Reja rinovoi përfaqësuesen, por suksesin ia dhanë kuqezinjtë “pensionistë”

0
272

Kombëtarja e realizoi objektivin e saj në Ligën e Kombeve, duke pasur sukses veçanërisht në dy ndeshjet e fundit në grupin e katërt të Divizionit C të kësaj lige, pasi mundi Kazakistanin dhe rivalen direkte për vend të parë, Bjellorusinë. Ishin dy fitore që e ngjitën ekipin tonë përfaqësues direkt në vend të parë, pozicion që i mundëson Kombëtares të luajë edicionin e ardhshëm në Ligën B, një arritje e konsiderueshme, pasi në Ligën B ka të ardhura më të mira për federatat anëtare, por njëherësh edhe ndeshje me skuadra më të forta që rrisin përfitimet nga e drejta televizive. Ana ekonomike është menaxhuar mirë në këtë drejtim, pasi të ardhurat që ka marrë FSHF nga përfaqësimi i Kombëtares kanë qenë të konsiderueshme. Por si mundi të arrijë objektivin skuadra përfaqësuese? Kjo është evidente në dy plane. Së pari grupi nuk kishte rivalë të frikshëm, pasi të gjitha skuadrat, si Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani zënë pozicion më të dobët në renditje sesa skuadra jonë. Së dyti lidhet me kualitetet. Lojtarët e përfaqësueses kuqezi luajnë në skuadra të njohura italiane dhe në ligat e tjera të mëdha europiane, pra kemi një brez futbollistësh që mund të bëjë diferencë dhe mund të matet për nga niveli teknik edhe me ekipe cilësore europiane. Por në suksesin e trajnerit Edi Reja, një dorë në fund ia dhanë “pensionistët”. Edhe pse trajneri veteran italian ka rinuar ekipin, duke sjellë shumë kualitete të reja, sërish vendimtar në lojë dhe në rezultate rezultuan “pensionistët” e tipit Berisha, Memushaj, Abrashi dhe Cikalleshi. Në ndeshjet e para një pjesë e tyre munguan ose për shkaqe dëmtimi, koronavirusi apo izolomi, por në dy takimet e fundit, Berisha në portë, Abrashi si motor në mesfushë, Memushaj organizator me vlera mbrojtëse e sulmuese e në majën ofensive një Cikalleshi i rilindur, i dhanë përfaqësueses rezultatin e dëshiruar.

Memushaj “mjshtër’, Abrashi s’njeh lodhje

Ledian Memushaj po luan prej shumë vitesh në elitën e futbollit italian. Ai është shndërruar në lojtarin veteran të Peskarës dhe duhet pranuar se ka një kontribut thelbësor tek kjo skuadër. Luan në mesfushë, por i bën të gjitha rolet. Në Kombëtare pëlqehet shumë dhe që nga koha e De Biazit e ka merituar ftesën, duke qenë një emër i dashur për tifozët. Në ndeshjet e fundit në LIgën e Kombeve ishte thuajse përcaktues. Ai ndërton në favor të ekipi dhe shkatërron kundërshtarin, duke e bërë si duhet detyrën. Përvoja e gjatë dhe zhdërvjelltësia e momentit e bën “mbret” në përfaqësuese dhe Reja ia di mirë vlerën. Ndërkohë, nëse ka një futbollist që luan me zemër në fushë ai është Amir Abrashi. Nuk ka fjalë, por vetëm vepra. Në pozicionin e tij nuk i lë mangët asgjëje. Di të menaxhojë si duhet presionin e kundërshtarëve dhe nuk bie preh e provokimeve. Di të mbajë topin në momentin e duhur, di të shkatërrojë sulmet e kundërshtarëve, por edhe të ndërtojë mirë e bukur lojën sulmuese, duke qenë herë shkatërrues e herë organizator, me një punë të pashtershme fizike. Një lojtar që e duan të gjithë trajnerët, pasi është si motor.

Berisha, veterani i portës që jep qetësi

Portier i parë ishte planifikuar të ishte Tomas Strakosha, por veterani Berisha, në kushtet kur Strakosha mungonte, e bëri si duhet detyrën e tij, duke i dhënë frymëmarrje skuadrës. Në dy ndeshjet e fundit nuk bëri asnjë gabim dhe ishte pikë e fortë e grupit në ato momente kur kundërshtarët dilnin në sulm në front të gjerë. Ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit bëri disa pritje vendimtare. Edhe pse 32 vjeçar, Berisha nuk mund të quhet veteran, por është relativisht i madh për moshën e re të grupit. Ai ka ende çfarë t’i japë Kombëtares.

Golat e Cikalleshit vlejnë, të rinjtë kanë ende rrugë për të bërë

Sokol Cikalleshi ka pasur oscilacione në performancën e tij me Akhisarsporin në Turqi, por kur është fjala për Kombëtaren ai është gjithmonë në top-formë dhe ka kontribut. Golat e tij në Ligën e Kombeve këtë edicion i dhanë skuadrës vendin e parë në grup dhe për këtë nuk ka dyshime. Është veteran tashmë, por i duhet Rejës falë cilësive të tij fizike e tekniko-taktike. Trajneri Edi Reja ka ftuar në Kombëtare të rinj si Manaj, Broja, Seferi, Mihaj, Kumbulla etj. një pjesë kanë kualitet të lartë, por mungesa e përvojës nuk u jep shumë shanse. Atyre u duhet ende punë të përmbysin veteranët që kanë produkt konkret. Pra të rinjtë kuqezi kanë ende shumë rrugë për të bërë që të jenë efikasë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here