo gjë që do të ndodhi, do të njoftohen menjëherë dega e parë dhe drejtoria e tretë. E kryen P. op. V. Xhaxha, dhe P. op N. Sulkaj. Kontrollon Shefi i Seksionit Sel Brahimi

Punëtori Operativ

    Vlash Xhaxha

Shoku Kujtim Jaho, me telin nr. 233 dt 9.12.1978. njofton: të dhëna të “922” 

Nga data 10 deri në 14 nëntor në Suedi, ka qenë Abedin Mulosmani, si i dërguar i “Pallatit”. Në Stokholm, ka organizuar një mbledhje me të arratisurit, por në të nuk kanë marrë pjesë të gjithë. Gjatë mbledhjes janë ngritur këto probleme. Janë kërkuar ndihma materiale e morale më të mëdha për ndërmarjet e Leka Zogut, ka ngritur nevojën e regjistrimit ushtar në moshën 35 vjeç, dhe gadishmërinë për të vepruar kundër vëndit tonë. Ka shtruar problemin e unitetit në rradhët e të arratisurve, pavarësisht nga grupet që u përkasin dhe pikpamjeve.

Veprimet kundër personelit dhe përfaqësisë shqiptare, i ka quajtur jo oportune dhe se veprime të tilla nuk duhet të ndërmerren. Është përpjekur që të sheshojë mosmarrveshjet midis emigracionit në Stokholm, të cilat kanë lindur gjatë mbledhjeve. Hasan Berisha, nuk ka shkuar fare në mbledhje si rezultat i përpjekjeve me grupin e Sami Korrit. Luftë e cila bëhet për kreun e Partisë për Suedinë.

Në këtë mbledhje janë shprehur dyshime nga Biçakët për I. Bushatin dhe E. Haxhiymerin se i shërbejnë Bashkimit Sovjetik e tjerëve. Irfani është mbrojtur vetë në mbledhje dhe ka thënë se përkrah Lekën, e se është sekretar i “Besëlidhjes”. Grindjet nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë armiqësore por thjesht për çështje personale. A. Mulosmani, është larguar i pakënaqur nga atje. Selim Kuçi, ka shkuar pranë “Pallatit”, i vendosur atje për një kohë të pacaktuar. Adil Biçaku duket se kërkon të bëjë të njëjtën gjë dhe nuk është kthyer akoma. Ndërsa Mevlud Biçaku është kthyer nga “Pallati” para festave.

Elementi reaksionar ka festuar 28 nëntorin, duke ftuar shqiptarë dhe kosovarë. Ramazan Selami, Kujtim Berisha, gruaja e Xhafer Elezit, dhe Aziz Biçaku, kanë qenë të veshur ushtarakë.

U mbajtën fjalime nga Sherif Pleshti, Sami Korri, dhe Irfan Bushati. Në mbledhje janë ftuar “Reja”, “Djaloshari”, dhe “Bleta”. “OI” nuk ka shkuar. Klubi i shqiptarëve është hapur në Tunel Gatan 14, në Stokholm dhe atje shërben Niman Aliaj.

U nxor sipas përkatësisë nga P. op. Hidai Xhafa /Memorie.al

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj