Udhëzimi/Hyjnë në fuqi rregullat për tregtimin e parfumeve dhe bojërave të flokëve që paketohen në pikat e shitjes

0
378

Parfumet, bojërat e flokëve dhe produktet kozmetike dekorative me nuanca ngjyrash që nuk janë të parapaketuara, por paketohen në pikën e shitjes nuk do të lejohet të tregtohen nëse nuk përmbajnë informacion mbi origjinën dhe përbërësit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu miratoi udhëzimin për rregullat e hollësishme dhe informacionin që duhet të përmbajnë produktet kozmetike që nuk kanë ambalazhim, por paketohen nga shitësit. Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare është në mbështetje të ligjit “Për produktet kozmetike” dhe mbrojtjes të konsumatorit në tregtimin e këtyre.

Udhëzimi përcakton se për parfumet pa ambalazhim primar, përveç vendit të origjinës dhe informacionit mbi përbërësit, duhet të shënohet edhe lista e substancave të ndaluara.

Informacioni për këto produkte duhet të listohet në etiketë, fletëpalosje ose letër ngjitëse të paktën në paketimin dytësor (mund të vendoset brenda paketimit të produkteve kozmetike ose u bashkëngjitet produkteve kozmetike në ambalazhet e tyre) nga bizneset që e tregtojnë.

Nëse kjo nuk është e realizueshme, për shkak të përmasës së vogël ose formës së produktit kozmetik, ato duhet të shiten së bashku me etiketë që mban informacionin e kërkuar sipas këtij udhëzimi, e cila do të lidhet në paketimin që ofrohet për konsumatorin.

Udhëzimi

Produktet kozmetike, të cilat nuk janë të parapaketuara, që paketohen në pikën e shitjes sipas kërkesës së blerësit ose parapaketohen për shitje të menjëhershme, duhet të përmbajnë informacionet si vijon: a)emrin e regjistruar dhe adresën e personit përgjegjës. Informacioni mund të jepet në formë të shkurtuar, vetëm nëse shkurtimi bën të mundur identifikimin e personit dhe adresës së tij. Në rast të disa adresave, specifikohet adresa e personit përgjegjës, i cili mundëson leximin e dosjes së informacionit të produktit; b) vendin e origjinës për produktin kozmetik të importuar; c) përmbajtjen nominale në momentin e paketimit, të dhëna në peshë ose vëllim, me përjashtim të rastit kur paketimi përmban më pak se 5 gr ose 5 ml, mostra dhuruese ose paketime njëpërdorimëshe.

Për produktet e parapaketuara, të cilat normalisht shiten veçmas, ku detajet mbi peshën apo vëllimin e tyre nuk janë domethënëse, nuk jepet përmbajtja me kusht që të paraqitet në paketim numri i artikujve. Ky informacion nuk është i nevojshëm nëse numri i artikujve shihet lehtësisht nga jashtë ose nëse produkti normalisht shitet veçmas; ç) datën deri në të cilën produkti kozmetik, i ruajtur në kushte të përshtatshme, do të vazhdojë të përmbushë funksionin e tij fillestar dhe veçanërisht do të jetë në përputhje me nenin 4 të këtij ligji. Data në vetvete ose detaje të paraqitjes së saj në paketim paraprihen nga simboli i miratuar ose nga fjalët “këshillohet përdorimi para fundit të”. Data e jetëgjatësisë minimale shprehet qartë dhe përbëhet sipas këtij rendi: nga muaji dhe viti ose nga dita, muaji dhe viti. Nëse shihet e arsyeshme, këtij informacioni do t’i shtohen të dhëna mbi kushtet që duhet të plotësohen, me qëllim garantimin e jetëgjatësisë së deklaruar.

Shënimi i datës së jetëgjatësisë minimale nuk është i detyrueshëm për produktet kozmetike me një minimum jetëgjatësie prej më shumë se 30 muajsh. Për produkte të tilla paraqiten të dhëna mbi periudhën pas hapjes së produktit, gjatë së cilës ai është i sigurt dhe mund të përdoret pa e dëmtuar konsumatorin; d) masat e veçanta që duhen ndjekur për përdorimin, si dhe çdo informacion i veçantë i kujdesit paraprak për produktet kozmetike për përdorim profesional; dh) numrin e lotit të prodhimit ose referenca për identifikimin e produktit kozmetik. Në rast se për arsye praktike kjo nuk është e mundur, për shkak se produkti kozmetik është tepër i vogël, ky informacion do të paraqitet vetëm në paketim; e) funksionin e produktit kozmetik, nëse nuk është i qartë nga prezantimi i tij; ë) listën e përbërësve, informacion i cili mund të tregohet vetëm në paketim, e paraprirë nga termi “përbërësit”. Megjithatë, elementet e mëposhtme nuk do të konsiderohen si përbërës: i. papastërtitë te lënda e parë e përdorur; ii. materiale teknike shtesë të përdorura në përzierje, por jo të pranishme te produkti përfundimtar.

Parfumet, përbërjet aromatike dhe substancat e tyre të para do t’i referohen termit “parfum” ose “aromë”. Prania e substancave të parashikuara në kolonën “të tjera”, në “listën e substancave që nuk lejohen të jenë në përbërjen e produkteve kozmetike, me përjashtim të kufizimeve të përcaktuara”, do të paraqitet në listën e përbërësve, përveç termave “parfum” ose “aromë”. Lista e përbërësve hartohet në rendin zbritës të peshës së përbërësve në momentin kur ato i shtohen produktit kozmetik. Përbërësit në përqendrime më të ulëta se 1% mund të listohen në ndonjë rend tjetër pas atyre në përqendrime më të lartë se 1%. Të gjithë përbërësit e pranishëm në formën e nanomaterialeve duhet të tregohen në mënyrë të qartë në listën e përbërësve. Emrat e përbërësve të tillë duhet të ndiqen nga fjala “nano” në kllapa. Substancat ngjyruese të ndryshme nga ngjyruesit e flokëve, mund të listohen në një rend tjetër, pas përbërësve të tjerë kozmetikë. Për produktet kozmetike dekorative, që tregtohen në disa nuanca ngjyrash, me përjashtim të atyre të destinuara për ngjyerjen e flokëve, mund të përmenden vetëm nëse shtohen fjalët “mund të përmbajë” ose simboli “+/-”. Emërtimi” CI (Color index–indeksi i ngjyrave) përdoret kur është e zbatueshme.

  1. Informacioni i përmendur në pikën 1 të këtij udhëzimi duhet të listohet në etiketë, fletëpalosje ose letër ngjitëse të paktën në paketimin dytësor (mund të vendoset brenda paketimit të produkteve kozmetike ose u bashkëngjitet produkteve kozmetike në ambalazhet e tyre) nga personi i cili, në veprimtarinë e “bërjes së disponueshme në treg”, siguron produktin kozmetik te përdoruesi fundor.
  2. Nëse informacioni i përmendur në pikën 1 të këtij udhëzimi nuk mund të etiketohet sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij udhëzimi, për arsye prakticiteti, në veçanti për arsye të përmasës së vogël ose formës së produktit kozmetik, produktet kozmetike duhet të shiten së bashku me një fletë që mban indikacionet e referuara në pikën 1 të këtij udhëzimi (u lidhet një etiketë në paketimin parësor ose në paketimin përfundimtar, në të cilin produkti kozmetik ofrohet për shitje).
  3. Për produktet kozmetike, sipas përkufizimit të bërë në ligjin nr. 26/2017, “Për produktet kozmetike”, të vëna në dispozicion në tregun kombëtar, informacioni i referuar në pikën 1 të këtij udhëzimi dhe pikat 2, 3 dhe 4, të nenit 16, të ligjit të sipërpërmendur duhet të tregohen në gjuhën shqipe. Nëse indikacionet e përmendura në këtë paragraf janë vendosur në disa gjuhë, të njëjtat vendosen, gjithashtu, në gjuhën shqipe, përkthim identik i tekstit origjinal dhe me karaktere të dukshme dhe të lexueshme joinferiore ndaj atyre të përdorur për gjuhët e tjera.
  4. Gjithashtu, për produktet kozmetike të cilat nuk janë të parapaketuara ose paketohen nga shitësi me kërkesë të blerësit, ose janë të parapaketuara për shitje të menjëhershme, për fazën e paketimit dhe etiketimit zbatohen parashikimet e nenit 5, të ligjit nr. 26/2017, “Për produktet kozmetike” dhe parashikimet përkatëse të vendimit nr. 634, datë 26.10.2018, “Për miratimin e parimeve dhe të udhëzimeve të praktikës së mirë të prodhimit të produkteve kozmetike”.
  5. Në procesin e etiketimit të produkteve kozmetike, të cilat nuk janë të parapaketuara ose paketohen nga shitësi me kërkesë të blerësit, ose janë të parapaketuara për shitje të menjëhershme, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm dhe një nivel i lartë i mbrojtjes së shëndetit të njeriut, zbatohen dispozitat e nenit 16, pikat 2, 3, të ligjit nr. 26/2017, “Për produktet kozmetike”.
  6. Informacioni i përmendur në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij udhëzimi, duhet të shprehet duke përdorur emrin e zakonshëm të përbërësit. Nëse nuk është i disponueshëm një emër i zakonshëm për një përbërës të caktuar, do të përdoret një term që përmbahet në një nomenklaturë ndërkombëtare të njohur përgjithësisht.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë./ Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here