Meteorologu Haklil Osmani thotë se moti i kthjellët dhe prezenca shumë e pakët e vranësirave do të mbizotërojë në javën që sapo ka nisur.
Osmani është shprehur se deri ditën e premte do të qëndrojë moti i kthjellët ndërkohë që vranësirat do të sjellin dhe reshje të pakta të izoluara në zonat jugperëndimore të territorit shqiptar.
“E premtja pasdite dhe orët e natës do të sjellin një sistem vranësirash në territorin shqiptar, vranësira të cilat do të fuqizohen edhe gjatë ditës së shtunë duke bërë që në ultësirën perëndimore të kemi prezencë të dukshme të reshjeve të shiut ndërsa në zonat malore do të kemi dhe shfaqje të reshjeve të dëborës, ndërsa ë diela sjell një përmirësim të kushteve të motit,” – tha Osmani.
Sa i takon vlerave termike meteorologu tregoi se deri ditën e premte do të kemi një luhatje mes -1 gradë në zonat malore dhe maksimume deri në 14-15 gradë.
Ndërkohë në fundjavë do të kemi një rënie të ndjeshme të vlerave termike duke bërë që minimumet në zonat malore të zbresin edhe në -3 gradë ndërsa maksimumet jo më tepër se 12 gradë.
“Edhe Kosova edhe Maqedonia e Veriut deri ditën e premte do të jenë në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, do të kenë më shumë orë me diell por herë pas here do të kemi dhe shfaqje të vranësirave kalimtare,” – tregoi meteorologu Osmani.
Gjatë mbrëmjes së ditës së premte dhe ditës së shtunë vranësirat në rajon do të fuqizohen duke bërë të dukshme dhe prezencën e reshjeve të dëborës.
Gjatë javës vlerat termike në Kosovë dhe RMV do të luhaten nga -2 dhe -3 gradë minimumet deri në jo më shumë se 12-13 gradë maksimumet.
Gjatë fundjavës do të kemi një ulje me 2 gradë në të dy territoret.