Euforia e Nevil Dedes: Tirana e fiton titullin edhe me 19-vjeçarë

0
238

Në kuadër të javës së parë të fazës së dytë, do të ketë sot një superduel, ai midis Kukësit dhe Tiranës, i cili do të përcaktojë në një farë mase se cila prej dy skuadrave ka më shumë shanse të qëndrojë në krye në garën për titull. Tirana, në fakt, ka lënë pas periudhën e vështirë të rezultateve dhe në 3 ndeshjet e fundit ka mundur të sigurojë 7 pikë, duke u rifutur në “valle” për titull. përballë do të jetë Kukësi i Skënder Gegës, një ekip që ka kualitet dhe ndoshta grupin më cilësor në Superiore. Edhe pse është Vllaznia në vend të parë, të gjithë shohin Kukësin si skuadrën favorite për trofeun. në prag të duelit mes tyre, ka folur trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i cili, euforik, është shprehur se Tirana ka një staturë të tillë që mund ta fitojë titullin edhe me 19-vjeçarët. Në fakt, trajneri i bardhebluve e pranoi se dëmtimet janë kthyer në një problem të madh për Tiranën gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që vlerësoi Kukësin si dhe foli edhe për merkaton duke thurur elozhe për 2 lojtarë që janë në dalje nga Partizani. “Po kalojmë disa probleme, Vangjeli është larguar për arsye shëndetësore. Ka një problematikë, që vetëm një doktor në Greqi mund ta përmirësojë. Kjo vjen nga ndeshjet e shumta dhe ngarkesa ka qenë e madhe për disa. Uroj ta përballojmë nesër sa më mirë. Të gjithë do japin më shumë nesër kundër Kukësit. Problematika të bezdis, por nuk jam i shqetësuar. Torasa ka pasur një problem, por na ka ndihmuar në çdo ndeshje. Ai ka karakter luftëtari. Sakrifikoi në Korçë dhe bëri një ndeshje të mirë, si ai ashtu edhe skuadra”, theksoi Dede. Më pas vjen direkt komenti i tij për cilësinë e skuadrave dhe atë që përfaqëson Tirana në futbollin shqiptar. “Jam i bindur se Tirana do të humbë shumë pak ndeshje, por sa do fitojmë mbetet për t’u parë. Ndokush thotë që ishte dështim barazimi me Skënderbeun. Luajtëm në sulm dhe normalisht lihen hapësira prapa. Nëse fitojmë nesër, do i rikuperonim ato tre pikë dhe do afroheshim. E shohim nesër kush ka një marsh tepër. Ne jemi Tirana dhe jemi favoritë, edhe sikur të luajmë me 19-vjeçarë. Skuadrës i vë notën 8. Po shënonim 3-4 gola më tepër do t’i vendosja notën 9”, shtoi Dede.

Tirana ka pasur luhatje por ka forcën të ringrihet

Më pas trajneri Nevil Dede komentoi kundërshtarin, Kukësin, me të cilin bardheblutë përballen sot pasdite. “Kukësi është një ekip i fortë. Duam të shprehemi mirë, të jemi solidë dhe të përfaqësojmë fanellën. Duam të shkojmë në rrugën e vjetshme. Nuk është se kemi ecur shumë mirë deri tani. Ajo që e rrit këtë klub janë prodhimi që vjen nga akademia. Është bërë punë e mirë dhe kjo më intereson. Ata e ndjejnë fanellën dhe e duan. Ata që e duan mund të japin edhe më shumë nga vetja”, theksoi ai. Por ka vend edhe për kritika, sidomos për luhatjen në lojë dhe rezultate gjatë fazës së parë të Kategorisë Superiore. “Ky grup po bën mirë dhe vetëm prej pikëve opinioni mund të bëjë kritika. Kemi shumë të rinj, mund të kenë luhatje. Edhe pse të rinj, kanë pasur pak luhatje. Kjo më ngroh mua”, shtoi Dede. Nuk mungoi as komenti i tij për repartin difensiv, por në një formë ku Dedes nuk i mungojnë ofertat. “Kemi luajtur shumë ndeshje dhe kemi qenë disi të brishtë përpara. Po të shënonim do kishim 3-4 pikë më shumë. Shifrat flasin për ne, në zotërim topi. Kur ha bukë edhe thërrime do bësh. Përpiqemi të ushqehemi sa më mirë”, nënvizoi me ironi Dede. Në fund të prononcimit të tij dje, në konferencën që organizoi për shtypin, Dede foli për Sasrakun, por edhe zërat që shohin Melon e Asanin si kandidatë për të ardhur tek Tirana. “Sasraku ka bërë mirë, punon për skuadrën dhe asiston. E mira është të shënojë. U paraqit mirë kundër Skënderbeut, zëvendësimi erdhi për arsye taktike. Normalisht e mira nuk ka fund. Melo e Asani? Janë lojtarë të Partizanit dhe nuk komentoj emrat e tyre. Kualitet kanë, normal, pasi e kanë treguar. E përsëris që lojtarët e mirë i do çdo ekip. Këtë ua kam thënë edhe në konferencat e mëparshme”, përfundoi Dede.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here