Kiço Londo: Dashuri në kohë të kolerës

0
616

Shfaqje në qytete nga jugu në veri në vendit me “Jul Cezarin”, dy premiera të reja për fëmijë të cilat u dhanë në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, dhe spektatorë të shumtë ndoqën shfaqjet e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Artistët dhe spektatorët ishin të vetëdijshëm për respektimin e masave, ndërsa jeta artistike e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vazhdoi jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. Drejtori i TKE Kiço Londo shprehet se në këto kohë kur planeti është përfshirë në një eksperiment të madh, kur janë tronditur themelet e ekzistencës, njerëzit bëjnë pyetje të mëdha dhe kërkojnë përgjigje, por përgjigje të mëdha jep vetëm teatri. Në intervistën për gazetën “SOT”, drejtori Kiço Londo flet për punën madhe që është bërë nga institucioni që ai drejton, dhe artistët për të qenë pranë publikut me shfaqje të ndryshme. Londo shprehet se këto kohë u testuan, nuk i llogaritën vështirësitë, por krijuan një situatë normale. Shumë projekte në një kohë të pazakontë, por drejtori Kiço Londo pohon dashuri në kohë të kolerës, luftë për mbijetesë, identitet dhe mbrojtje të shëndetit mendor. Teatri Kombëtar Eksperimental nuk e njeh pandeminë, ku drejtori Kiço Londo shprehet se janë bërë ambiente të reja, dhe në pranvere TKE do të ketë edhe dy salla të tjera teatri. Në këtë intervistë drejtori Kiço Londo ndërsa flet për punën që është bërë në TKE, zbulon dhe premierat e reja që do të jenë pjesë e jetës artistike.

-Ç’po ndodh në kohë të pandemisë me teatrin?

Në këto kohë kur planeti është përfshirë në një eksperiment të madh, kur janë tronditur themelet e ekzistencës, njerëzit bëjnë pyetje të mëdha dhe kërkojnë përgjigje të mëdha. Përgjigje të mëdha jep vetëm teatri. Sepse në këto kohë vetëm dashuria të shpëton. Ajo të çon në dimension tjetër, ku ti nuk ke frikë.

-Po në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ç’ka ndodhur?

Këto kohë u testuam thellë. Nuk i llogaritëm përmbytjet, hymë brenda dallgës dhe kaluam. Krijuam një situatë normale, duke siguruar një 5-muajsh pjellore.

-Çfarë bëtë konkretisht?

Shfaqje në qytete nga jugu në veri me “Jul Cezarin”, dy premiera të reja për fëmijë të cilat u dhanë në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Spektatorë të shumtë na ndoqën dhe jemi të vetmit, që kemi shitur bileta këto kohë. Artistët dhe spektatorët ishin të vetëdijshëm për respektimin e masave.

– A ka një plan për të ardhmen Teatri Kombëtar Eksperimental?

Mbyllja e re e pjesshme paralajmëron dimër të vështirë. Artet skenike janë goditur në të gjithë botën. Pas fjalës teatër qëndrojnë njerëz, që janë tronditur shumë financiarisht dhe psikologjikisht. Shpresoj që kjo mos të ndikojë në tronditjen e identitetit të teatrit tonë. Për këtë po punojmë shumë, janë gati drejtë përfundimit premierat “Hamami i grave” dhe “Jordan”. Tre regjisorë të rinj, Ina Morinaj, Endri Çela dhe Ledian Gjeçi kanë marrë aprovimin e bordit dhe po përgatiten për fillimin e realizimit të premierave të reja. Ndërkohë regjisorë të tjerë të rinj kanë marrë aprovimin për realizimin e premierave për fëmijë.

-Shumë projekte në një kohë të pazakontë?

Dashuri në kohë të kolerës, luftë për mbijetesë, identitet dhe mbrojtje të shëndetit mendor.

-Shohim ambiente të reja, çfarë mund të na thoni?

Në këtë fushë Teatri Kombëtar Eksperimental nuk e njeh pandeminë. Me njerëzit e shkëlqyer, që më rrethojnë brenda kohës së pandemisë salla nga 150 shkojë në 250 vende. Ambientet ku ne hymë fillimisht ngjanin me një studio televizive. Ja hymë punës, përveç shtimit të vendeve krijuam hollin e ri, e pajisëm atë dhe të gjitha ambientet tona me foto dhe lule. Krijuam ambientin e rekuizitës, e cila mungonte, krijuam garderobën tre herë më të madhe se ajo që kishim, sepse edhe kjo mungonte. Krijuam lavanderinë, e cila gjithashtu mungonte. Krijuam llozhat në sallë, duke zbutur dhe përmirësuar pikën e shikimit të spektatorit. Krijuam skenën e re, e cila mungonte me ballkone dhe dekor fundor të mrekullueshëm. Ndryshuam pikat e ndriçimit dhe vendosjen e artopolantëve në skenë. Përmirësuam hollin e hyrjes në skenë.

-Pra keni vënë dorë kudo?

Po. Deri tek ngjyrat në holle, në skenë dhe në sallë. Çdo gjë është kuq edhe zi, si kodi ynë gjenetike. Nuk është e pranueshme, që në teatër të ketë ndriçim led të bardha. Prandaj e ndryshuam atë, duke vendosur llampa me ndriçim të ngrohtë.

-Po me akustikën?

Për këtë të fundit duam të themi se jemi krenar se akustika, që salla ka sot nuk ka lidhje fare me atë të fillimit. Kemi padyshim një nga sallat më të mira të teatrit në vend.

-Do të mbeteni te kjo sallë?

Natyrisht që jo. Më pëlqen shumë numri 3. Në pranverë Teatri Kombëtar Eksperimental do të ketë edhe dy salla të tjera teatri.

-Në këtë vend?

Po, në këtë vend.

-Si mund të ndodhë kjo?

Ata që ndërtojnë salla ngatërrojnë sipërfaqen me volumin. Në teatër nuk ka rëndësi shumë sipërfaqja sa ka rëndësi volumi. Teatri është shumë i vështirë për tu ndërtuar.

-Pse?

Sepse intimiteti në një teatër është më i vështirë, se sa detajet në një qytet të tërë.

-Sa ambiente teatrore keni ndërtuar në Tiranë?

10 plus 2 sallat, që do të ndërtohen në pranverë bëhen 12.

-Do të vazhdoni?

Në Tiranë jo më.

-Ç’mendoni për artistët e rinj?

Ata janë energjia e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Kështu do të jete edhe në të ardhmen. Jemi krenarë të themi se teatri sot ka elitën e vet, natyrisht kjo elitë nuk është vetëm pjesë e TKE. Madje do të shtonim se historia e tashmë e teatrit është më e lavdishme se ajo e shkuar. Dhe lavdia e teatrit të sotëm do të rritet e do të shumëfishohet nëse respekton sinqerisht e pa paragjykime historinë e shkuar të teatrit.

-Ju nuk keni detyrime ndaj Teatrit Kombëtar, pse kaq shumë foto të TK në ambientet e TKE?

Sepse jo vetëm unë, por të gjithë ne kemi detyrime ndaj Teatrit Kombëtar dhe historisë së tij. Historia e TK është kujtesa jonë dhe njeriu pa kujtesë bëhet me alzajmer dhe nuk di ç’bën.

-Ju pohoni se janë drejt përfundimit premiera të reja. “Hamami i grave” u publikua këto kohë dhe nga teatri. Çfarë sjell kjo shfaqje?

“Hamami i grave” është një himn për fuqinë e miqësisë dhe solidaritetit të grave. Është një vepër e vështirë, e egër, realiste, njerëzore, e ndjeshme, e butë dhe me humor që zhytet në vendet e shenjta të shpirtit femëror. “Hamami i grave” është vendi ku heroinat mund të jenë të sigurta, të shijojnë çdo minutë relaksimi dhe pushimi, të vetëidentifikohen dhe të kuptojnë realitetin e jashtëm. Skena e TKE do të shndërrohet në një hamam të dobishëm dhe gjashtë figurat femërore, që vetë-ilustrohen. Pas dyerve të mbyllura të hamamit secila rrëfen mendimet, ankthin, gëzimet, ëndrrat dhe aventurat në një mënyrë retorike. Ato janë të mërzitura për lajmin kërcënues të prishjes së hamamit dhe për ngritjen e një biblioteke, dhe më pas ato bashkohen të vendosura kundër shtypjes së shtetit për shpëtimin e hamamit. Lufta e tyre e përbashkët kurorëzohet efektive me armët e tyre të vetme, vërtetësinë e ndjenjave dhe solidaritetin e tyre. “Hamami i grave” nga britanikja Nell Dunn ka në potencialin e vet gjashtë protagoniste magjepse të teatrit.

-Në punën tuaj me teatrin nuk kanë munguar dhe regjisorë të huaj. Sa rëndësi ka pasur kjo me jetën artistike, si kanë qenë për ju si drejtues i teatrit këto bashkëpunime?

Regjisorët e huaj të cilët në 6 vjet kanë qenë 14, kanë pasur një ndikim fondamental jo vetëm për TKE, por për të gjithë teatrin shqiptar. Së pari për nivelin e tyre të lartë artistik, së dyti për nivelin e lartë të veprave të vendosura në skenë prej tyre dhe së treti për shkollat e ndryshme, që ata kanë sjellë në Shqipëri. Një nga sfidat e elitës së re teatrore, është edhe përballja me regjisorë të nivelit të lartë dhe kjo është një nga avantazhet e kësaj elite. Teatri zyrtar shqiptar ka 70 vite që funksionon. Por asnjëherë ai nuk ka pasur kaq shumë regjisorë të huaj sa ka pasur Teatri Kombëtar Eksperimental në 6 vjet. Aktorët e TKE tashmë kanë miq regjisorë në Gjermani, Itali, Francë, Kroaci, Austri, Greqi, Serbi, Maqedoni etj. Kjo është një hapje e mrekullueshme dhe që do ta japë efektin e saj të plotë pas disa vitesh.

-Premiera për të rritur dhe për fëmijë nga ju me aktivitetin artistik të TKE. Teatri i fëmijëve ka qenë një tjetër pjesë me rëndësi. Çfarë synoni me punë tuaj, në Teatrin Kombëtar Eksperimental me aktivitetin për fëmijët?

Shfaqjet për fëmijë janë një nga pikat e forta të TKE. Me shtatë premiera në vit dhe me një numër të madhe aktorësh dhe regjisorësh në rrethet e fëmijëve TKE është mjaft i dashur dhe i mirëpritur. Me shfaqjet për fëmijë për të cilat ne nuk marrim nga shteti asnjë buxhet, ne synojmë në dy drejtime. Drejtimi i parë ka të bëjë me edukimin e fëmijëve që në moshë të vogël me teatrin dhe duke organizuar shfaqjet me shkollat, ne synojmë të përmbushim iniciativën “edukimi përmes artit”. Drejtimi i dytë ka të bëjë me afrimin e aktorëve të rinj, duke filluar që nga Universiteti i Arteve në mënyrë që ata të ambientohen që herët me skenën dhe publikun dhe të jenë të gatshëm, që të kalojnë në shfaqjet për adoleshentë dhe për të rritur.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here