Google search engine
Home Politike Lamallari dhe Kumbaro mbajnë “peng” shkarkimin e të korruptuarit Ilirjan Mandro, kush...

Lamallari dhe Kumbaro mbajnë “peng” shkarkimin e të korruptuarit Ilirjan Mandro, kush e sponsorizon Rektorin

0
16

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë viteve të fundit, krahas referimit në SPAK të dhjetëra kallëzimeve penale për përvetësim të parave dhe pasurive publike, krime mjedisore dhe krime kundër shëndetit, ka rekomanduar edhe shkarkimin nga detyra të disa drejtorëve përkatës, duke i identifikuar si përgjegjës për dhjetëra milionë euro dëm ekonomik. Por, rekomandimet e KLSH janë refuzuar dhe sfiduar nga pushteti dhe ministrat përkatës, duke mbajtur në detyrë drejtorët e skeduar për abuzime dhe kërdi me pasuritë publike. Nuk vihet në diskutim se është organi i akuzës dhe gjykatat që veshin me përgjegjësi penale një pushtetar, por koha ka treguar se konstatimet e KLSH janë kthyer nga drejtësia në dosje penale dhe zyrtarët e skeduar për afera korruptive me pasuritë dhe parave publike, në shumë raste, kanë përfunduar prapa hekurave. Marrja në mbrojtje e këtyre personazheve nga qeveria dhe degët e tyre nuk është thjeshtë shenjë arrogance, mungesë respekti për institucionet dhe zgjedhësit, por është një sfidë e hapur edhe ndaj SPAK-ut.

Rasti i Mandros

Në këtë panoramë të errët, rasti i Akademisë së Sigurisë është shndërruar në një simbol të dështimit të vullnetit politik. Institucioni që duhet të ishte tempulli i ligjshmërisë, është katandisur në një “çiflig” abuzimesh, ndërsa fati i Rektorit Ilirjan Mandro është kthyer në një test që qeveria po e humbet çdo ditë. Pavarësisht konstatimeve të rënda të KLSH, të cilat prej kohësh kanë kërkuar shkarkimin e tij për shkelje të rënda, Rektori vijon të mbetet në detyrë nën një mbrojtje të dyshimtë politike. Dokumentet e fundit të datës 13 mars 2026 që ka parë gazeta “SOT”, të cilat pasqyrojnë auditimin mbi zbatimin e rekomandimeve, dëshmojnë qartë se institucionet kanë zgjedhur të injorojnë faktet, duke kthyer “rekomandimet” e KLSH-së në një formalitet të zhvlerësuar nga dora e Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro. Nëse kthehemi pas në kohë, shkarkimi i Mandros nuk është një kërkesë e re, por një kambanë alarmi që ka rënë prej kohësh.

Dokumentet e KLSH-së të pasqyruara në raportet e auditimit tregojnë një histori të gjatë mosveprimi që daton që nga periudha kur u konstatuan shkeljet e rënda mbi përdorimin e fondeve publike, mungesën e eficiencës dhe dështimet në prokurime. Dokumentet e KLSH-së janë një akuzë e hapur për mënyrën se si Rektori Mandro ka administruar burimet e Akademisë. Auditi ka evidentuar parregullsi flagrante në përdorimin e fondeve, duke theksuar mungesën totale të ekonomicitetit, efektivitetit dhe eficiencës. KLSH-ja ka qenë e qartë në kërkesën e saj për masa disiplinore, duke i kujtuar sërish Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit se Mandro duhet të mbajë përgjegjësi personale për këto dështime.

Megjithatë, ndërsa koha kalon, heshtja e Lamallarit dhe Kumbaros bëhet gjithnjë e më zhurmshme, duke krijuar bindjen se qëndrimi i Mandros në post nuk është një rastësi, por një vendim i mirëmenduar nga lart. Kjo zvarritje e shkarkimit të Mandros nga ana e strukturave drejtuese të ministrive përkatëse është një goditje për besimin te shteti. Kur KLSH-ja kërkon shkarkimin për shkak të parregullsive dhe shpërdorimit të fondeve, çdo ditë që Mandro kalon në zyrën e Rektorit është një dëshmi e “sponsorizimit” politik që gëzon. Lamallari dhe Kumbaro, si dy nga figurat kryesore që mbikëqyrin veprimtarinë e Akademisë së Sigurisë, mbajnë mbi supe përgjegjësinë morale dhe institucionale për ta ndaluar këtë degradim. Mbrojtja e një drejtuesi të vënë në shënjestër nga auditimi për abuzime të rënda vë në dyshim jo vetëm integritetin e tyre, por edhe qëllimet reale prapa emërimit dhe mbajtjes së Rektorit Mandro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here