Politikat e munguara për librin, pirateria, zbatimi i rregullave në pasurimin e bibliotekave, disa prej problemeve në sektorin e botimeve

0
356

Politikat e munguara të Ministrisë së Kulturës, problemi i piraterisë, furnizimet e munguara prej vitesh të bibliotekave shkollore, ishin disa nga problemet që u diktuan në takimin, që u zhvillua me kërkesën e Kryesisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Shoqata e Botuesve Shqiptarë shprehet se takimi për këto probleme, u zhvillua me drejtues të disa prej shtëpive botuese më të rëndësishme të vendit. “U diskutuan kryesisht çështje që kanë të bëjnë me situatën, që po kalon sektori i botimeve tek ne. Politikat e munguara të Ministrisë së Kulturës për librin, probleme të piraterisë në botime dhe shfaqjet e kësaj dukurie edhe në sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjerë, furnizimet e munguara prej shumë vitesh të bibliotekave shkollore, etj. Gjatë diskutimeve të të pranishmëve, u rrahën mendime dhe u hodhën ide që u përqendruan në këmbënguljen pranë instancave shtetërore, qendrore e lokale, që të përmirësohet çështja e fondeve dhe zbatimi i ligjeve e rregullave të qarta në pasurimin e bibliotekave në nivel qendror dhe lokal, etj”, shprehet Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Në takimin që u zhvillua ditët e fundit, sipas SHBSH gjithashtu u diskutua edhe për një bashkëpunim më të mirë të punës së shoqatës me Shoqatën e Botuesve të Kosovës dhe institucionet arsimore e vendore në Kosovë që të mos lejohen dukuri të piraterisë në disa aktivitete tregtare e furnizime që bëhen atje, ku janë përfshirë edhe libra nga shtëpitë tona botuese. Problemet që u diskutuan, sipas SHBSH do të bëhen prezent dhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit dhe Leximit. “Të pranishmit, unanimisht nxitën dhe autorizuan kryesinë e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që të këmbëngulin për një bashkëpunim edhe më të mirë me institucionet shtetërore të kulturës e arsimimit, me pushtetin vendor etj. Botuesit sugjeruan që të gjitha këtë probleme dhe të tjerë të njohur publikisht, të shtrohen në mbledhjen më të afërme të Këshillit Kombëtar të Librit e Leximit”, vijon Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Problemet dhe institucionet

I pranishëm në këtë takim ishte dhe botuesi Jani Malo, që prej vitesh zhvillon aktivitetin me shtëpisë botuese “Nereida” në vendin tonë. Në një reagim të tij, botuesi Malo thotë se problemet që u diskutuan janë të njohura prej kohësh, por që nuk kanë gjetur zgjidhje. “Mbledhja këtë radhë ishte e fokusuar në disa probleme, që janë bërë më të dukshme kohët e fundit. Një nga problemet është fakti, që Ministria e Kulturës ka parashikuar të japë një fond librash prej disa titujsh në ndihmë të bibliotekave. Problemi është, që askush nuk ka marrë asnjë mendim, ne flasim gjithmonë për shoqatën. E dyta kush është ai komision që ka bërë këtë përzgjedhje për titujt? Cilët tituj dot të jenë ata, që do tu jepen bibliotekave? Nuk ka asnjë transparencë nga ministria dh si do të funksionojë kjo gjë”, shprehet botuesi Jani Malo. Edhe pirateria në vendin tonë në fushën e botimeve sipas SHBSH vazhdon të jetë shqetësuese. Sipas botuesit Jani Malo për këtë problem nuk është treguar vëmendje nga institucionet. “Problem është dhe ai i piraterisë. Prej disa vitesh në Tiranë vazhdon të vidhen librat. Në Tiranë askush nuk merret me ata libra që merren piratisht, duke vënë një emër përkthyesi kot, duke vënë një ISBN kot, dhe askush nuk merret me këtë punë. Ky është një problem më i madh se sa është në sipërfaqe. Ne e menduam që për këto të bëjmë së pari me një takim me Ministrinë e Kulturës, sepse gjëja e parë që duhet është rruga institucionale për ti zgjidhur këto problem edhe pse nuk kemi shumë besim se kjo do të zgjidhet, për faktin se kjo ka funksionuar prej kohësh kështu dhe të gjithë zërat e ardhur nga komuniteti i botuesve nuk janë marrë parasysh”, shprehet botuesi Malo. Takimi që zhvilloi Shoqata e Botuesve Shqiptarë vjen në vijim të atyre, që janë bërë më parë për problemet që shqetësojnë botuesit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here