Dashamir Shehi: Protagonizmi i Metës s’mund të eklipsojë Bashën, opozita nuk ka nevojë për dy liderë, koha për qarkullim elite

0
491

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek protestat që mbërthyen vendin pas vrasjes së një të riu 25-vjeçar nga policia, riorganizimi i opozitës joparlamentare për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, roli i presidenti Ilir Meta, menaxhimi i situatës së pandemisë nga qeveria “Rama”, etj. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Shehi shprehu bindjen se protagonizmi i presidentit Meta s’mund të eklipsojë rolin e Lulzim Bashës, ndërsa theksoi se opozita nuk ka nevojë për dy liderë. Po ashtu, kreu i LZHK u shpreh i bindur se në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit opozita e bashkuar do të dalë fituese dhe do të vijë në pushtet, ndërkohë që rreshtoi edhe disa arsye se përse qytetarët do të ndëshkojnë me votë mazhorancën socialiste.

-Zoti Shehi, ndërsa na ndajnë edhe gati 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, opozita nuk e ka bërë zbuluar strategjinë e fushatës dhe mënyrës se si ajo do të hyjë në këto zgjedhje. Përse opozita po vonon përcaktimin e formulës së koalicioneve se si do të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit 2021?

Aktualisht ne si opozitë po bëjmë një studim dhe do të peshojmë të gjitha variantet, por unë e kam thënë dhe po e ripërsëris që mirë do të ishte që opozita të shkonte me dy lista në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kjo pasi edhe vetëm ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor imponon më shumë egoizma dhe arroganca partiake, kështu që mirë do të ishte që për të përmbysur Ramën dhe maksimalizuar votat do të ishte e udhës të dilnin me dy lista, ku tek e para prirës të jetë Partia Demokratike dhe ne aleatët e saj tradicionalë, ndërsa tek e dyta Lëvizja Socialiste për Integrim duke qenë se kjo është parti e qendrës së majtë dhe do ishte mirë që të ishte më vete për të mbledhur sa më shumë vota të elektoratit të saj. Pra, nga kjo pikëpamje do ishte mirë që të kishim dy lista, pasi nga 300 veta që mund të hyjmë me një listë me dy lista do ulet numri dhe kushdo nga të mëdhenjtë ka mundësi të vendosë emrin e kandidatëve që do. Megjithatë, dua të theksoj se ne kemi të gjithë ndonjë histori si parti dhe unë si kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar vij nga e djathta dhe unë e kam hapjen deri tek Partia Demokratike, nuk mund të shkoj përtej për të qenë në mesin e një koalicioni që nuk kam përputhje ideologjike. Kështu që ne na leverdis të jemi me dy lista, pasi ne si të djathtë kemi elektoratin tonë bazë që nuk na e merr kush, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë më vete që të ketë dorë të lirë, në mënyrë që të kandidojë sa më shumë emra të majtë dhe të marrë vota të majta. Sidoqoftë e gjitha kjo mesele do të marrë fund këtë javë, pasi kryedemokrati Lulzim Basha na ka premtuar se këtë javë do të zbardhë dhe zbulojë strategjinë e opozitës se si do të hyjmë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Pra, ka ardhur koha që të mbyllet kjo histori pasi është tejzgjatur shumë. Ne nuk ishim dakord me këtë Kod Zgjedhor, por kemi aleatët Bashën dhe Kryemadhin që duhet t’u dalin zot votave.

– Ju si opozitë e bashkuar shpesh gjatë këtyre viteve që Partia Socialiste është në pushtet keni akuzuar kryeministrin Edi Rama se ju ka vjedhur votat. Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet, si do t’i mbrojë votat opozita e bashkuar dhe a keni frikë ju si aleatë apo parti të vogla se të mëdhenjtë mund t’ju tjetërsojnë votat?

Ne si aleatët tradicionalë ia kemi kërkuar dhe do t’ia kërkojmë kryetarit të Partisë Demokratike që para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit tjetër, por edhe pas duhet të jemi bashkë si opozitë. Si do të thoni ju? Është fare e lehtë pasi do të nënshkruajmë një marrëveshje që të jemi para dhe pas bashkë, në mënyrë që të mos ketë hatërmbetje dhe tradhti rrugës. Nga ana tjetër duke qenë se Kodi i ri Zgjedhor nuk është ai që ne kemi kërkuar, ne si aleatët dhe unë si kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar do të kërkoj nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që të më sigurojnë që vota ime nuk do të tjetërsohet, pra ne do t’ua besojmë PD-së dhe LSI-së votat, që të mos tjetërsohen, por edhe të mos vidhen nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Pra, me fjalë të thjeshta ne kemi brenda këtij sistemi elektoral që nuk është i mirë parti si PD dhe LSI.

-Përse qytetarët shqiptarë duhet t’i besojnë votën dhe votojnë opozitën e bashkuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?

Qytetarët shqiptarë do t’i japin votën opozitës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, me qëllimin e mirë dhe të vetëm që të largohet kjo qeveri që iu është bërë barrë atyre, duke i braktisur dhe rrënuar ekonomikisht. Nga kjo pikëpamje dua të them se përveç kësaj, janë shumë arsye të tjera se përse qytetarët do të rrëzojnë me votë qeverinë socialiste. Kështu arsyeja e dytë është se qytetarët me votën që do t’i besojnë opozitës do të kenë shpresë për të nesërmen, pasi ne i kemi pranuar gabimet tona dhe tashmë do bëjmë më të mirën për vendin. E treta, me ardhjen në pushtet të opozitës qytetarët shqiptarë do të jenë më pranë Europës. E katërta neve do të na besohet vota të dielën e 25 prillit se janë pjekur kushtet dhe Ramën nuk e do më shumica e shqiptarëve. E pesta, qytetarët shqiptarë do të na japin neve votën dhe pushtetin, pasi janë lodhur nga korrupsionin qeveritar i qeverisë “Rama”, janë lodhur nga kanabizimi dhe drogëzimi i vendit nën qeverisjen socialiste, janë lodhur nga eksodi, ku mijëra qytetarë vendosin të braktisin vendin pasi janë braktisur nga qeveria. Tashti po t’i numëroj ka më shumë arsye se përse do të votohemi ne si opozitë në 25 prill, por kryesorja është që ka ardhur koha për ndryshim.

-Po ju ku do të garoni për deputet në zgjedhjet e 25 prillit?

Dashamir Shehi si kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar do të garojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 në qarkun e Tiranës.

-Megjithatë tepër aktiv kohët e fundit është parë edhe presidenti Ilir Meta, i cili është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit dhe po bën politikë të fortë kundër qeverisë “Rama”. A rrezikon që ky protagonizëm i shtuar i presidentit Meta të nxjerrë jashtë loje apo të lërë në hije kreun e opozitës së bashkuar, njëherësh kryetarin e PD, Lulzim Basha?

Shiko! Thirrjet dhe protagonizmi i presidentit Ilir Meta kurrsesi nuk mund të eklipsojnë rolin e Lulzim Bashës. Unë e kam thënë dhe po e ripërsëris që opozita ka liderin e saj, që është Lulzim Basha. Nuk ka nevojë opozita për dy liderë sikundër po tentohet të bëhet, pasi opozita ka Bashën dhe Meta është presidenti dhe ka misionin e tij. Politika është për Bashën! Ilir Meta për sa kohë që është në krye të Presidencës dhe do të mbrojë Kushtetutën do të ketë mbështetjen tonë. Por, s’ka moral që opozita të ketë shefa të tjerë, pasi opozita e ka liderin e saj që është Lulzim Basha. Opozita është fjalë më e madhe se Presidenca apo një institucion tjetër.

-Një tjetër zhvillim i fortë që vjen nga opozita ka të bëjë me disa deklarata të artikuluara nga drejtuesi i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve në PD, Genc Ruli. Ky i fundit herë pas here i ka dërguar mesazhe të koduara ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i kujtuar se duhet të pensionohet politikisht. Keni një koment?

Unë i kam dëgjuar deklaratat e Genc Rulit dhe mirë do të ishte të kishte qarkullim elite. Por megjithatë nuk dua të hyj në këto komete dhe debate, pasi ato janë të brendshme të Partisë Demokratike. Pra, nuk më takojnë mua t’i komentoj deklaratat dhe debatet, pasi nëse do të ndodhte kjo unë do të kisha qëndruar brenda PD-së.

-Po menaxhimi i situatës së pandemisë së Covid-19 që ka mbërthyer vendin prej 9 muajsh nga ana e qeverisë si ju duket?

Situatat e pandemisë së Covid-19 nga ana e qeverisë mendoj se fazën e dytë duhej të ishte më e përgatitur. Populli thotë që kur “digjesh nga qulli, duhet t’i frysh kosit”. Është e turpshme që qeveria mburrej që iu shtuan sektorit të shëndetësisë 27 respiratorë. Megjithatë, kjo është një fatkeqësi që i ka rënë gjithë botës, por që si situatë do të shfrytëzohet nga mazhoranca socialiste për politikë. Sidoqoftë, ne si vend i vogël që ishim duhet ta kishim menaxhuar më mirë situatën e pandemisë.

-Së fundmi në Shqipëri u shënuan disa protesta kundër qeverisë, të cilat degjeneruan edhe në dhunë, pas vrasjes së një 25-vjeçari nga policia. Por kryeministri Edi Rama ka drejtuar gishtin nga dyshja Berisha-Meta dhe opozita, të cilët i ka akuzuar si organizatorë dhe nxitës të tyre. Sa qëndrojnë këto pretendime sipas jush?

Akuzat e kryeministrit Edi Rama se pas protestave të fundit fshihet opozita janë diversione. Ne si opozitë kemi bërë më herët protesta dhe kur bënim ne protesta kemi nxjerrë 50 mije vetë në shesh, apo edhe 10 mijë. Kështu që këto janë budallaqe të artikuluara nga goja e kryeministrit Edi Rama me qëllim që të fitojë politikisht dhe bëjë diversione. Ne nuk kemi pse të kemi frikë dhe të pranonin, nëse do të fshiheshim pas protestave të fundit. Por kjo nuk është e vërtet pasi ato ishin protesta spontane të të rinjve që synonin dobësimin e mazhorancës dhe qeverisë. Kështu që Rama i gjendur përballë kësaj situate që favorizon opozitën, pasi çdo protestë kundër qeverisë favorizon opozitën, po bën diversion. Megjithatë, pavarësisht se Rama po përpiqet të bëjë skupe dhe diversione, një gjë është e sigurtë që në 25 prill ai do të rrëzohet nga pushteti me votë dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Intervistoi: Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here