Skema për rimbursimin e naftës për fermerët, zbardhen procedurat dhe kushtet, përfitojnë rreth 70 mijë persona

0
34

Qeveria ka publikuar skemën që përcakton se si do të bëhet rimbursimi i naftës për fermerët në vend. Në bazë të një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare tregohet se, shuma e përcaktuar për skemën në total është 1 miliardë lekë, nga e cila do të përfitojnë mbi 70 mijë fermerë për vitin 2021. Sakaq, shpjegohet se 950 milionë lekë do të përdoren për sasinë e naftës që do të shpërndahet, ndërsa 50 milionë lekë për procesin e shpërndarjes dhe sistemin e monitorimit. “Fondi prej 1.000 milionë lekë, i miratuar në buxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë, do të përdoret për: uljen e kostos së punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore; rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore; formalizimin e aktivitetit bujqësor. Fondi i përcaktuar detajohet si më poshtë vijon: 950. 000. 000 lekë për sasinë e naftës dhe shpërndarjen e saj me kartë individuale drejtpërdrejt për subjektet përfituese; 50. 000. 000 lekë për ngritjen e sistemit të shpërndarjes dhe monitorimit të naftës për bujqësinë”, thuhet në dokument. Sipas këtij vendimi, rimbursim 100% të naftës që përdoret për punimin e tokës do të përfitojnë ata fermerë që zotërojnë dhe vënë në funksion deri në 10 hektarë tokë, ndërsa atë që kanë sipërfaqe më të madhe përfitojnë me sasi të reduktuar. Më tej theksohet se, raporti i naftës së tërhequr me sipërfaqen e kulturuar nuk duhet të kalojë masën 20%. “Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon: 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1 të këtij vendimi; subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen deri në 10 ha, përfitojnë sasitë sipas përcaktimit, ndërsa për pjesën tjetër mbi 10 ha përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar. Duhet bërë përputhshmëria e vetëdeklarimeve me situatën reale në terren dhe shmangien e lejuar e faktit të verifikuar të kulturave dhe sipërfaqes së kultivuar në raport me naftën e tërhequr, do të jetë jo më e madhe se 20%”, sqarohet në dokument.

Kriteret për të përfituar

Më tej parashtrohen kriteret dhe procedurat që duhet të ndjekë çdo aplikant për të qenë pjesë e kësaj skeme. Konkretisht thuhet se, fermeri duhet të pajiset me numrin NIPT që e identifikon atë me status fermeri. Gjithashtu duhet të kenë dokumentet e plota të cilat konfirmojnë se ai posedon sipërfaqen e tokës për të cilën kërkon rimbursim karburanti, duke theksuar këtu se nuk përfitojnë ata fermerë të cilët e kanë më pak se 0.4 hektarë sipërfaqen e fermës. Ndërsa theksohet se aplikimi mund të bëhet shumë lehtë përmes portalit e-Albania. “Subjektet përfituese duhet të plotësojnë këto kritere: fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv, ndërsa personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT-in/NUIS-in me status aktiv me aktivitet bujqësor; të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 0.4 ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim”, përcakton vendimi. Sakaq bëhet me dije që, nëse fermeri ka kaluar 20% e naftës së tërhequr në raport me sipërfaqen apo ka përfituar naftë falas me dokumente të falsifikuara do penalizohet për 3 vjet nga skemat për fermerët dhe do regjistrohet automatikisht si debitor. “Çdo subjekt që përfiton nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20% ose dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit. Referuar paragrafit të parë të kësaj pike, subjektet me status fizik dhe juridik shpallen edhe debitorë për vlerën e përfituar në mënyrë të padrejtë”, sqarohet në dokument.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj